Ndërlidhjet

Kusari Lila: Privatizimi - konflikt politiko-ekonomik


Mimoza Kusari Lila

Mimoza Kusari Lila

“Është konflikt ekonomik në kuptimin e humbjeve ekonomike, si dhe politik, se është ndeshje e kompetencave në aspektin e bartjes së transferit nga KB-të te vendorët”, thotë Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari-Lila, ju vazhdimisht keni kritikuar procesin e privatizimit, ndërkohë që së fundi keni thënë se ky proces po bëhet një konflikt ekonomik dhe politik mes bashkësisë ndërkombëtare dhe vendore. Në çfarë faktesh jeni bazuar për këtë?

MIMOZA KUSARI LILA
Faktet në të cilat ne jemi bazuar janë kontratat e panënshkruara dhe humbjet ekonomike, që janë duke u grumbulluar në Kosovë dita-ditës.

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka lënë një numër të konsiderueshëm, mbi 70 ndërmarrje, të cilat kanë filluar, kanë hyrë në proces të tenderimit, kanë aplikuar, janë shpallur fituese, kanë paguar një pjesë të mjeteve, ndërsa tani ato mjete kanë mbetur të bllokuara, kurse kontratat nuk janë nënshkruar.

Domethënë, prona nuk ka kaluar tek titullarët e rinj – pronarët privatë, por ende ka mbetur në ajër, në kuptimin e mosdefinimit të pronësisë së një numri të konsiderueshëm të ndërmarrjeve.

Në aspektin politik është një konflikt për shkak se tani ballafaqohemi me një transferim që duhet të ndodhë mes Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve kosovare, që organizimin e ri e bazojnë në planin e Ahtisaarit, ndërsa e dimë që Këshilli i Sigurimit nuk e ka votuar planin e Ahtisaarit.

Një pjesë e dokumentacionit gjendet tek UNMIK-u në Kosovë dhe ato nuk janë transferuar, domethënë ato mbahen. Ndërsa, zyrat, lokacionet e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit janë humbur.

Domethënë, Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është më pasardhës i drejtpërdrejtë në lokacione dhe në staf. Pra, nuk ka pasur një politikë në një procedurë të mbajtjes së stafit lokal për vazhdimin e punës dhe mbarëvajtjen e menjëhershme.

Pra, drejtpërdrejt është paraqitur edhe konflikti ekonomik në kuptimin e humbjeve ekonomike që po ndodhin dita-ditës dhe në aspektin politik, sepse është një ndeshje e kompetencave që po ndodhin në terren nga aspekti i bartjes së transferit nga Kombet e Bashkuara tek institucionet vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, mjetet materiale, të cilat janë grumbulluar nga procesi i privatizimit, ende nuk janë shfrytëzuar. Ku janë ato mjete dhe, sipas jush, pse kanë mbetur të bllokuara?

MIMOZA KUSARI LILA
Mjetet nuk janë shfrytëzuar për shkak se nuk kanë ndodhur likuidimet. Mjetet gjenden në llogari të autoritetit qendror bankar të Kosovës.

Nëse ata i kanë plasuar diku jashtë me ndonjë normë të caktuar të interesit, atë kanë mundur ta bëjnë, atë nuk e di. Por, këto mjete ende kanë mbetur atje për shkak se një pjesë e tyre duhet të shkojë në pagimin e borxheve ndërmarrjeve të vjetra shoqërore, domethënë kur të kryhet likuidimi.

Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve ka mbetur e bllokuar në 20 përqindëshin e punëtorëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Është pritur shumë se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës do të ketë investime të huaja në Kosovë. Deri më tash nuk është hetuar ndonjë investim. Pse dhe çfarë duhet pritur?

MIMOZA KUSARI LILA
Investimet janë pritur në Kosovë që të vijnë si rrjedhojë e një stabiliteti politik, si rrjedhojë e marrjes së përgjegjësive të institucioneve vendore dhe funksionalitetit të këtyre institucioneve.

Deri më tash, duhet ballafaquar faktin se ka pasur ngadalësim në transfer të këtyre kompetencave dhe në marrje të kompetencave nga institucionet tona dhe prezantimi i planeve, të cilat do të mund të funksiononin si duhet pas marrjes së kompetencave – rasti konkret me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Megjithatë, një fakt pozitiv është se ka pasur interesim. Në Odën Ekonomike Amerikane kemi vërejtur interesim të investitorëve mbi gjendjen, situatën në Kosovë, edhe pse jo me ndonjë realizim të mirëfilltë në kuptimin e nënshkrimit të kontratave, të paktën jo nga ne apo përmes nesh.

