Ndërlidhjet

Karaxhiqi arrin në Hagë


Karaxhiqi dhe Arkani, Bosnje 1995.
Karaxhiqi dhe Arkani, Bosnje 1995.

13 vjet pas masakrës së Srebrenicës, Radovan Karaxhiq, një nga projektuesit e masakrës më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, arriti në Hagë. Karaxhiq përballet me akuzat për gjenocid dhe krime lufte.

Radovan Karaxhiq, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte, ka arritur mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Hagës. Lajmi konfirmohet nga Gjykata Ndërkombëtare.

"Radovan Karaxhiqi u transferua sot në qendrën e paraburgimit të Gjykatës, pasi kërkohej prej më shumë se 13 vjetësh", thuhet në një deklaratë të Gjykatës së OKB-së.

Në Beograd ai u shoqërua drejt aeroportit nga zyrtarë të maskuar të Shërbimit Sekret të Serbisë.

Karaxhiqi përballet me akuzat për gjenocid për rrethimin katërvjeçar të Sarajevës dhe masakrën e Srebrenicës, ku u masakruan 8000 burra dhe djem boshnjakë nga trupat e serbëve të Bosnjës.

Karaxhiqi u arrestua 11 vjet pas lëshimit të aktakuzës nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Karaxhiqi u arrestua në Beograd, ku prej vitesh, nën një identitet tjetër, ushtronte mjekësinë alternative.

Pas arrestimit, pala mbrojtëse u përpoq të shtynte dërgimin në Hagë, duke vonuar dërgimin e ankesës.

Dje, zyrtarët serbë thanë se ankesa e mbrojtjes së Karaxhiqit nuk kishte mbërritur deri në mbyllje të ditës së punës.

Pas dërgimit në Hagë, mbrojtja tha se kërkesa nuk ishte dërguar asnjëherë. Deklarimet për vonesat postare, apo për një dërgim të mundshëm nga Bosnjë-Hercegovina, ishin vetëm për të fituar kohë.

Svetozar Vojaçiq, avokati i Karaxhiqit, tha se shpreson që gjykimi i klientit të tij të përfundojë në ndonjë gjykatë tjetër dhe jo në atë të Hagës për ish-Jugosllavinë.

Dje, në Beograd, nën organizimin e Partisë Radikale, mbi 10 mijë njerëz protestuan arrestimin dhe dërgimin në Hagë të Karaxhiqit. Protestuesit e cilësuan si tradhtar presidentin dhe Qeverinë aktuale të Serbisë.

Policia përdori gaz lotsjellës për t'i shpërndarë protestuesit ultra-nacionalistë. 50 veta janë plagosur në mesin e të cilëve dhe dy gazetarë.

Në rrugët e Beogradit atmosfera, mëngjesin e sotëm, ishte e qetë, por qytetarët ishin të ndarë në qëndrime.

"Personalisht isha kundër ekstradimit. Ai i shpëtoi serbët e Bosnjës dhe pa atë nuk do të kishte më serbë në Bosnjë", thotë një gazetashitës në qendër të Beogradit.

Ndryshe mendon një tjetër qytetar serb, i cili për agjencinë e lajmeve Reuters tha:

"Po të më pyesni mua, të gjithë kriminelët e luftës duhet të ekstradohen. Do të doja të thosha se nuk ka fajësi kolektive. Përse duhet të fajësoehet Serbia për gjërat që i kanë bërë individët?"

Pas Sllobodan Millosheviqit, Radovan Karaxhiqi është ndër të akuzuarit kryesorë të Hagës. Ende në liri është komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, si dhe udhëheqësi i serbëve të Kroacisë.

Arrestimi i të akuzuarve serbë për krime lufte është kusht për integrimin evropian të Serbisë.

XS
SM
MD
LG