Ndërlidhjet

Thaçi: Integriteti territorial i Kosovës - i paprekshëm


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi u zotua se institucionet do të ushtrojnë kontrollin në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa deklaroi se ligji do respektohet edhe në mjediset me shumicë serbe.

Emërimi i ministrit të Mbrojtjes, dikaster ky që i takon Partisë Demokratike të Kosovës, do të bëhet gjatë kësaj jave. Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, nga i cili deputetët opozitarë kanë kërkuar shpjegime për, siç kanë thënë, vonesat në funksionalizimin e kësaj ministrie dhe ngritjes së Shërbimit Informativ të Kosovës.

Gjylnaze Syla, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:

“Zoti kryeministër, themelimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe emërimi i drejtorit, zëvendësdrejtorit, inspektorit të përgjithshëm, por edhe i ministrit të Mbrojtjes, kanë një rëndësi të madhe për sigurinë e vendit. Pse po vonoheni në emërimin e këtyre zyrtarëve të rëndësishëm për sigurinë”, ka pyetur kryeministrin, Gjylnaze Syla.

Kryeministri ka thënë se para se të ndodhin emërime, për shkak të ndjeshmërisë së këtyre posteve është dashur të zhvillohen konsulta me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Ministri i Mbrojtjes do të caktohet gjatë kësaj jave, por natyrisht se ky proces do të jetë i ndjeshëm dhe po punojmë në konsulta të ngushta dhe duke respektuar të gjitha parimet më të mira të mundshme të përvojës moderne”.


“Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka vakuum të institucioneve të inteligjencës dhe mbrojtjes. Përkushtimi im është që të punoj me përkushtim më të madh dhe kjo do të ndodhë. Edhe kryeshefi ekzekutiv i Shërbimit Inteligjent të Kosovës do të jetë profesional, multietnik dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe të të gjithë qytetarëve”, tha Thaçi.

Në seancën e fundit të Kuvendit para pushimit veror, deputetët opozitarë kanë kërkuar nga kryeministri shpjegime edhe për shtrirjen e pushtetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin, kryesisht në veri, i cili vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele serbe.

Rita Hajzeraj, nga Aleanca Kosova e Re, ka ngritur çështjen e shkeljes së integritetit territorial nga vendet fqinje.

“Sovraniteti i territorit të vendit tonë dhe Kushtetuta po shkelen në katër anët e Republikës së Kosovës. Kësaj radhe ngre çështjen për hyrjen e trupave të armatosura nga Mali i Zi brenda territorit të Kosovës, si dhe për ndjekjen e shqiptarëve nga pronat e tyre private në veri dhe pjesët tjera kufitare”, u shpreh Hajzeraj.

Por, kryeministri Thaçi ka deklaruar se integriteti territorial i Kosovës do të jetë i paprekshëm dhe se institucionet do të shtrijnë kontrollin në tërë Kosovën. Sidoqoftë, ai ka pranuar se ka vështirësi.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Malit të Zi. Natyrisht se rajoni ynë ka probleme të veçanta që i takojnë mentalitetit të së kaluarës, por, definitivisht, në Kosovë, si shtet i pavarur, duke u respektuar dhe garantuar integriteti territorial i vendit tonë prej NATO-s, SHBA-ve, BE-së, do të ketë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal”, tha Thaçi.

Ekzekutivi është sfiduar nga ligjvënësit edhe për mungesën e sundimit të ligjit në mjediset serbe, përkatësisht për ngritjen e strukturave komunale të dala nga zgjedhjet e paligjshme serbe të 11 majit. Kryeministri ka siguruar deputetët se Kushtetuta do të jetë e zbatueshme në tërë vendin.

“Unë shpeshherë i kam deklaruar popullit tim gjëra të rëndësishme për të mirën e vendit dhe të të gjithë qytetarëve. Prandaj, edhe sot i rideklaroj popullit tim dhe juve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se në Kosovë do të funksionojë rendi dhe ligji, do të funksionojë Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Pjesë debati në seancën e sotme ka qenë edhe problemi i maunave me material toksik, që gjenden në parkun industrial të Trepçës, prania e të cilave ka shkaktuar pakënaqësi te banorët, të cilët tash sa ditë kanë nisur protesta për largimin e maunave.

Edhe për këtë çështje, ekzekutivi ka premtuar se do të gjendet zgjidhja shumë shpejt, përderisa dy suspendime tashmë kanë ndodhur – është suspenduar drejtori i doganave, Naim Huruglica, si përgjegjës për lejimin e hyrjes në Kosovë të këtij materiali toksik, si dhe sekretari permanent i Ministrisë së Ambientit, Muhamet Aliu, për shkak të, siç thuhet, neglizhencës në zgjidhjen e këtij problemi.
XS
SM
MD
LG