Por, ne ende jemi duke u munduar ta mbajmë interesimin e këtyre investitorëve me informata dhe me faktin se në Kosovë së shpejti shpresojmë se do të ketë një stabilitet të përgjithshëm, një normalizim, dhe Kosova do të tregojë se mund t’i mbajë investitorët, si të brendshëm, si të jashtëm, me një stabilitet të përgjithshëm dhe me ofrimin e kushteve të mira për investime.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vërtet mund të ketë investime serioze nga jashtë me gjendjen siç e kemi në Kosovë? Pse do të investonte dikush në vendin ku nuk ka rrymë?

MIMOZA KUSARI LILA
Kosova ka përparësitë e saj në kuptimin e pasurive natyrore, në kuptimin e forcës së lirë punëtore dhe shpresojmë se do të ketë një funksionalitet më të madh edhe të marrëveshjes së CEFTA-s, për arsye se kur merret parasysh CEFTA, kushdo që do të prodhonte në Kosovë ose do të ofronte shërbime, mund ta bëjë atë për një treg mbi 20 milionë banorë.

Atëherë, ka shanse, ka mundësi që Kosova të bëhet një vend atraktiv, por ende duhet punë për t’u bërë nga ana jonë, nga ana e kosovarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, në aspektin e rregullimit të ambientit të përgjithshëm, mendoj se më tepër mund të bëjnë me legjislacion dhe me plotësimin e legjislacionit aktual me legjislacion sekondar.

RADIO EVROPA E LIRË
Është folur shumë për termocentralin ‘Kosova C’. Ai tash duket se ka ngecur. Pse dhe si e shihni ju këtë çështje?

MIMOZA KUSARI LILA
’Kosova C’ është një projekt strategjik. Arsyeja e ngecjes së projektit ‘Kosova C’ ka ndodhur tek transformimi i qeverisë, apo kalimi i pushtetit nga një strukturë politike në tjetrën.

Duket se Qeveria e re ka pasur një ide tjetër mbi planet e ‘Kosovës C’, që mund të jetë në rregull, por është dashur të menaxhohet më mirë me investitorët apo me kompanitë që janë në listë të ngushtë, të përzgjedhura për të konkurruar për këtë tender të madh.

Besoj se ata të paktën kanë dhënë sinjale se së shpejti do të ketë shenja pozitive në kuptimin e dhënies së informatave për tenderin. Por, definitivisht që ka pasur vonesa dhe këto shenja ose këto njoftime është dashur të bëhen më herët, të paktën të mbaheshin investitorët të inkurajuar që të qëndrojnë në Kosovë.

Domethënë, deri tash kemi katër kompani që janë në listën e ngushtë, por që të katërtat pak janë ftohur ose janë të zhgënjyera me mënyrën se si është menaxhuar procesi dhe me mungesën e informatave që i kanë nga institucionet përgjegjëse, gjegjësisht nga ministritë përkatëse që janë përgjegjëse për këtë sektor.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a duhet të vazhdojë ky proces, a duhet të ndërtohet termocentrali ‘Kosova C’?

MIMOZA KUSARI LILA
Gjithsesi që duhet të ndërtohet. Kosova ka nevojë për më tepër rrymë, Kosova ka nevojë për kapacitete të reja. Se çfarë do të jenë modalitetet apo ndryshimet e këtij termocentrali, mbetet të shihet.

Por, sidomos është e rëndësishme që mos t’i zhgënjejmë kompanitë, të cilat kanë tenderuar dhe të mbajmë prestigjin e Kosovës si një vend të sigurt për investime.

Ky do të jetë projekti më i madh kapital në Kosovë dhe është një sfidë shumë e rëndësishme për institucionet e vendit se si e menaxhojnë dhe si e mbajnë raportin me investitorët e jashtëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tashmë edhe zyrtarisht ka aplikuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kur mendoni se do të mund të anëtarësohet dhe çka do të përfitojë Kosova nga anëtarësimi?

MIMOZA KUSARI LILA
Është shumë i rëndësishëm anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore dhe në institucionet tjera. Kosova, besoj se brenda muajsh do të mund të anëtarësohet në FMN.

Është dhënë sinjali edhe më herët se nuk do të ketë pengesë serioze për anëtarësim, për shkak se pesha e votës së vendeve anëtare është në proporcion të favorshëm për Kosovën. Domethënë, mbi 60 për qind e vendeve që e kanë pranuar Kosovën, kanë votë edhe në FMN, pasi që vota e tyre shkon me shumën e kapitalit që ata në bazë vjetore e ofrojnë në FMN.

Andaj, për Kosovën do të jetë një shans që të ketë së pari një raport të drejtpërdrejtë me një organizatë. Edhe më përpara, por tani në mënyrë zyrtare të ndihmojë në mbajtjen e bilancit monetar në Kosovë, të ketë qasje në kredi afatgjate zhvillimore për Kosovën, si dhe të ketë qasje në vendet tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por që mund të hyjnë në raporte shumë të mira përmes anëtarësimit në FMN.

Domethënë, në aspektin strategjik, është një njohje shumë me peshë dhe besoj se Kosova do të përfitojë dhe do të dijë të përfitojë nga anëtarësimi në FMN.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG