Ndërlidhjet

“Rusia kërcënon t'i tërheqë policët nga UNMIK-u”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Zëvendësi i shefit të diplomacisë ruse, Vladimir Titov, nuk ka përjashtuar mundësinë e paraqitjes së "nuancave të reja" në politikën e Qeverisë së re serbe ndaj Kosovës. "Nuancat në pozicionin e qeverisë së re, natyrisht janë të mundshme. Por, unë nuk konsideroj se populli serb dëshiron që premtimet për integrimet evropiane t’i ndërrojë për humbjen e një pjese të vendit të tyre", ka deklaruar Titov, në një intervistë dhënë gazetës moskovite "Nezavisimoj gazeti". Ai ka theksuar se ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, gjatë vizitës, para disaditëshe, në Moskë, e ka bindur se Qeveria e re serbe nuk do ta ndryshojë qasjen ndaj problemit të Kosovës, e cila bazohet në konsensusin nacional. Titov nuk e ka përjashtuar mundësinë e tërheqjes së policëve rusë nga Kosova në rast se forcat ndërkombëtare do të fillojnë ta shkelin Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. . "Shumëçka do të varet nga Beogradi, sepse Serbia është ajo që i pranon forcat ndërkombëtare", ka shtuar Titov...

EXPRESS
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, planifikon të takojë të mërkurën ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kanë thënë për Express, zyrtarë të UNMIK-ut. Ky do të jetë takimi i dytë i Zannier me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, në kuadër të dialogut të iniciuar nga kreu i OKB-së, Ban Ki-Moon, për zgjidhjen e gjashtë çështjeve që kanë të bëjnë me zona të banuara me shumice serbe në Kosovë. Në takimin e parë të mbajtur në Beograd, është arritur pajtimi që funksionimi i policisë dhe gjyqësisë në vendbanimet serbe të jenë dy çështjet e para në këtë dialog. Çështja e doganës, transportit dhe infrastrukturës, kufijtë dhe trashëgimia ortodokse serbe do të hapen më vonë në tavolinën e bisedimeve. Pjesëmarrjen në takimin e së mërkurës e ka konfirmuar edhe ministri Bogdanoviq, për agjencinë e lajmeve Beta. Ai ka thënë se "policia dhe gjyqësia janë dy problemet më të mëdha për komunitetin serb në Kosovë". Bogdanoviq ka thënë se Beogradi dëshiron të ketë komunikim të vazhdueshëm me UNMIK-un, duke shfaqur shpresën se "bashkërisht do të zgjidhen problemet"...

LAJM
Qeveria do të vendosë rend dhe ligj, duke i rikthyer gjykatësit dhe doganierët në pjesën veriore të shtetit. Kështu tha të hënën zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Kabinetit qeveritar. Por, sipas tij, kjo do të bëhet pa e përdorur dhunën. "Nuk e kemi logjikën ta përdorim ushtrinë ose policinë, por e kemi logjikën e atraktivitetit". Kuçi tha se për këtë po punohet me kryetarin e Gjykatës Supreme dhe pas disa takimeve që do të ndodhin, do të rikthehet gjendja normale sa i përket gjyqësorit në tërë territorin. Sipas tij, janë tri kritere që do të vlejnë për rikthimin e çështjeve në fjalë në vendin e vet. Në mbledhjen e së hënës, kabineti qeverisës e ka shqyrtuar projekt-vendimin mbi themelimin e komisionit për caktimin e çmimeve të barnave. Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, paralajmëroi formimin e një komisioni të pavarur, i cili do t'i vendoste çmimet bazë të barnave. Ministri tha se duhet të ndërhyhet sa më shpejt në këtë çështje, ngase, siç tha ai, barnat në Kosovë po shiten shumëfish më shtrenjtë se në shtete tjera...

BOTA SOT
Zonja Tina Kajdanov, në intervistën për RTK-në, tha se tërësia territoriale është e garantuar dhe kjo çështje është e rëndësishme, por para Qeverisë së Kosovës ka shumë sfida, të cilat kanë një rëndësi të posaçme. "Ka shumë sfida për Kosovën, qeveria duhet të punojë për progres dhe për të ecur përpara, pra që të gjithë duhet të punojmë që Kosova të jetë tërheqëse për të gjithë që jetojnë këtu, dhe në këtë mënyrë Kosova duhet të përqendrohet në këto sfida që i ka përballë vetes, që janë po aq të rëndësishme sa edhe veriu i Kosovës", tha Kajdanov. Sipas saj, stabiliteti i Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe për ketë stabilitet padyshim që rol të madh ka edhe implementimi i pakos së Ahtisaarit. Duke u ndalur tek njohja e deritashme e Kosovës, ajo tha se kemi një njohje relativisht të kënaqshme, por duhet të punohet edhe në të ardhmen...

