Ndërlidhjet

Sinjale për njohje të reja të shtetit


Flamuri i Republikës së Kosovës
Flamuri i Republikës së Kosovës

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se nga të gjitha shtetet që nuk janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, ka sinjale pozitive për njohje të shtetit. Ata madje thonë se është duke u punuar intensivisht për njohje të reja. Nga ana tjetër, edhe ekspertët e së drejtës ndërkombëtare thonë se në ditët në vijim priten njohje të tjera të Republikës së Kosovës.


Në 43 ka ngelur numri i shteteve që kanë njohur shtetin e Kosovës. Kjo ka bërë që opozita të drejtojë vazhdimisht kritika në adresë të Qeverisë për, siç thonë, mosangazhim të duhur për lobim te shtetet që hezitojnë ta njohin shtetin e Kosovës.

Por, Kujtim Shala, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë se ka sinjale pozitive për njohje të reja.

"Njohja varet nga secili shtet veç e veç. Nuk ka grupe të shteteve me interesa të njëjta, varet nga interesat e secilit shtet, por edhe në anën tjetër nga procedurat e secilit shtet. Ne kemi sinjale shumë pozitive nga vende të ndryshme të botës, sidomos të Lindjes së Mesme”.

“Nuk mund të japim kohë, meqë vendet, të cilat japin sinjale pozitive, normalisht që kanë procedurat e veta dhe duhet t'i kalojnë ato procedura. Përpos vendeve që janë deklaruar hapur kundër pavarësisë së Kosovës, nuk ka vende të tjera që nuk japin sinjale pozitive",
tha Shala.

Në anën tjetër, Iliriana Islami, ligjëruese e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, shprehet optimiste se në muajt në vijim do të këtë njohje të tjera për Kosovën.

"Më shumë jam optimiste se do të ketë njohje kolektive, që do të thotë menjëherë me anëtarësim në institucionet e caktuara. Njohja individuale e shteteve do të vazhdojë, varet nga ajo se a do të jetë më e shpejtë apo me numër më të madh. Mirëpo, është me rendësi që shumë shpejt do të jetë e anëtarësuar në mekanizmat e caktuar", tha Islami.

Për t'u bërë anëtare e OKB-së, Kosova duhet të njihet të paktën nga dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate. Iliriana Islami thotë se pas mbledhjeve të fundit në Këshillin e Sigurimit dhe me pjesëmarrjen e presidentit të Kosovës dhe të ministrit të Punëve të Jashtme, Kosova shumë shpejt do ta ketë mundësinë e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

"Njëherë për njëherë, edhe pse shtetet konsiderojnë se është çështje diskrecionale lidhur me atë se a do ta njohin shtetin e ri a po jo, në njëfarë mënyre vetë përfaqësimi i Kosovës në mënyre direkte, konsiderohet se për një periudhë, mos të themi që do të jetë periudhë mjaft e afërt, Kosova do të jetë anëtare e institucioneve dhe në këtë mënyrë konsiderohet se fiton njohjen e shteteve të tjera",
tha Islami.

Ndryshe, zoti Shala thotë se aktualisht çështje primare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, është lobizimi.

"Ministria, në planin e vet të punës, në radhe të parë, sidomos në këtë kohë, ka lobizimin. Që nga nominimi, ministri ka zhvilluar rreth 70 takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës të niveleve të ndryshme, nga ambasadorët, ministrat dhe kryeministrat. Ministri është i fokusuar ekskluzivisht në këtë së bashku me kabinetin e tij, normalisht në bashkëpunim me qeverinë", tha Shala.

Ndryshe, njohës ndërkombëtarë të çështjes së Kosovës konsiderojnë se njohjet e deritanishme të Kosovës si shtet janë të kënaqshme. Megjithatë, ata konsiderojnë se përfaqësuesit e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë me vendet tjera që ende nuk kanë vendosur ose ende nuk kanë lëvizur drejt njohjes.

Pra, sipas tyre, institucionet e Kosovës, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, duhet të përpiqen që ta shtojnë numrin në mënyrë domethënëse.
XS
SM
MD
LG