Ndërlidhjet

“UNMIK-u s’mund të negociojë në emër të Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, ka biseduar dje në Beograd me ministrin serb të Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, dhe me ministrin tjetër "për Kosovën", Goran Bogdanoviq. Në një njoftim të lëshuar nga Ministria serbe e Punëve të Jashtme thuhet se Jeremiq dhe Bogdanoviq i kanë thënë shefit të UNMIK-ut se rikonfigurimi i pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë nuk mund të bëhet pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Por, në Prishtinë, zyrtarë të administratës ndërkombëtare janë shprehur se rikonfigurimi i UNMIK-ut nuk ka qenë temë e bisedimeve. "Zoti Zanier nuk është atje për të folur për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Rikonfigurimi është përshkruar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të 12 qershorit. Ai ka shkuar atje për një takim njohës për të takuar zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë. Ai me padurim pret te lëvizë përpara dialogun për çështje teknike", është shprehur dje zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, në kohën kur diplomati italian i ardhur para një muaji në krye të UNMIK-ut po bisedonte me ministra serbë. Njoftimi i MPJ të Serbisë thotë se vizita e Zanierit në Beograd është pjesë e një marrëveshjeje ndërmjet Jeremiqit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, të cilët u takuan para tri ditëve...

KOHA DITORE
Të inkurajuar nga mbështetja që kanë marrë në Uashington, kryetari Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, me t'u kthyer në Prishtinë, kanë vlerësuar se shefi i UNMIK-ut nuk mund të negociojë me askënd në emër të institucioneve të Kosovës. Duke komentuar bisedimet që Lamberto Zannier i ka zhvilluar të mërkurën në Beograd me ministrin e Jashtëm serb dhe atë për Kosovën, dy krerët kosovarë kanë theksuar se "legjitimitetin e plotë" për negociata e kanë institucionet kosovare. "Është e qartë se UNMIK-u është faktor ndihmëtar", ka thënë Sejdiu, duke shtuar se edhe EULEX-i do ta ketë një rol të njëjtë kur të vendoset ne Kosovë. Edhe kryeministri Thaçi ka potencuar se "Zannier është në rolin mbështetës e jo në rolin negociator". Ai ka shtuar se Kosova është e interesuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Serbinë, siç ka bërë tanimë me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, dhe në këtë aspekt "institucionet e Kosovës e kanë legjitimitetin e plotë". Pritja që u është bërë dy krerëve kosovarë në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga vizita e cilësuar si historike në SHBA, ka qenë po ashtu më e posaçme. Qilimi i kuq, nderimet nga Garda Ceremoniale e TMK-së, buqetat me lule dhe përshëndetjet nga kabineti i ministrave, kryetari i Kuvendit dhe shumë zyrtare të tjerë kanë qenë disa nga elementet që kanë karakterizuar kthimin e presidentit Sejdiu dhe të kryeministrit Thaçi...

KOSOVA SOT
Pas incidentit në mes të zëvendësministrit Naser Osmani dhe ministrit Fatmir Limaj, kur kryeministri Thaçi mori vendim për shkarkimin e të parit, z. Osmani, Kryesisë së LDK-së i mbetet barrë caktimi i emrave për dy zëvendësministra të rinj, zëvendësministrin e Tregtisë dhe të Industrisë në vend të Osmanit dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes. Kjo ministri duhet të themelohet së shpejti, nëse mbahen premtimet e Qeverisë së Kosovës dhe nuk ka përplasje të reja në mes të partnerëve të koalicionit. "Ne në këtë rast i kemi dy vende vakante të zëvendësministrave dhe unë mendoj që kryesia së shpejti do ta marrë vendimin dhe do t'i plotësojë këto vende", tha nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati. Duke mos dashur të paragjykojë se kur do të ndodhë një vendim, i cili do të komunikohet edhe për media, Ferati tha se së bashku me partnerin në koalicion është duke u punuar që të gjendet zgjidhja adekuate dhe sa me e shpejtë. Megjithatë, ai la të kuptohet se LDK-ja ende nuk e konsideron krejt të përfunduar rastin me Naser Osmanin. "Ne jemi duke punuar së bashku me partnerin që ta marrim përgjigjen e parë që nuk e kemi marrë ende dhe pastaj do të procedohet normalisht", nënvizoi nënkryetari Ferati...

