Ndërlidhjet

Pse Karaxhiqi traumatizoi Bosnjën...

  • RFE /RL

Pamje nga varrimi i viktimave të Srebrenicës në 10 vjetorin e masakrës

Pamje nga varrimi i viktimave të Srebrenicës në 10 vjetorin e masakrës

Karaxhiqi donte ndarje etnike, e donte Republikën Serbe jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Karaxhiqi urrente tek Sarajeva myslimanët, kroatët dhe serbët që jetonin së bashku. Rrethimi i Sarajevës ishte luftë kundër shoqërive shumetnike, kujtojnë dëshmitarët e kohës.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi i Sarajevës janë ndër krimet që nuk mund të harrohen. E para është masakra më e madhe në Evropë që pas LDB-së, ndërsa rrethimi katërvjeçar i Sarajevës është rrethimi më i gjatë në historinë moderne ushtarake.

Sarajeva, nga prilli i vitit 1992 deri në shkurtin e 1996-ës, është mbajtur e rrethuar dhe e terrorizuar nga ushtarët serbë të Bosnjës nën komandën e Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit.

Gordana Knezheviq, nga Radio Evropa e Lirë, e cila në kohën e rrethimit ka punuar si gazetare në Sarajevë, kujton se si jeta u shndërrua në një makth pa fund.

"Ju jetonit ditë pas dite, e shkuara ishte fshirë nga kujtesa, e ardhmja nuk ekzistonte, thjesht ishe i gozhduar në të tashmen. Kjo do të thotë përpjekje për të gjetur ujë, apo pak gramë më shumë sheqer, apo ushqim për fëmijët. Ishim shndërruar në dikë që luftonte për gjërat bazë dhe në fund të çdo dite habiteshim me veten që ia dolëm edhe për një ditë."

Por, pse kjo urrejtje ndaj Sarajevës dhe banorëve të saj?

"Ajo çfarë ata, Karaxhiqi e Mlladiqi, urrenin tek Sarajeva, ishin myslimanët, kroatët dhe serbët që jetonin së bashku. Kur vjen puna tek Sarajeva, ishte një luftë kundër shoqërive shumetnike", thotë Knezheviq.

Të njëjtin mendim ndan dhe David Owen, ish-ministër i Jashtëm britanik dhe ndërmjetësues në Bosnje.

"Një herë Karaxhiqi tha se 'i kam thënë Owen-it të mos përziejë bashkë qentë dhe macet'. Serbët nuk mund të jetojnë bashkë me myslimanët dhe kroatët. Ai donte ndarje etnike, e donte Republikën Serbe jashtë Bosnjë-Hercegovinës", kujton Owen për REL.

Pas arrestimit të Karaxhiqit, ndërmjetësuesi tjetër ndërkombëtar, norvegjezi Shtoltenberg flet për Radion Evropa e Lirë mbi karakterin e atij që është quajtur Osama bin Ladeni i Evropës.

"Karaxhiqi ishte një person jashtëzakonisht nervoz. Më kujtohet që kafshonte thonjtë pa pushim dhe ishte shumë e vështirë të ndërmjetësoje me të. Kjo jo se ai ishte negociator i mirë, përkundrazi, ai kalonte nga një çështje në një tjetër dhe ishte e vështirë të dije se cili ishte mendimi i tij. Mund të bëje një marrëveshje të hënën dhe të martën ai vinte me tjetër qëndrim."

Arrestimi i Karaxhiqit është mirëpritur nga Perëndimi, të cilët kanë theksuar se Beogradi duhet t'i përmbushë dhe detyrimet e tjera ndaj Hagës që lidhen me arrestimin e Ratko Mlladiqit.

"Mlladiqi është hartuesi i Srebrenicës dhe të gjitha këto çështje nuk do të zgjidhen nëse Mlladiqi vazhdon të mbrohet nga ushtria serbe", thotë Owen.

Në kohën që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara përshëndetën arrestimin e Karaxhiqit dhe kërkuan dërgimin e tij të menjëhershëm në Hagë, Rusia bëri thirrje për mbylljen e Gjykatës së Hagës.

Artiem Ulunjan, nga Qendra për Ballkanin në Akademinë Ruse të Shkencave, qëndrimin e Moskës e shpjegon me drojën e Rusisë.

"Rusia nuk do që të jetë e mundur për ish-zyrtarët e lartë që të gjykohen nga gjykata që nuk janë nën kontrollin e Rusisë. Moska e sheh një gjë të tillë si të rrezikshme", thotë Ulunjan.

Lidhur me rolin rus në Ballkan, ai shton:

"Kjo është një çështje nderi për Rusinë. Rusia nuk mund ta bëjë situatën në favor të saj në Ballkan, nuk mund të jetë ndërmjetësues dhe kjo duhet thënë hapur. Rusia nuk mund të propozojë asnjë zgjidhje serioze. Nuk duhet të harrojmë se për Ballkanin shkuarja drejt BE-së është gjithnjë e më e rëndësishme".

XS
SM
MD
LG