Ndërlidhjet

Komisioni Evropian ndan 3.3 milionë euro për kthim


Rreth 130 familje të zhvendosura dhe refugjatë të Kosovës do të përfitojnë nga 3.3 milionë euro, të ndara si donacion nga zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovës, kanë bërë të ditur zyrtarë të këtij institucioni.

Fjolla Çeku, zyrtare për informim nga zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian, thotë se ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim si dhe Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

"Zyra ndërlidhëse e Komisionit ka lansuar projektin për kthimin dhe riintegrimin e personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Kosovë. Zyra ndërlidhëse e Komisionit do të ofrojë 3.3 milionë euro për këtë projekt, i cili do të realizohet nga UNDP-ja, të cilët gjithashtu do ta bashkëfinancojnë projektin me 400 mijë euro", tha zonja Çeku.

Zonja Çeku ka bërë të ditur se ky projekt ka për qëllim kthimin e qëndrueshëm të të zhvendosurve në vendin e tyre dhe, sipas saj, kjo është vazhdimësi e ndihmës së Bashkimit Evropian për të zhvendosurit në Kosovë.

"Rreth 130 familje të zhvendosura brenda Kosovës, apo refugjatë jashtë Kosovës, do të përfitojnë nga ky projekt dhe atë fillimisht në katër komuna, në Istog, në Fushë Kosovë, në Pejë dhe në Gjilan. Projekti ka si qëllim kryesor mundësimin e kthimit të qëndrueshëm të familjeve në vendet e tyre", tha zonja Çeku.

Nga ana tjetër, Dejan Sapasijeviq, udhëheqës i Departamentit për Kthim në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, pohon se për këtë projekt ministria do të kontribuojë me 1.1 milion euro.

"Një projekt i tillë ka pasur sukses të madh në Bosnje. Një përfitim të veçantë nga ky projekt do kenë edhe komunat në të cilat do të punohet për këtë projekt. Kanë filluar përgatitjet, është duke u punuar në komuna që të sigurohet baza e të dhënave të të zhvendosurve”.

“Gjithashtu, UNDP-ja do të ndihmojë në këtë projekt", tha Dejan Sapasijeviq, i cila ka shtuar më tej se në bazë të të dhënave nga komunat, banorët e komunave të Istogut, Fushë Kosovës, Pejës dhe Gjilanit kanë shprehur interesim më të madh për t’u kthyer në vendin e tyre.

Nga ana tjetër, edhe drejtori i UNDP-së, Maurice Dewolf, thotë se në këtë projekt, Programi për Zhvillimi i Kombeve të Bashkuara do të kontribuojë me 400 mijë euro.

"Kontributi i UNDP-së do të jetë 400 mijë euro. Gjithashtu, edhe Ministria për Komunitete dhe Kthim është e inkorporuar direkt dhe do të ndihmojë me 1.1 milion euro. Ne do të punojmë në bashkëpunim me komunat e përzgjedhura për ketë projekt, në mënyrë që kthimi i të zhvendosurve të ndodhë sa më parë
", tha zoti Dewolf.

Sipas Fjolla Çekut, në fund të realizimit të këtij projekti, faza përfundimtare parasheh që familjeve të kthyera t'u ofrohet mundësia e ngritjes së bizneseve të tyre, në mënyrë që ato familje të kenë mundësi të përfitojnë dhe të vetëmbahen.

Ky projekt do të ketë katër faza të implementimit. Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 21 muaj dhe implementimi do të fillojë në muajin gusht.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Ministrisë për Kthim, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë kthyer rreth 18 mijë e 300 persona.
XS
SM
MD
LG