Ndërlidhjet

NYT: Arrestoni Mlladiqin, pranoni pavarësinë e Kosovës


Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq, gusht 1993.

Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq, gusht 1993.

"New York Times" shfaq shpresën që Serbia të arrestojë edhe Mlladiqin për të konkluduar se Beogradi gjithashtu duhet të pajtohet me pavarësinë e Kosovës.


Shtypi botëror vazhdon të mbetet i fokusuar te arrestimi i Radovan Karaxhiqit, të akuzuarit të Tribunalit të Hagës.

‘New York Times’ në një kryeartikull përshëndet lajmin për arrestimin e Karaxhiqit, që, sipas kësaj gazete, ka orkestruar disa nga llahtaritë më të mëdha të luftës në Bosnjë.

"Me gjithë shpjegimet se Karaxhiqi deri tash kishte shmangur arrestimin në saje të identitetit të rrejshëm", ‘New York Times’ pohon se "shkaqet e vërteta të arrestimit duhet kërkuar te vendimi i presidentit Boris Tadiq dhe qeverisë së tij pro-perëndimore për t’i përmirësuar gjasat e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian".

‘New York Times’ vë në pah se arrestimi i Karaxhiqit shërben si sinjal liderëve tjerë që nxisin gjenocid me besimin se mund t'i ikin drejtësisë.

"New York Times" shfaq shpresën që Serbia të arrestojë edhe Mlladiqin për të konkluduar se Beogradi gjithashtu duhet të pajtohet me pavarësinë e Kosovës.

"Rrethimi i gjatë i Sarajevës dhe masakra në Srebrenicës nuk bën të harrohen kurrë, por është në interesin e të gjithëve që Serbia t'i japë fund izolimit të vetëimponuar", konkludon 'New York Times'.

Ndërkaq, gazeta britanike "Times" shkruan se fakti që rrugëve të Beogradit për të protestuar për arrestimin e Radovan Karaxhiqit kanë dalë vetëm disa dhjetëra nacionalistë, flet për ndryshimet politike që janë bërë në Serbi.

'Times' pohon se për arrestimin e Karaxhiqit vendimtar ka qenë fakti që në qeverinë e re nuk ka hyrë Vojisllav Koshtunica, për të cilin dyshohej se mbronte të akuzuarin e Hagës.

Pjesëmarrjen e Partisë Socialiste të Serbisë në Qeverinë e re, ‘Times’ e sheh si dëshmi tjetër të transformimit politik të Serbisë.

Gazeta ruse ‘Nezavismaja Gazeta’ pohon se gjykimi i Karaxhiqit në Hagë do të jetë në favorin e nacionalistëve si në Serbi, ashtu edhe në Bosnjë.

Kjo gazetë ruse pohon se i akuzuari tjetër, Ratko Mlladiq, supozohet të ketë lidhje të ngushta me ushtrinë serbe dhe se arrestimi i tij do të jetë punë shumë e vështirë.

‘Nezavismaja Gazeta’ vë në pah deklarimet e disa liderëve evropianë, sipas të cilëve arrestimi i Karaxhiqit afron Serbinë te integrimet evropiane, por shton se "ata që naivisht u besojnë këtyre premtimeve, mund të zhgënjehen".

Gazetat e Bosnjës kanë sjellë hollësi të reja për jetën e Radovan Karaxhiqit gjatë 13 vjetëve të fundit.

Gazeta ‘Dnevni Avaz’, në shkrimet e veta, Karaxhiqin e cilëson "gjakatar", ndërsa pohon se pas arrestimit ka kërkuar vetëm ujë dhe anti-depresivë, ndonëse nuk është duke bërë grevë urie.

Vihet në pah se letërnjoftimi i Karaxhiqit me emrin e Dragan Dabiqit është i lëshuar në Rumë dhe është i marrë nga njeriu që kishte lindur në vitin 1954, ndërsa kishte vdekur gjatë luftës në Sarajevë në vitin 1993.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG