Ndërlidhjet

“Serbia, e gatshme ta pranojë EULEX-in”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, për herë të parë ka treguar shenja lëshimi pe kur është fjala për vendosjen e Misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë. Jeremiq i ka thënë gazetës së njohur gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" në një intervistë, e cila është botuar po sot (e premte), se Qeveria serbe është e gatshme që të bisedojë për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, por për këtë duhet edhe një mandat i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në bisedën me korrespondentin e FAZ-it, Jeremiq më tej ka shtuar se "caku i tërë rajonit, i cili si pikën me shqetësuese e ka pikërisht Kosovën, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian", duke vazhduar më tej që "nuk ka kurrfarë dyshimi që BE-ja këtu do të luajë një rol parësor" në angazhimin e saj. Në të njëjtën kohë, Jeremiq ka pohuar qëndrimin e Beogradit që nuk do të njihet pavarësia e Kosovës, por është hera e parë që flitet për "gatishmërinë" e Qeverisë serbe të diskutohet për EULEX-in. Me tonet e shprehura në gazetën gjermane, ky zyrtar serb është i pari që ka dhënë sinjale më të qeta për Kosovën dhe sidomos për konfliktin Beograd - Bruksel - Uashington, por edhe Moskë kur është fjala për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe ndërlidhur me këtë edhe problematika e vendosjes së EULEX-it në territorin. e Kosovës...

EXPRESS
Zëvendëskryeparlamentari i së ashtuquajturës Asambleja e Serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, të enjten ka kritikuar deklaratat e ndihmëssekretarit të Departamentit te Shtetit, Daniel Fried, se Veriu i Kosovës është hapësirë pa ligj dhe se aty nevojitet prani më e madhe ndërkombëtare. “Mendoj se është një deklaratë skandaloze, qëllimi i së cilës është që Veriu i Kosovës të futet në Kosovën e pavarur", i është përgjigjur Jakshiq deklaratave të Friedit. Ai shtoi se komunitetit ndërkombëtar nuk i intereson kontrolli nga vetë ata, por nga shqiptarët e Prishtinës. Jakshiq theksoi se institucionet shtetërore serbe në Veri të Kosovës janë duke funksionuar "shumë më mirë se institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës, të krijuar nga Fried". Ndërkohë, ai shtoi se në komunitetin ndërkombëtar përfshihen edhe Rusia e Kina, të cilat kanë pikëpamje tërësisht të kundërta me ato të Daniel Friedit, sa i përket pavarësisë së Kosovës...

LAJM
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit në Uashington morën mbështetje të fuqishme për sovranitetin e Kosovës nga presidenti i SHBA-ve, George Bush. Edhe pse zyrtarë qeveritarë thonë se kanë plan strategjik për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, opozitarët akuzojnë se Qeveria është treguar e ngathtë kur bëhet fjalë për këtë çështje. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe mbrohet edhe me Kushtetutë. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, Qeveria ka plane për zhvillime strategjike për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Kosovës. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës është akti më i lartë që e mbron territorin e saj. Ai tha se është e sigurt se Qeveria është e pakompromis kur është fjala për vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës. "Ne jemi në biseda me bashkësinë serbe, po ashtu edhe me bashkësinë ndërkombëtare, për gjetjen e zgjidhjeve duke tentuar që t'i integrojmë në institucionet tona...", tha Kuçi. Por, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e akuzon Qeverinë se nuk është duke bërë përpjekje as minimale për ta zbatuar Kushtetutën në këtë pikë dhe për të ushtruar sovranitet mbi territorin e vendit. Sipas Kurtit, pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës, veriu i Kosovës me shumicë të popullatës serbe u bë edhe më i pavarur nga Kosova...

EPOKA E RE
Shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel, ka thënë se Kosova ka qenë sfida më e madhe e presidencës sllovene me Bashkimin Evropian. "Me gjithë pikëpamjet e ndryshme të disa shteteve anëtare në lidhje me pavarësinë, Sllovenia si kryesuese ia doli ta arrijë unitetin e BE-së sa i përket synimeve kryesore të politikës së ardhshme evropiane", ka theksuar Rupel. Ministri slloven ka shtuar se "Kosovën deri më tash e kanë njohur njëzet shtete anëtare të BE-së" dhe se "me gjithë qëndrimin e vendosur rreth Kosovës, Serbia ka treguar një masë të madhe të përgjegjësisë. Rupel, ndër të tjera, ka thënë se "është treguar që nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në prill, për Serbinë ka qenë i vetmi vendim i drejtë, investim për paqe dhe stabilitet në rajon", për ç'gjë tregon edhe arrestimi i Radovan Karaxhiqit...

