Ndërlidhjet

A ka pësuar disfatë nacionalizmi në Serbi?

  • B. Triviq

Beograd - Pamje nga përleshjet ndërmjet policisë dhe përkrahësve të Radovan Karaxhiqit, 22 korrik 2008.

Beograd - Pamje nga përleshjet ndërmjet policisë dhe përkrahësve të Radovan Karaxhiqit, 22 korrik 2008.

A ka pësuar disfatë projekti nacionalist në Serbi, pas të gjitha luftërave të humbura, brenda dhe jashtë Serbisë? Nëse po, a është kjo humbje, kapitull i mbyllur i historisë?


Protestat kundër arrestimit të Radovan Karaxhiqit, në të cilat u mblodhën vetëm disa qindra pjesëtarë të organizatave ultra të djathta, atyre radikale apo edhe tifozë futbolli, dëshmuan se projekti nacionalist në Serbi ka pësuar disfatë.

"Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se nuk ka nacionalizëm apo nacionalistë, por forca e tyre nuk tejkalon pikën vendimtare përtej së cilës do të paraqiste rrezik serioz për vendin dhe të tjerët", thotë Sonja Liht, drejtuese e organizatës për çështje të veçantive politike.

"Mundet Aleksander Vuçiniq të kërcënojë sa të dojë, megjithatë kërcënimet janë një gjë e realiteti diçka tjetër. Më në fund, ne e dimë se ekziston numër i madh i votuesve për radikalët dhe të cilët veprojnë kështu shkaku i pakënaqësive dhe frustrimeve, e jo për faktin se janë radikalë", tha ajo.

Politikologu Jovan Komshiq nuk beson se nacionalizmi radikal në Serbi ka marrë fund.

"Nacionalizmi dhe mbështetja për të ashtuquajturën formulë nacional-patriotike shtetërore dhe kombëtare, të cilën e kemi parë në dekadat e kaluara, do të varet nga suksesi i projektit evropian dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike, që do të zgjeronte shtresën e njerëzve të kënaqur në Serbi”.

“Aktualisht, mua më gëzon fakti që qytetarët nuk kanë pranuar që udhëheqës të jenë drejtuesit e partive radikale, apo tifozët e klubeve futbollistike dhe finalja të jenë djegiet që i kemi parë para disa muajsh", tha Komshiq.

Disfata e projektit të nacionalizmit radikal serb është lajm i mirë për Serbinë, thotë Liht. Por, ajo shpreh shqetësim për shfaqjen e një dukurie tjetër, që nuk ndodh vetëm në Serbi.

"Nacionalizmi radikal edhe në vendet tjera, madje edhe atje ku nuk ka ekzistuar, shpesh zëvendësohet me popullizëm të theksuar. Kjo është dukuri tjetër jo e mirë",
tha Liht.

Qytetarët e Serbisë i kanë dhënë mbështetje projektit politik pro-evropian, por kjo nuk është diçka pa mundësi kthimi, sepse nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, atëherë sërish mund të ngritën flamujt nacionalë patriotikë”, paralajmëron politikologu Komshiq.

"Tani u mbetet politikanëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe më së tepërmi atyre që udhëheqin shtetin e Serbisë, që të sigurojnë mundësi për realizimin e premtimeve që janë dhënë", thotë Komshiq, sipas të cilit, nëse kjo nuk arrihet, atëherë kriza do të sjellë pakënaqësi masive, nga të cilat sërish, edhe më fuqishëm, mund të valojnë flamujt edhe më radikalë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG