Ndërlidhjet

Dobbins: Serbia e Rusia s’mund të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO e BE


James Dobbins

James Dobbins

"Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e vendeve evropiane do të dëshironin t'i shihnin Kosovën e Serbinë si anëtare të BE-së dhe NATO-s", thotë James Dobbins, ish-emisar i SHBA-ve për Ballkanin.


RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët e lartë të Kosovës e kanë përshkruar si historike vizitën në Shtetet e Bashkuara. Si e vlerësoni ju këtë vizitë dhe çka do të thotë kjo për Kosovën dhe për Ballkanin?

JAMES DOBBINS
Mendoj se Kosova gradualisht po i normalizon marrëdhëniet e saj me vendet që e njohën atë dhe kjo është pjesë e këtij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri tash, 43 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. A mendoni se ky është një numër solid apo Kosovës i duhen më tepër njohje?

JAMES DOBBINS
Mendoj se janë të përfshira vendet që janë të rëndësishme për Kosovën, duke filluar prej lidhjeve ekonomike e politike. Megjithatë, konsideroj se përfaqësuesit e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë me vendet tjera që ende nuk kanë vendosur ose ende nuk kanë lëvizur drejt njohjes.

Pra, ata duhet të përpiqen që ta shtojnë numrin në mënyrë domethënëse mbi atë që u përmend. Në fund të fundit, sot në botë janë afro 200 shtete, prandaj numri ende duhet të lëvizë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, nga këndvështrimi juaj, çka duhet të bëhet në këtë drejtim?

JAMES DOBBINS
Mendoj se, para së gjithash, kërkohet punë e mundimshme diplomatike. Duhet bërë vizita, me ç'rast duhet bërë të njohur rastin e Kosovës.

Po ashtu, me gjasë, kërkohet edhe një sasi e publicitetit dhe duke ftuar disa njerëz që ta vizitojnë Kosovën. Pra, një punë normale e diplomacisë me një numër të gjerë të vendeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara po vazhdon planin e tij për rikonfigurimin e misionit të OKB-së në Kosovë, për të krijuar kushte për Misionin e BE-së për ta marrë përgjegjësinë në fushat kryesore. Por, Serbia dhe Rusia e kundërshtojnë vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Në këtë aspekt, si i shihni ju zhvillimet e ardhshme?

JAMES DOBBINS
Mendoj se Rusia dhe Serbia, me gjasë, do të vazhdojnë të rezistojnë dhe ta vështirësojnë punën për Qeverinë e Kosovës, për Kombet e Bashkuara dhe për Bashkimin Evropian.

Por, nuk mendoj se ato janë në pozitë që fundamentalisht ta bllokojnë misionin e Bashkimit Evropian. Ato do të krijojnë komplikime dhe, padyshim, do ta bëjnë edhe më të vështirë punën, por mendoj se nuk mund ta bëjnë të pamundshme vendosjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, a mendoni se muajt e ardhshëm do të shohim vendosjen e misionit të BE-s në Kosovë në tërësi?

JAMES DOBBINS
Nuk jam i sigurt se çfarë afatesh do të ketë, por mendoj se në fund të fundit, Bashkimi Evropian do të vendoset dhe ende do të ketë një mbetje të pranisë së Kombeve të Bashkuara, për aq kohë sa rezoluta e Këshillit të Sigurimit do të jetë në fuqi si kornizë juridike për praninë ndërkombëtare atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a është e mundshme që të ndryshohet kjo rezolutë?

JAMES DOBBINS
Jo, pa pajtimin e Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Uashingtoni thotë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën dhe Serbinë në aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Nga ana tjetër, autoritetet e Serbisë e kanë arrestuar të akuzuarin kryesor për krime të luftës, Radovan Karaxhiq. Pra, si e shihni ju perspektivën e të dy vendeve drejt integrimeve euroatlantike?

JAMES DOBBINS
Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e vendeve evropiane do të dëshironin t'i shihnin të dyja vendet si anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Mendoj se arrestimi i Karaxhiqit, padyshim, paraqet hap përpara sa i përket Serbisë.

Por, as Serbia e as Rusia nuk kanë ndonjë mundësi për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. Mendoj se kjo do të varet, në masë të madhe, nga aftësitë e Kosovës për t'i plotësuar kriteret për anëtarësim. Kjo do të kërkojë shumë punë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shqetësime se një pjesë e serbëve të Kosovës po bëjnë presion drejt ndarjes. A është ky kërcënim real dhe nëse po, çfarë do të jetë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare?

JAMES DOBBINS
Nuk mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të lejojë "de jure" ndarjen e Kosovës. Kjo do të thotë se nuk do ta njohë ndarjen. Në një shkallë kjo ndarje tashmë ekziston. Nuk mendoj se bashkësia ndërkombëtare do ta përdorë forcën për kapërcimin e pengesave ndaj lëvizjes së lirë. Por, nuk mendoj se do t'i lejojnë ata që ta legjitimojnë ndarjen.

Mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të përdorë masa ekonomike dhe politike, me qëllim që gradualisht ta dobësojë këtë ndarje dhe ta riunifikojë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e re e Serbisë është përshkruar si pro-perëndimore. Sipas jush, a ka mundësi që të ndodhë ndonjë ndryshim ndaj politikës karshi Kosovës së pavarur?

JAMES DOBBINS
Me gjasë jo shpejt. Mendoj se qeveria do të vazhdojë të rezistojë që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë të krijojë vështirësi për Kosovën. Por, është e qartë se fokusi prioritar i saj do të jetë në lëvizjen drejt marrëdhënieve më të afërta me Perëndimin.
  • 16x9 Image

    Fatmir Bujupi

    Fatmir Bujupi, karrierën e gazetarit e filloi në moshën 23 vjeçare në Radio Prishtinë, në vitin 1976, ku punoi për më tepër se 10 vite.  Ka të kryer Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë në Prishtinë. Prej muajit prill të vitit 2000 punon në programin për Kosovën në Radion Evropa e Lirë në Pragë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG