Ndërlidhjet

27 mijë punëtorë presin 20 përqindëshin


Mbi 27 mijë punëtorë që kanë punuar në ndërmarrjet shoqërore në vitet e 90-ta, e që tashmë janë privatizuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, janë në pritje të 20 përqindëshit nga ndërmarrjet e shitura.

Sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve u takon punëtorëve.

Ky proces deri në muajin qershor është mbikëqyrur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, por, pas hyrjes në fuqi të Kushtetues se Republikës së Kosovës, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, por edhe shpërndarja e 20 përqindëshit do të mbikëqyret nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Bahri Shabani, anëtar i Bordit të kësaj agjencie, thotë se në muajin shtator pritet që të rifillojë procesi i shpërndarjes se 20 përqindëshit.

“Kah mesi i muajit gusht duhet të fillojë konsolidimi i saj, tani në kushte dhe rrethana të reja, dhe unë shpresoj se prej 1 shtatorit mund të fillojë shpërndarja e disa mjeteve për listat që janë të gatshme tani dhe mendoj se është një numër mjaft i madh i tyre“, tha Shabani.

Ndryshe, që nga viti 2003, kur edhe ka filluar procesi i privatizimit, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka arritur të privatizojë mbi 360 ndërmarrje, ndërkaq deri më tani agjencia ka shpërndarë vetëm 15 milionë euro nga 745 milionë euro sa u takojnë punëtorëve.

Por, se si pritet të kalojë ky proces në të ardhmen, Bahri Shabani thotë:

“Punëtorët do të presin përmirësim. Unë mund t’u premtoj se ky proces do të jetë i përshpejtuar për 50 për qind të punës që është bërë më herët”.

Zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës shprehen skeptikë në mundësinë e përshpejtimit të këtij procesi nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Hasan Abazi, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave, thotë se agjencia e re duhet të ndryshojë rregulloren e AKM-së, mënyrë kjo që, sipas tij, mundëson përshpejtimin e shpërndarjes së 20 përqindëshit.

“Ne kemi propozuar edhe përshpejtimin e 20 përqindëshit, por, për fat të keq, është bllokuar prej individëve të atëhershëm. Tash mendojmë se në këtë rregullore ose në Ligjin për Privatizim duhet të mendohet se si të mbrohen punëtorët, sepse janë qytetarë të Kosovës, duhet të mbrohen me një fond, sepse 20 përqindëshi është shumë e vogël, e cila nuk mbulon as për një muaj punëtorët“, tha Abazi.

Por, Bahari Shabani është i bindur se procesi i shpërndarjes së 20 përqindëshit do të përshpejtohet dukshëm.

“Punët që është dashur t’i bëjë AKM- ja më herët, sepse ka të drejtë të bëjë aprovimin e listave të punëtorëve, nuk i ka bërë si duhet. Në këtë rast, ne mendojmë se mund ta përshpejtojmë dhe ndoshta punën që është bërë për katër vjet, ne mund të përfundojmë për një vjet”,
tha Shabani.

Ndryshe, zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se nëse edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit vazhdon të zvarrisë këtë proces, nuk përjashtohet mundësia e shprehjes së pakënaqësive të punëtorëve në forma të ndryshme.
XS
SM
MD
LG