Ndërlidhjet

“Fundi i ‘doktor Dabiqit’”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Njohja e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian mbetet kusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ky është një nga kriteret kryesore para se Kosova të kërkojë aplikim për MSA, si një nga mekanizmat për hyrjen në familjen politike evropiane. Vëzhgues të ndryshëm thonë se Kosova ka nevojë për një lobim më të fuqishëm te disa shtete të mbetura që ta njohin. Për sa i përket rrafshit teknik, ekzekutivi i vendit ka ngritur gjithë mekanizmat për të arritur objektivin e tij për anëtarësim në familjen evropiane. Deri para shpalljes së pavarësisë, Kosova ka përfituar prej procesit të stabilizim asociimit sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në një mekanizëm të ashtuquajtur proces i SA-së përmes takimeve në sektorë politikë, por edhe teknikë. Sabiha Shala, ushtruese e detyrës së shefes në Agjencinë Evropiane për Integrim në Qeverinë e Kosoves, duke u ndalur tek aspektet teknike, thotë se ka të miratuar Planin e Veprimit për Partneritet Evropian, ku deri më tani janë mbajtur mjaft takime dhe diskutime me ekspertë të KE-së për sektorët e çështjeve politike, ekonomike, standardet etj...

KOHA DITORE
Klasa politike kosovare nuk është shprehur shumë e entuziazmuar me lajmin për arrestimin e të kërkuarit nga Haga, serbit Radovan Karaxhiq. Sipas disa figurave politike të Prishtinës, arrestimi i Karaxhiqit ka mundur të ndodhë shumë vite më parë dhe ekzekutimi i tij në këtë moment është më shumë diçka e kurdisur për momentin. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se arrestimi ka ndodhur me vonesë. "Është një proces i vonuar", ka thënë duke mos dashur të komentojë më shumë, pasi, sipas tij, rasti është në kompetencat e Tribunalit të Hagës. "Ne e mbështesim çdo burgosje dhe arrestim të njerëzve që kanë bërë krime kundër njerëzimit", ka thënë ai. Pararendësi i Krasniqit në këtë post, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, ka thënë se nuk duhet ngurruar me komente pozitive për këtë arrestim.
“Unë besoj se nëse reagojmë emocionalisht, është një hap shumë i vonuar për dhjetëra mijë të vrarë në Srebrenicë, për 200 mijë të zhdukur e të vrarë e të masakruar në Bosnjë dhe për krejt ato që i ndodhën Kosovës dhe shqiptareve të Kosovës", është shprehur Daci, duke shtuar se edhe në këtë rast vlen rregulli se "drejtësia vonon, por megjithatë në fund triumfon"...

EXPRESS
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 15 shtator do të fillojë procesin e brendshëm zgjedhor, me synimin që në zgjedhjet e ardhshme të qeverisë me vendin. Kryesia dhe Këshilli Drejtues i AAK-së janë takuar të martën dhe kanë konfirmuar siç thonë, dinamikën e procesit zgjedhor në parti. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se deri më 1 shtator do të përgatiten dokumentet, të cilat grupet punuese do t’i kenë, në mënyrë që të fillojë procesi zgjedhor në AAK. "Procesi zgjedhor, duke filluar nga terreni, nëndegët, degët deri në nivelin qendror, do të fillojë më 15 shtator, kur tërë Kryesia e AAK-së së bashku me efektivat e saj në terren, do të angazhohet në ngritjen e vlerave gjatë procesit zgjedhor", ka thënë Isufi, pas mbledhjes së Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të AAK-së. Përveç synimeve për të qeverisur me vendin, në AAK vërehet entuziazmi i tyre për, siç thonë, angazhimin e kuadrove të reja për t'u bërë pjesë e AAK-së...

BOTA SOT
Vizita e liderëve më të lartë të Kosovës në SHBA dhe takimi me presidentin amerikan George Bush, të martën nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe partitë opozitare është vlerësuar mjaft e rëndësishme, ku, sipas tyre, është konfirmuar vendosmëria e Uashingtonit për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ruajtja e tërësisë territoriale. Këtë vlerësim kryekuvendari Krasniqi e bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, i cili e vlerësoi lartë vizitën e krerëve të institucioneve të Kosovës në SHBA, e veçmas takimin e tyre me presidentin amerikan. Krasniqi tha se Bush e konfirmoi fuqishëm vendosmërinë e SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të saj...
Edhe anëtari i kryesisë nga AAK-ja, Namim Maloku, tha se takimi me presidentin amerikan Bush është mjaft inkurajues jo vetëm për Kosovën dhe popullin shqiptar, por edhe për shtetet, të cilat hamenden për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe në të cilat ka ndikim SHBA. Ai potencoi se autoritetet e Prishtinës nuk kanë bërë asgjë për lobim për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në fushën ndërkombëtare...