INFOPRESS
Përderisa administrata e UNMIK-ut në Kosovë dhe shefi i saj, Lamberto Zannier, nga shqiptarët kërkojnë të mos politizojnë çështjen e ujësjellësit në Suhadoll të Mitrovicës, me serbët të cilët vazhdimisht pengojnë ndërtimin e këtij ujësjellësi, bëjnë kompromise dhe negociata. Ndërsa, puna e nisur për përfundimin e projektit të ujësjellësit për Suhadollin nga Kompania inxhinierike e Legjionit të të Huajve të Task-Forcës Shumëkombëshe në Veri, serish është ndërprerë nga banorët lokalë serbë të pjesës veriore të Mitrovicës. Me kërkesë të UNMIK-ut, të enjten paradite në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, ushtarët e KFOR-it kishin filluar punët për përfundimin e ujësjellësit të mbetur në gjysmë. Mirëpo, nuk kishte shkuar kohë dhe pjesëtarë të pakicës serbe atje kishin dalë në rrugë, duke ndërprerë në këtë mënyrë punët e nisura nga kompania e udhëzuar nga UNMIK-u. Ndonëse nuk u tërhoqën nga vendpunimi, pjesëtarët e KFOR-it megjithatë ndaluan punimet, duke ia lënë në këtë mënyrë punën UNMIK-ut që të bisedojë me serbët atje për të arritur ndonjë kompromis lidhur me vazhdimin e punimeve. Ndërkohë që me t'u acaruar situata atje, menjëherë janë vërejtur forca të mëdha të policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarë të KFOR-it...

KOSOVA SOT
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën komenton zhvillimet e fundit politike në vend, duke paraqitur disa argumente politike dhe sociale të gjendjes. Flet gjatë për klimën politike që pas shpalljes së pavarësisë e këtej, duke dhënë detaje për herë të parë të disa momenteve gjatë qëndrimit të tij në Hagë dhe takimet e rastësishme me disa nga banorët e atjeshëm, të cilët nxitën luftën në Kosovë. Ai sqaron zhvillimet brenda politikës, brenda AAK-së, si dhe arsyet e kërkesës për mbajtjen e zgjedhjeve. Shprehet i hapur për t'u takuar me të gjithë pavarësisht debateve në distancë kur është fjala për çështjet e rëndësishme. Haradinaj tha se AAK-ja është e hapur për dialog me të gjitha partitë për çështjet që lidhen me demokracinë dhe zhvillimin e vendit. Ai shprehu edhe një qëndrim kritik për qeverinë aktuale, duke e akuzuar se është duke qeverisur pa program. Për Haradinajn, opozita dhe asnjë segment i saj nuk duhet të jetë strehë apo t'i shërbejë vetëkënaqësisë, por të jetë përçues i nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Ndërkaq, konsideron se Kosova ka nevojë për një model tjetër qeverisës. Ai nuk mohoi mundësinë e ndryshimeve brenda strukturave të AAK-së, duke aluduar në një frymë të re...

ZËRI
Në mungesë të funksionimit të Doganës kosovare në veri të Kosovës, apo në Portat 1 dhe 31 (në komunat e Zubin-Potokut dhe të Leposaviqit), fakt ky i cili "është në fuqi" që prej 19 shkurtit, kur grupet e ekstremistëve serbë sulmuan dhe dogjën këto dy pika kufitare, në kundërpërgjigje ndaj shpalljes dhe njohjes së shtetit të Kosovës dhe në respektim të politikës së Qeverisë së Serbisë të kryeministrit Koshtunica, të konfrontimit me çdo mjet me pavarësinë e Kosovës, veriu i Kosovës është shndërruar në një lloj "zone ideale" për kontrabandimet e të gjitha llojeve, dhe për krimin e organizuar. Siç edhe mund të merret me mend, krimi i organizuar ka bashkuar kontrabandistët e të gjitha komuniteteve, duke i ndërlidhur ata, sipas të gjitha gjasave, me strukturat paralele serbe në këtë pjesë të Kosovës. Sipas burimeve perëndimore, buxheti i Kosovës është duke u dëmtuar për çdo ditë nga mungesa e të hyrave që janë inkasuar në vendkalimet kufitare në Portat 1 dhe 31, në këto dy komuna veriore. Mesatarja e humbjeve apo e dëmit javor i afrohet 1.8 milionë eurove. Nëse kjo shumë mesatare shumëzohet me 21 javë prej se Dogana kosovare është detyruar ta braktisë këtë pjesë të Kosovës, atëherë mund të llogaritet lehtë që buxheti i sivjetmë i vendit ka pësuar, deri më tash, dëme në vlerë prej diku rreth 38 milionë eurove...
XS
SM
MD
LG