Ndërlidhjet

UNMIK: Së shpejti nis bartja e kompetencave


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

UNMIK-u pohon se shumë shpejt do t'ia transferojë kompetencat e para EULEX-it. Funksionalizimi i EULEX-it varet nga dinamika e ristrukturimit të UNMIK-ut. Qeveria beson se ristrukturimi do përfundojë më 15 tetor.



Nga administrata e OKB-së në Kosovë vijnë sinjale se procesi i ristrukturimit të UNMIK-ut, rrjedhimisht bartja e kompetencave te EULEX-i, do të ndodhë shpejt, edhe pse në terren gjërat nuk duken të kenë lëvizur.

Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit, nga shumë vende anëtare u theksua nevoja që ky proces të shpejtohet. Në EULEX thonë se dinamika e zbarkimit të personelit dhe marrja e përgjegjësive në fushën e sundimit të ligjit varen nga instruksionet që dalin prej selisë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, thotë se janë duke u zhvilluar bisedime të vazhdueshme mes Nju Jorkut dhe Brukselit dhe se hapi i parë drejt zbatimit në praktikë të ristrukturimit do të ndodhë shpejt.

“Nuk mund të them saktë se kur, por mund t’ju them se shumë shpejt. Dhe, po ashtu, më duhet t’ju them se procesi do të jetë shumë transparent", thotë Geekie.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka pranuar në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit se UNMIK-u nuk e ka më rolin në terren siç e kishte para shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Sipas tij, aftësia e UNMIK-ut që ta realizojë pjesën më të madhe të detyrave të veta, është sfiduar në mënyrë fundamentale, në saje të veprimeve të autoriteteve në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Për këtë arsye, Zannier ka përsëritur atë që kishte propozuar edhe sekretari Ban - domosdonë e ristrukturimit të misionit, që e administroi Kosovën për nëntë vjet.

“Sekretari i Përgjithshëm e ka udhëzuar UNMIK-un që të punojë me EULEX-in, për të marrë përsipër sundimin e ligjit nën autoritetin e OKB-së. Ka pasur diskutime dhe po lëvizim drejt çështjeve praktike, por nuk jemi ende në fazën kur do të arrihej marrëveshja përfundimtare”, pohon Geekie.

Qeveria e Kosovës shpreson që i tërë procesi i rikonfigurimit të marrë fund më 15 tetor. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit ka qartësuar gjërat dhe transferimi i përgjegjësive do të jetë më i shpejtë.

“Në kuptimin e orientimi kohor, po bëjmë që kjo të ndodhë sa më shpjet. Dua të besoj që 15 tetori, në një mënyrë ose tjetër, duhet të jetë një fazë e re e përfundimit të rikonfigurimit. Por, gjithmonë afatet kohore në Kosovë, për hir të rrethanave dhe për hir të faktorëve që nuk është vetëm një, por janë disa, nuk mund të përcaktohen lehtë”, tha Kuçi.

Por, në EULEX pohojnë se aktualisht nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket vendosjes dhe shtrirjes në tërë territorin e Kosovës. Zyrtarë të misionit evropian pohojnë se presin që në mënyrë specifike të rikonfigurohet UNMIK-u në terren dhe nga kjo do të ndikohet shtrirja e misionit evropian.

Ndryshe, ky mision do ta ketë vështirë vendosjen në veri, meqë serbët vazhdojnë të mos e pranojnë atë, pa marrë paraprakisht bekimin e Këshillit të Sigurimit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është optimist se gjërat do të ecin në drejtimin e duhur dhe se në fund të procesit të ristrukturimit nuk do të ketë më dualizëm misionesh.

“S’ka dilemë se EULEX duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Nuk guxojmë në asnjë rast të japim shenja se në një pjesë të Kosovës vepron UNMIK-u, e në tjetrën EULEX-i. Në Kosovë do të ketë një rend, një sistem juridik dhe natyrisht se do të ketë një sundim në kuptimin e plotë të ligjit”, tha Kuçi.

Sidoqoftë, si UNMIK-u, ashtu edhe EULEX-i, vazhdojnë t’i mbajnë sytë kthyer kah Nju Jorku, përkatësisht Brukseli, për të marrë dritën jeshile për bartjen, përkatësisht marrjen e përgjegjësive në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave.
XS
SM
MD
LG