Ndërlidhjet

Haradinaj: Në Qeveri politizohet stafi civil


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Kryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për keqqeverisje dhe për politizim të stafit civil. Në një konferencë me gazetarë, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës po vazhdon me tendencën që të vendosë kontroll mbi të gjithë mekanizmat ku mund të depërtojë korrupsioni.

Cilësia e qeverisjes në Kosovë është e keqe dhe ka filluar politizimi i stafit civil. Kjo kritikë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për gazetarë, ai ka kritikuar Qeverinë se në vend të stafit civil, po emëron, siç thotë ai, fanatikë të partisë.

Haradinaj, këto vlerësime i argumenton me faktin se, sipas tij, postet udhëheqëse civile të ministrive po politizohen, ndërkaq këshilltarët politikë po emërohen në pozita civile, që, sipas tij, po bëhen me procedura të shpejta dhe pa respektuar procedurat ligjore.

“Ajo çka po ndodh sot në Qeverinë e Kosovës, nuk është lajm i mirë, kur një këshilltar i ministrit kthehet në sekretar të përhershëm dhe atë duke thyer procedurat ligjore, pra duke mos i respektuar”.

“Në të njëjtën kohë, të gjithë mekanizmat tjerë, si borde, drejtorë në kompanitë publike e me radhë, po ashtu janë të emëruar në bazë të kriterit fanatik të partisë”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Ai tha se Qeveria e Kosovës po vazhdon me tendencën që të vendosë kontroll mbi të gjithë mekanizmat ku mund të depërtojë korrupsioni, duke përmendur këtu edhe kontrollin e Qeverisë në disa media.

“E kishim rastin me Agjencinë Anti-Korrupsion, menjëherë pas një deklarimi të agjencisë për zhvillimet e korrupsionit, të supozuara në qeveri; ai është ftuar në një bisedë të tipit informativ. Do të thotë, ajo direkt është një lloj kërkese për heshtje”.

“Kjo pason edhe me mekanizmat tjerë, qoftë të gjyqësorit, qoftë të hetuesisë, deri në shkallën sa njerëzit e Qeverisë i kontaktojnë oficerët e policisë dhe u japin sugjerime për pista të caktuara apo për ngjarje të caktuara, duke i kërcënuar ata edhe me karrierën e tyre, në kuptimin pra që nuk mund të gradohen”, tha Haradinaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë konferencës me gazetarë, ka folur edhe për gjendjen në Mitrovicë. Sipas tij, Prishtina zyrtare vazhdon të jetë shumë pak e përfshirë në zhvillimet në veri të Kosovës.

“Sa i përket gjendjes në veri, ajo çka është me rëndësi për t’u theksuar, është se Prishtina është shumë pak e involvuar edhe më tutje, jo vetëm për atë që unë e kam quajtur degradim i gjendjes në veri nga gjendja para 17 shkurtit të këtij viti, por edhe në zhvillimet që kanë pasuar, siç ishte rasti i fundit rreth ujësjellësit apo rreth kontaminimit të një vendbanimi në Mitrovicë”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, sa i përket dinamikës së njohjes së Kosovës, Haradinaj shfaqi shpresën se një valë e re e njohjes së shtetit të Kosovës mund të ndodhë në vjeshtë, duke shpresuar në vendet fqinje dhe në vendet tjera me të cilat janë vendosur kontakte të mëhershme.
XS
SM
MD
LG