EPOKA E RE
Pas deklaratës së presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush, se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe thirrjes së ndihmëssekretarit amerikan për çështje evropiane, Daniel Fried, që të rikthehet kontrolli në veri, ka reaguar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar që sa më shpejt të kthehet kontrolli i institucioneve shtetërore edhe në pjesën veriore. "Jemi duke u angazhuar që autoriteti i institucioneve të Kosovës të shtrihet edhe në veri, në përputhje me Kushtetutën e vendit", është shprehur për "Epokën e re", Kuçi. Analisti politik, Behlul Beqaj, ka thënë se kontrolli në veri do të duhej të rikthehej edhe sipas Rezolutës, edhe sipas Planit të Ahtisarit, veçmas sipas Kushtetutës së Kosovës. "Problemi qëndron në faktin se rreth kësaj pjese si duket ka marrëveshje të fshehura të faktorëve të caktuar ndërkombëtarë, të toleruar nga faktorët vendorë, e që pas deklaratës së fundit të presidentit Bush dhe diplomatit Fried, duhet t'i kalojnë të kaluarës", është shprehur Beqaj...

LAJM
Menjëherë pas kthimit në Prishtinë nga vizita zyrtare në Uashington, kryeministri Hashim Thaçi tha se pritet shumë shpejt njohja e shtetit të Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi. "Me autoritetet e Shkupit dhe Malit të Zi kemi ndërtuar raporte shumë të mira dhe së shpejti presim njohjen e shtetit të Kosovës nga këto dy vende". Thaçi përmendi edhe raportet e mira me Shqipërinë dhe shprehu gatishmërinë që në të ardhmen raporte të mira të ndërtohen edhe me shtetin fqinj, Serbinë. Sa i përket ndikimit të SHBA në njohjet e reja të Kosovës, presidenti Sejdiu tha se pret që të rritet numri i shteteve që do ta njohin Kosovën. Sipas tij, ekziston gatishmëri e shumë shteteve për ta njohur Kosovën, porse ekzistojnë elemente të llojllojshme që mund të ndikojnë në vonesën e disave prej tyre. "Është shumë me rëndësi që Kosova ka njohje mjaft të qëndrueshme". Pas 158 ditë shtetësie, Kosovën e kanë njohur 43 shtete...

INFOPRESS
UNMIK-u mohon të ketë informacione se i dyshuari dhe i shumë kërkuari për krime luftë në Bosnjë, Radovan Karaxhiq, me emrin e rrejshëm Dragan Dabiq, dhe bashkëpunëtori i tij gjithashtu i kërkuar nga Gjykata e Hagës, Ratko Mladiq, të kenë qëndruar në Kosovë. “Policia e UNMIKU-ut dhe ajo e Kosovës janë duke funksionuar në veri dhe nuk kemi informacione të tilla”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie. Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, ka thënë se deri tani nuk ka ndonjë informatë për qëndrimin e këtyre personave në Kosovë. Sidoqoftë, përgjigjja e zyrtarëve të UNMIK-ut për garantimin që Karaxhiqi dhe Mladiqi nuk kanë hyrë në Kosovë, ka qenë mohuese. Zëdhënësi Geekie është përgjigjur shkurt “jo” në pyetjen se a munden përfaqësuesit e UNMIK_ut, KFOR-i dhe Policia e Kosovës, të garantojnë se Karaxhiqi dhe Mladiqi nuk kanë hyrë kurrë në Kosovë...

BOTA SOT
Gjykatësit e Tribunalit të Hagës do të tentojnë të zbatojnë gjykim të shpejtë për Radovan Karaxhiqin dhe t’i evitojnë proceset e ngadalshme nga e kaluara, bën të ditur të mërkurën agjencia Reuters. Burimi i njëjtë i transmeton vlerësimet e ekspertëve se kryeprokurori Sezh Bramerc dhe ekipi i tij i avokatëve do të përpiqen të evitojnë gjykimin maratonik siç ishte ai i diktatorit të ndjerë Sllobodan Millosheviq. Procesi gjyqësore kundër Millosheviqit përfundoi para kohe, për shkak të vdekjes së tij në paraburgim. Sipas analistëve, syra e kryeprokurorit do të duhej të zbatojë gjykim të shpejtë dhe efikas, duke marrë parasysh faktin se Tribunali përballet me afatin përfundimtar për mbarimin e të gjitha gjykimeve deri në vitin 2010, kur i skadon mandati...

EXPRESS
Në seancën e rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të mbahet të premten, ku shefi i UNMIK_ut, Lamberto Zannier, do të paraqesë raportin politik të Ban Ki-moon për misionin e UNMIK-ut, për herë të parë do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, pas qëndrimit në Uashington, ku së bashku me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi mori pjesë në takime me presidentin amerikan, George Bush, dhe sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, ministri Hyseni ka udhëtuar në Nju Jork. “Ministri pritet të marrë pesë në seancën e KS në OKB, më 25 korrik 2008”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në selinë e OKB-së, ministri Hyseni bëhet e ditur se do të zhvillojë një varg takimesh me përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës, veçanërisht me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën...
XS
SM
MD
LG