Ndërlidhjet

logo-print

"Kasapi i Bosnjës" e donte verën e kuqe

  • Jeremy Bransten

Radovan Karaxhiq nën identitet të rrejshëm

Radovan Karaxhiq nën identitet të rrejshëm

Tani që lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është arrestuar, çështje e madhe e hapur mbetet vend-ndodhja e Ratko Mlladiqit, ish-komandant i ushtrisë së serbëve të Bosnjës. Me gjithë pritjet, askush nuk mund të thotë se kur do të arrestohet ai?!


Më në fund doli se i shumëkërkuari i Tribunalit të Hagës, Radovan Karaxhiq, nuk fshihej as në shpellat malore të Malit të Zi, e as në manastiret ku mund të arrihet vetëm me kuaj.

Duke e quajtur veten Dr. Dragan Dabiq, me mjekër karakteristike për filozofët, ai jepte leksione për medicinën alternative dhe frekuentonte lokale nëpër Beograd.

"Kasapit të Bosnjës" i pëlqente të ulej në tavolinën poshtë portretit të tij dhe të Mlladiqit dhe të pinte verë të kuqe.

Vështirë besohet se të paktën disa njerëz nuk i kanë ditur të fshehtat e tij, përfshirë pjesëtarë të shërbimit sekret serb.

Dejan Anastasijeviq, gazetar hulumtues për të përjavshmen "Vreme" të Beogradit, tha se Karaxhiqi nuk mund të fshihej pa pasur një rrjet njerëzish që e mbronin.

"Definitivisht, Karaxhiqi kishte ndihmë profesionale në ndërtimin e identitetit të rrejshëm dhe sigurimin e dokumenteve. Po ashtu, ai kishte të ushtruar mënyrën e sjelljes dhe këto gjëra mund të bëhen vetëm nga profesionistët", tha Anastasijeviq.
Ratko Mlladiq, nëntor 1995.

Çështja shtrohet: në rast se Karaxhiqi u tradhtua nga njerëzit e tij, a mund të jetë në radhë Mlladiqi?


Para disa kohësh, aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, pati thënë se "shërbimet serbe kanë të dhëna të sakta për vendin ku ndodhet Mlladiqi" dhe mund ta kapin atë në çdo kohë. Kjo varet vetëm nga vullneti politik.

Kandiq kishte zbuluar pamjet e vrasjeve nga afërsia të gjashtë myslimanëve në Srebrenicë, masakra më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Karaxhiqi dhe Mlladiqi akuzohen si arkitektët kryesorë të saj.

Anastasijeviq tha se ekziston mundësia që edhe Mlladiqi fshihet ashtu si Karaxhiqi nëpër "turmat e zhurmshme të Beogradit".

Për Mlladiqin gjithnjë ka ekzistuar mendimi se si ish-lider ushtarak, ai është më mirë i mbrojtur. Por, pas reformave në ushtrinë serbe, kjo duket se nuk qëndron më.

"Ata kanë ndërmarrë shumë reforma, strukturore dhe në personel. Në rast se Mlladiqi p.sh. do të hynte sot në Shtabin e Përgjithshëm, nuk do të gjente asnjë mik atje",
tha gazetari i revistës "Vreme".

Autoritetet në Beograd gjithnjë e kanë mohuar se të kërkuarit e Hagës janë mbuluar nga elemente të shërbimeve të sigurisë.

Dushan Ignjatoviq është drejtor i zyrës qeveritare serbe për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe ai tha se beson që çështja e Mlladiqit të zgjidhet javët apo muajt e ardhshëm.

"Ai duhet të arrestohet. Të gjitha rrëfimet rreth negociatave me Mlladiqin janë të pavërteta dhe qeveria nuk qëndron pas fshehjes së të kërkuarve të Hagës", tha Ignjatoviq.

Pas arrestimit të Karaxhiqit është vlerësuar gjerësisht se në Serbi tani ekziston vullneti politik për të mbyllur këtë kapitull të zymtë të historisë.

Gazetarët atje po ashtu vlerësojnë se qeveria do t’i dorëzojë të akuzuarit e Hagës, sepse, siç thonë, "thjesht është e paarsyeshme që rruga e Serbisë drejt Evropës të bllokohet nga vetëm dy persona".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG