Ndërlidhjet

KFOR nuk lejon eskalimin e situatës në Mitrovicë


Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicën veriore.
Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicën veriore.

Pavarësisht protestave të të dyja komuniteteve në Mitrovicë, përfaqësuesit e KFOR-it thonë se kanë situatën nën kontroll. Shqiptarët protestojnë për të larguar maunat me acidin disulfurik të rrezikshëm për shëndetin, ndërsa serbët nuk lejojnë ndërtimin e ujësjellësit në Suhodoll.

Protestat herë të njërit, e herë të tjetrit komunitet vazhdojnë ta mbajnë situatën të tensionuar në Mitrovicë. Shqiptarët në jug ka disa ditë që përmes protestave kërkojnë largimin e maunave nga Parku Industrial i Trepcës, mauna këto që përmbajnë vaj hidraulik, të rrezikshëm për shëndetin. Në anën tjetër, serbët në fshatin Suhodoll përmes bllokimit të rrugëve vazhdojnë të kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit, nga i cili do të përfitonin të dy komunitetet. Autoritetet e rendit thonë se aktualisht kanë situatën nën kontroll.

"Si zakonisht KFOR-i mund të përballojë çdo problem, por ne do të dëshironim që çdo gjë të jetë e qetë. Ne duhet ta ia shpjegojmë serbëve se edhe ata do të përfitojnë nga ujësjellësi", thotë zëdhënësi i KFOR-it francez Guillaume Courot, duke sqaruar se si sigurinë, ashtu edhe punët në shtrirjen e gypave në fshatrat e banuar me serbë e ka marrë përsipër KFOR-i.

"Duhet theksuar se punët janë kërkuar të kryhen nga UNMIK-u dhe ato po zhvillohen nën rezolutën 12 44, nën të cilën kornizë vepron edhe KFOR-i", shpjegon oficeri francez duke kërkuar mirëkuptim nga serbët lokalë.

Projekti i komunës së Mitrovicës për ujësjellësin e Suhodollit është bërë mollë sherri dhe ka ngritur tensionet ndëretnike. Serbët lokale nuk lejojnë që punët të kryhen nëpër pronat e tyre, pa pasur ndonjë vendim të strukturave paralele serbe, ndërsa shqiptarët insistojnë në përfundimin e tyre sipas projektit të komunës. Për të dalë nga kjo situatë, UNMIK-u ka kërkuar nga KFOR-i që të përfundojnë punët, por serbët i kanë penguar edhe forcat paqeruajtëse.

"Rruga është mbyllur vetëm në 500 metra ku do të duhej të kryheshin punët. Rruga u mbyll nga KFOR-i dhe UNMIK-u. Ne do të presim edhe disa ditë para se të nisim punët, sepse aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime mes UNMIK-ut dhe përfaqësuesve serbë", thotë Courot.

Përfaqësuesi serb në Mitrovicë Momir Kasaloviq thotë se përmes projektit të ujësjellësit kreu i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi dëshiron të zbatojë planin e Ahtisaarit, të cilin nuk e pranojnë serbët. Ai e quan këtë problem klasik politik.

"Përfaqësuesit e KFOR-it na kanë thënë se nëse ata nuk i vënë gypa e ujësjellësit do të kenë reagime të shqiptarëve, e atëherë ne do kemi konflikt, meqë tekstualisht do ketë demarkacion të linjës e kjo askujt nuk i përshtatet. Ne u kemi thënë se kjo nuk është e pranueshme për popullin serb në Suhodoll dhe për serbët në veri të Kosovës sepse gjendjen e rëndë me ujë të pijshëm kjo do ta rëndojë edhe më shumë. Kjo nuk zgjidh asgjë, përvcse ia plotëson dëshirën Bajram Rexhepit. Mendoj se ata nuk do të duhej të bënin një gjë të tillë", thotë Kasaloviq.

Lamberto Zannier shef i UNMIK-ut ka thënë se Suhodolli është politizuar pa nevojë, ndërsa këtë politizim Rexhepi ka thënë se e kanë bërë serbët. Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti thotë se serbët në Suhodoll janë të manipuluara politikisht, për këtë sipas tij edhe nuk po lejojnë që të kryhen punët madje edhe në një projekt nga i cili përfitojnë të gjithë.

"Atje kemi thjesht ndërhyrje politike, manipulim politik të krejt një procesi. Pra, janë grupe të caktuara të ndryshme, janë të motivuar me presion politik. Ne besojmë se do ketë zgjidhje të shpejtë", tha Pajaziti.

Ai thotë se në veri ka tendencë që të krijohet një klimë, ku përfitimin më të madh, sipas tij do ta kenë kontrabanduesit.
"Po tentohet të krijohet një pasqyrë sidomos në veri, për kinse krizë, dhe kjo i përshtatet krimit të organizuar dhe trafikimit", tha Pajaziti.

Ndryshe, autoritetet kosovare te sigurisë kanë tërhequr vërejtjen se përsëritja e incidenteve në veri, si ai i Suhodollit ku javë më parë janë përleshur shqiptarët me serbët, mund të përshkallëzojë situatën e sigurisë.

Por, përfaqësues të KFOR-it pohojnë se nuk do të lejojnë që situata të dalë jashtë kontrollit.
XS
SM
MD
LG