Ndërlidhjet

KS i OKB-së diskuton për Kosovën


Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork
Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork

Prishtina zyrtare pret që pas mbledhjes së nesërme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut të lëvizë me një dinamikë më të shpejtuar. Në takimin e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet gjendja në Kosovë, pritet të marrë pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Por, adresimi i tij eventual nuk është konfirmuar, meqë kjo varet nga presidenca e radhës, që këtë muaj i takon Vietnamit.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës presin që nga takimi i Këshillit të Sigurimit të merret edhe njëherë përkrahja nga shumica e vendeve anëtare për të çuar përpara procesin e rikonfigurimit.

Në takim do të prezantohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut, raport ky që është parë si përpjekje për të çuar përpara tranzicionin.

Ndryshe, në Nju Jork ka udhëtuar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, edhe pse ende nuk është marrë konfirmimi nëse ai do t’u adresohet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Këshilltari i tij, Kujtim Shala, shpjegon:

“Ministri Hyseni është pjesë e delegacionit, d.m.th. përfaqëson institucionet e Kosovës. Nëse do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit ose jo, kjo ende nuk dihet, meqë varet nga presidenca e radhës, nëse ka interesim që t’i ketë ose jo të gjithë të pranishmit në diskutim”, tha Shala.

Këtë muaj, presidenca e radhës i takon Vietnamit, vend ky që së bashku me Rusinë kanë kundërshtuar në mbledhjen e kaluar të KS-së rikonfigurimin e misionit të OKB-së. Ky proces është propozuar nga Ban Ki-moon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, në takim, i pranishëm do të jetë shefi i ri i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, përderisa pjesëmarrjen e ka paralajmëruar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, thotë se Zannier do të paraqesë raportin mbi gjendjen e fundit në Kosovë dhe do të nënvizojë nevojën e rikonfigurimit të misionit të OKB-së. Geekie pret që ditët në vijim të jenë vendimtare për këtë rikonfigurim.

“Siç e dini, para dy javësh, UNMIK-u ka dorëzuar një propozim në selinë e OKB-së dhe tani në Kosovë është një përfaqësues i lartë i OKB-së, i cili e ka diskutuar planin në detaje me zyrtarët e UNMIK-ut, kështu që në ditët në vijim presim veprime nga selia qendrore për të lëvizur përpara”, tha Rusell Geekie.

Ndërkohë, Kujtim Shala mendon se pavarësisht se çfarë do të jenë diskutimet në takim, procesi i rikonfigurimit, i nisur në Kosovë, nuk do ndërpritet , përderisa nuk i mohon vështirësitë në shtrirjen e misionit të sundimit të ligjit të BE-së në tërë territorin e Kosovës.

“Kjo varet direkt nga EULEX-i, se sa dhe kur do të jetë në gjendje që të shtrijë autoritetin e vet, aq sa i përcaktohet, pra në fushat që tashmë i janë përcaktuar - drejtësi dhe polici”, thotë Shala.

Planet për rikonfigurim të UNMIK-ut, Zannier ua ka paraqitur dje zyrtarëve serbë të Beogradit. Këta të fundit kanë përsëritur se çdo veprim në Kosovë duhet të ndodhë në kuadër të Rezolutës 1244.

Ndërkohë, përfundimin sa më të shpejtë të rikonfigurimit dhe bartjen e kompetencave te EULEX-i e ka kërkuar së fundi edhe vetë presidenti amerikan, George Bush, pas takimit që ka pasur me liderët kosovarë në Uashington.
XS
SM
MD
LG