Ndërlidhjet

Trajkoviq: Serbët do ta pranojnë EULEX-in


Rada Trajkoviq
Rada Trajkoviq

"Misioni i EULEX-it është realitet, të cilin do ta pranojnë edhe serbët", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësuesja nga Këshilli Nacional Serb, Rada Trajkoviq.




RADIO EVROPA E LIRË

Zonja Trajkoviq, çfarë prisni nga bisedimet e reja teknike që po paralajmërohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jenë një realitet që do të ndodhë sa më shpejt dhe se nga këto bisedime kanë përfitime si lidershipi politik shqiptar në Prishtinë, po ashtu edhe udhëheqja serbe në Beograd.

Nëse vjen deri te komunikimi, Kosova do të hyjë në marrëdhënie të relaksuara, që do të thotë se më nuk do të jetë në krye të lajmeve në media si një vend me konflikte dhe në këtë mënyrë dërgohet edhe porosia se investitorët mund të investojnë në këtë hapësirë.

Në anën tjetër, edhe Beogradi ka dobi nga kjo, pasi që me komunikimin me Prishtinën, ai i vë lidhjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat janë shumë me rëndësi për mbijetesën dhe organizimin e jetës së serbëve dhe të Kishës Ortodokse serbe.

Ngase, nëse Beogradi do të mbyllej ndaj Prishtinës, atëherë Prishtina do të hapej ndaj vendeve të tjera të ish–Jugosllavisë dhe rajonit, dhe do të mbyllej ndaj Serbisë, çka nuk do të ishte e mirë për mbijetesën e serbëve, e as për kishën serbe dhe ndikimin e shtetit serb në këto hapësira.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka konsideroni se mund të jetë objekt i këtyre bisedimeve?

RADA TRAJKOVIQ
Objekt i bisedimeve janë njerëzit, njerëzit e rëndomtë. Objekt i bisedimeve nuk mund të jenë politikanët, sepse ata luftojnë për votuesit e tyre dhe në këtë luftë ata shumë shpesh, sidomos te ne, i keqpërdorin ata që ata i quajnë votues dhe mendojnë në atë se si t’i nxisin emocionet e votuesve.

E këto emocione nxisin padurim ndaj bashkësive tjera etnike dhe, për fat të keq, kjo mendoj se i përket më shumë të kaluarës.

RADIO EVROPA E LIRË

Qeveria e Kosovës thotë se problemet e serbëve në Kosovë mund të zgjidhen edhe përmes decentralizimit dhe planit të Ahtisaarit. Andaj, sa mendoni ju se kjo mund të jetë zgjidhje?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj se pjesa teknike e planit të Ahtisaarit ofron mundësi për zgjidhjen e çështjes serbe në Kosovë dhe në këtë kuptim, mendoj se me disa plotësime, plani i Ahtisaarit mund të jetë shumë i dobishëm për zgjidhjen e asaj që quhet çështje serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Të njëjtën kohë, UNMIK-u ka filluar me procesin e rikonfigurimit, që pasoi aprovimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Deri më tani, përfaqësuesit serbë nuk janë pajtuar me këtë proces rikonfigurimi. Duke u ndërlidhur me këtë, cili është mendimi juaj lidhur me këtë proces?

RADA TRAJKOVIQ
Pak më vjen keq që me duhet ta them publikisht, por Rusia dhe udhëheqja serbe, duke mos e prekur këtë çështje, sikur po mundohen të fshehin diçka që në fakt po ndodh realisht në terren.

UNMIK-u, për fat të keq, është një mision që është komprometuar si nga shqiptarët, në kuptimin e shpalljes së pavarësisë, por edhe nga serbët, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe ngritjen e institucioneve që janë në kundërshtim me Rezolutën 1244.

Me këtë, ndikimi i UNMIK-ut në terren është dobësuar dukshëm. Unë e kuptoj që Rusia edhe më tutje e mban UNMIK-un këtu si një zyrë që duhet të mbetet në Prishtinë, për arsye se ajo e siguron shtetin serb që shteti i Kosovës të mos legalizohet në Këshillin e Sigurimit. Por, sa i përket funksionimit, UNMIK-u realisht e ka humbur ndikimin e vet në Kosovë.

Mendoj se tash është me rëndësi që EULEX-i t’i marrë përgjegjësitë, sepse kam frikë se këtu nuk ka autoritete që mund t’i kontrollojnë proceset në Kosovë dhe se kjo nuk është në të mirën e askujt.

Them që EULEX-i është një realitet, kurse zyra e UNMIK-ut që do ta përfaqësojë Kosovën në institucionet ndërkombëtare, të cilat nuk mund ta pranojnë Kosovën si hapësirë që nuk është legalizuar në Këshillin e Sigurimit, do të jetë po ashtu realitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, një pjesë e serbëve nuk e pranojnë EULEX-in, andaj sa e komplikon kjo krejt këtë proces?

RADA TRAJKOVIQ
Mendoj se serbët nuk e pranojnë EULEX-in për aq sa edhe Beogradi nuk e pranon atë. EULEX-i është një mision i Bashkimit Evropian. Beogradi dëshiron rrugën drejt BE-së dhe mendoj se është realitet që serbët do ta pranojnë EULEX-in me një qëndrim të qartë të shtetit, se EULEX-i duhet të jetë i pranishëm në këtë hapësirë.

Madje, mendoj se ky mision i duhet më shumë bashkësisë serbe, ngase ne kemi probleme, pasi që nuk kemi institucione që janë në funksion të sundimit të ligjit, mendoj para së gjithash në institucionet e gjykatave, atyre komunale dhe të qarkut, si dhe të një sistemi unik policor.
XS
SM
MD
LG