INFOPRESS
Protestat e shumta të qytetarëve të Mitrovicës për largimin e maunave të rrezikshme nga parku industrial i Trepçës kanë rezultuar me suspendimin e përkohshëm të drejtorit të Doganave, Naim Huruglicës. Një suspendim i tillë ka ardhur të hënën në Prishtinë nga Qeveria e Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar përgjegjësi nga ata të cilët e neglizhuan çështjen e maunave të rrezikshme... Duke kritikuar Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe zyrtarët e Doganave, të cilët kanë neglizhuar çështjen e maunave me materie të rrezikshme, kryeministri Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar, ka kërkuar qe në mënyrë urgjente të merren masa ndaj personave përgjegjës. "Ne kemi marrë masa të menjëhershme që nga shfaqja e këtij problemi, por ka pasur ngecje të paarsyeshme në mekanizmat zinxhirorë në Ministrinë e Ambientit, neglizhencë kjo që të merren masa ndaj të gjithë atyre që kanë toleruar këtë neglizhencë dhe nuk i kanë kryer punët ashtu siç duhet", u shpreh Thaçi...

ZËRI
Kryetari i strukturave paralele në Shtërpcë, Zvonko Mihajloviq, i cili javë më parë ka uzurpuar zyrën e kryetarit të Shtërpcës, ka nisur t'i marrë hapat e parë në "detyrën e tij të re". I ashtuquajtur kryetar i Shtërpcës, por që nga institucionet e Kosovës konsiderohet jolegjitim, Mihajloviq, nëpërmjet një letre në adresë të UNMIK-ut, ka shprehur shqetësimin e vet lidhur me shqiptarizimin e Brezovicës. Nëpërmjet një letre dërguar autoriteteve të UNMIK-ut, ai ka shprehur drojën e tij se popullata shqiptare shumë shpejt mund të rritet në Shtërpce, për shkak të ndërtimeve të shumta, siç i ka quajtur ai ilegale, që po bëhen në Brezovicë, ndërkaq që ka kërcënuar se do të përdorë autoritetin e tij për t'i rrënuar ato, nëse nuk parandalohen ndërtimet nga UNMIK-u. "Në këtë zonë kemi një numër te madh ndërtimesh pa leje. Kjo është vazhdimësi e ndërtimeve në pronat që i ka shitur Komuna e Ferizajt vetëm e vetëm për të ndërtuar sa më shumë prona shqiptarësh, me qëllimin që ta ndryshojnë strukturën e popullatës këtu. Ne kemi marrë ankesa të mëdha nga banorët serbë, të cilët kanë bërë një peticion në gjykatën në Serbi dhe ju njoftojmë që ne do ta përdorim autoritetin tonë për t’i rrënuar gjitha ato objektet pa leje", ka shkruar Mihajloviq në një letër të cilën ia ka dërguar UNMIK-ut...

KOSOVA SOT
Strukturat qeveritare të Kosovës duhet të kenë të qartë se diplomacia dhe shërbimet diplomatike nuk mund të avancohen përmes zyrave koordinuese, me dy-tre punëtorë administrativë. Është koha të mendohet më thellësisht në këtë aspekt. Kosova, si shteti më i ri në botë, pas hyrjes në marrëdhënie diplomatike me shumë shtete dhe superfuqi botërore, ka nevojë për ngritjen e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike nëpër ato shtete që ka vënë lidhje diplomatike me to, por edhe me ato që do të krijojë lidhje të tilla në të ardhmen. Mirëpo, çështje tjetër është se sa është e përgatitur Kosova që të ketë misione diplomatike jashtë vendit dhe në ç'drejtim janë duke shkuar përgatitjet. Nga kjo, sinjalet e para duken të jenë jo fort inkurajuese. Fakti se Kosova ende nuk ka arritur që ta ngritë një akademi diplomatike, një sinjal jo i mirë për seriozitetin e shtetit të Kosovës në çështjet diplomatike. Kujtim Shala, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, për "Kosova Sot" tha: "Natyrisht që Kosovës i duhet Akademia Diplomatike. Akademia ndihmon që të ndërtohet një shërbim diplomatik, profesional dhe përgatit kuadrot. Për një shteti të ri, akademia e tillë është thellësisht e rëndësishme”...

KOHA DITORE
KFOR-i përjashton realizimin e pjesës së mbetur të projektit të ujësjellësit në Suhadoll, duke e përdorur forcën, por shprehet i vendosur që ta gjejë një zgjidhje në terren, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Qendra për informim e KFOR-it në Mitrovicë. Në këtë kumtesë, ndër të tjera, thuhet se KFOR-it i vije shumë keq për papajtueshmërinë e përfaqësuesve të komunitetit serb, duke e pasur parasysh që ky projekt do t'iu mundësonte banorëve lidhjen në një ujësjellës të ri, më stabil dhe me kapacitet më të madh dhe se është duke i studiuar opsionet e tjera, të cilat do të evitonin kalimin e ujësjellësit nëpër Suhadoll. KFOR-i përsërit edhe një herë që është i paanshëm. "Siç është e njohur, ai merr pjesë në projekte të shumta për t'i përmirësuar kushtet e jetës për të gjitha komunitetet që banojnë në Kosovë...”, thuhet në komunikatë...
XS
SM
MD
LG