Ndërlidhjet

logo-print

Nga po shkon Turqia?

  • RFE /RL

Pamje nga sulmet e 27 korrikut 2008, në Stamboll.

Pamje nga sulmet e 27 korrikut 2008, në Stamboll.

Turqia është përfshirë nga sulmet terroriste dhe pasiguria politike e ekonomike. Partia në pushtet rrezikon të shpallet e jashtëligjshme dhe drejtuesve kryesorë të shtetit mund t'u ndalohet marrja me politikë.

Numri i viktimave nga dy shpërthimet me bomba që ndodhën në Stamboll, arriti në 17, pasi një numër i të plagosurve humbën jetën në spital.

Autoritetet thonë se është shumë herët të thuhet se kush janë përgjegjësit.

Zyrtarët turq të sigurisë pohojnë se shpërthimi i parë ishte i vogël, derisa lënda shpërthyese ishte vendosur në një kosh plehrash. Nga ky shpërthim i parë pati vetëm të plagosur.

Derisa njerëzit u mblodhën në vendin e ngjarjes dhe automejtet e ndihmës së parë e forcat e rendit erdhën në vendin e incidentit, një shpërthim i dytë përfshiu turmën. Eksplozivi qe vendosur sërish në një kosh plehrash pranë vendit ku ndodhi shpërthimi i parë.

Guvernatori i Stambollit, Muamer Guler, tha se ishte pikërisht shpërthimi i dytë që mori jetën e 17 personave.

"Të dyja bombat ishin vendosur në kosha plehrash. Shpërthimet ndodhën në një distancë kohore 10-12 minuta nga njëra-tjetra. Kur njerëzit u mblodhën në vendin e ngjarjes dhe të tjerë po qëndronin përpara dyqaneve të tyre, ndodhi shpërthimi i dytë, që shkatoi edhe viktimat", sqaroi Guler.

Autoritetet turke janë të sigurta se shpërthimet janë vepër e terroristëve, por është ende herët të thuhen emrat e përgjegjësve.

Nuk është hera e parë që Stambolli përballet me sulme të tilla, të cilat në të shkuarën kanë qenë të organizuara nga militantët kurdë, grupet e ekstremit të majtë apo ekstremistët islamikë.

Njësoj si autoritetet mendon edhe Hashem Khoroshahi, analist politik në Stamboll. Ai shton se ka shumë grupe me agjenda të ndryshme që mund të jenë të përfshira.

"Disa spekulojnë se sulmi ishte vepër e separatistëve kurdë. Të tjerë spekulojnë se forca të huaja kanë gisht në shpërthimet e së dielës", thotë Khoroshahi për Radion Evropa e Lirë.

Sulmi vjen në kohën kur vëmendja është përqëndruar te Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit nga sot fillon dhënien e vendimit nëse kryeministri aktual dhe partia e tij duhet të mbeten apo të largohen nga politika.

Partia e kryeministrit Erdogan një vit më parë shënoi fitore të thellë në zgjedhje, por rrënjët e saj islamike, nga një parti tashmë e jashtëligjshme, përbëjnë problem për mbështetësit e shtetit laik.

Laikët e akuzojnë partinë në pushtet se po bie ndesh me Kushtetutën e Turqisë dhe po rrezikon themelet e shtetit laik. Fjalën përfundimtare tashmë e ka drejtësia.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj pritet të thotë nëse Partia për Zhvillim dhe Drejtësi është përfshirë në aktivitete islamike. Bazuar në këtë gjykim do të merret vendimi i radhës, nëse partia dhe drejtuesit e saj duhet të ndalohen që të merren me politikë apo jo.

Hysein Bacgi, profesor në Universitetin Teknik në Ankara, e ka ndjekur debatin nga afër dhe nuk beson se partia e kryeministrit do të shpallet e jashtëligjshme.

"Sipas të gjitha gjasave, partia nuk do të mbyllet. Do të ketë disa gjoba e ndoshta edhe disa politikanëve të kësaj partie mund t'u ndalohet aktiviteti publik për disa vjet", thotë Bacgi për REL.

Pavarësisht vendimit, Turqia është mbërthyer nga një pasiguri ekonomike dhe politike.

Hetimet e policisë po vazhdojnë edhe në një tjetër drejtim - atë të një grupi ultra-nacionalist që po përgatiste grushteti.

Në kohën kur Turqia është e përfshirë në një betejë të madhe ligjore e politike, ushtria turke ka vazhduar me sulmet ajrore kundër caqeve kurde në veri të Irakut.
XS
SM
MD
LG