LAJM
Në bazë të raportit të Ombudspersonit, që përfshin periudhën 1 korrik 2007 - 30 qershor 2008, shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut janë ministritë dhe gjykatat. Në bazë të raportit njëvjeçar, të publikuar të hënën, për ministritë n zyrat e Ombudspersonit kanë shkuar 163 ankesa për shkelje, ndërkaq në gjykata 162. Por, zyrtarët e këtyre sektorëve nuk pranojnë se janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut, megjithëse ata të gjykatave e pranojnë se ka shkelje të të drejtave të njeriut kur bëhet fjalë për zvarritjen e lëndëve. Përderisa zyrtarë të gjykatave "shkeljet" i arsyetojnë me mungesën e gjyqtarëve, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk pajtohen me raportin e Ombudspersonit. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, tha se në raport është dashur që të ceket se në cilat ministri janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut. "Është dashur të përmendet me emër se cila ministri konkretisht i ka bërë ato shkelje, e jo të përfshihet e tërë Qeveria"... Kryetari i Asociacionit të Gjyqtarëve të Kosovës, Ymer Huruglica, në njëfarë mënyre pajtohet me raportin e Ombudspersonit. "Kjo bëhet jo se ne nuk punojmë, por se kemi një numër të vogël të gjykatësve dhe moszgjidhja e rasteve me vite është shkelje e të drejtave të njeriut", tha Hurugiica...

ZËRI
Pas 13 vjetëve të tërë në arrati, loja për Radovan Karaxhiqin mori fund: ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, i kërkuar nën akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, më në fund u arrestua në Serbi. Për shumë njerëz anembanë botës, Karaxhiqi konsiderohet si përgjegjësi kryesor për masakrat më të mëdha në Evropë, të kryera që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Pas viteve të tëra të lojës së maces dhe miut me bashkësinë ndërkombëtare, ky 63 vjeçar më në fund do të përgjigjet për krimet e kryera para Tribunalit Ndërkombëtar të OKB-së në Hagë, për krimet e luftës të kryera në territoret e ish-Jugosllavisë. Emi i Karaxhiqit ndërlidhet me rrethimin 43-mujor të Sarajevës, i cili zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995. gjatë këtij rrethimi janë vrarë mbi 10 mijë civilë, në mesin e tyre edhe 2500 fëmijë. Krahas kësaj, ai konsiderohet përgjegjës edhe për masakrën e Srebrenicës, ku forcat serbe vranë 8 mijë meshkuj boshnjakë, në korrik të viti 1995...

INFOPRESS
Analistët: Duket që presidenti Bush i dha një mbështetje të fortë edhe lidershipit të Kosovës, gjë që është mirënjohje për punën e tyre në menaxhimin e periudhës shumë delikate, të cilën e kaloi Kosova. Sipas analistit Haqif Mulliqi, pas pavarësimit të Kosovës, kjo vizitë është një moment shumë i rëndësishëm, që përpos emocionit që shkakton te qytetarët e Kosovës, në fakt sinjalizon dritën jeshile të ecjes përpara të Kosovës. Ai thotë se nuk duhet harruar që përveç popullit të Kosovës dhe lidershipit të saj, pro-motor i shtet-bërjes së Kosovës dhe ecjes përpara ishte shteti mik amerikan. Sipas Mulliqit, pritja që iu është bërë dy udhëheqësve të institucioneve më të larta të Kosovës, kryeministrit Thaçi dhe presidentit Sejdiu, e tejkalon çfarëdolloj skepticizmi dhe çfarëdolloj parashikimi që mund të kemi. "Mesazhet e presidentit Bush dhe të pjesës tjetër relevante të administratës amerikane ishin të qarta dhe objektivisht kjo është mbështetja më e madhe që një superfuqi mund t'i bëjë një vendi të vogël dhe një populli të vogël...", ka thënë Mulliqi për "Infopress"...

EPOKA E RE
Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka përsëritur të martën qëndrimin e udhëheqjes së Malit të Zi mbi problemin e njohjes së Kosovës dhe ka theksuar se kjo do të varet nga interesi malazias. "Çfarëdo të jetë qëndrimi ynë përfundimtar, do të vendosin organet tona shtetërore, kur për këtë të vijë koha. A do të jetë kjo në gusht, shtator, tetor apo në ndonjë muaj tjetër, do të varet nga interesat tona", u ka thënë Gjukanoviq gazetarëve në Podgoricë. Ai ka thekuar se nuk ka presion nga ShBA-ja që Mali i Zi ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ka shtuar se nëse do të ketë, nuk do të lejojë që ta përcaktojnë politikën shtetërore të Malit të Zi. Disa media malaziase kanë njoftuar se Mali i Zi do ta pranojë pavarësinë e Kosovës në pjesën e parë të gushtit...

XS
SM
MD
LG