Ndërlidhjet

Zannier: S’do të negocioj në emër të Kosovës


Lamberto Zannier
Lamberto Zannier

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, në takimin që ka zhvilluar me kryeministrin Thaçi, ka sqaruar se pozicioni i tij është që t’i lehtësojë bisedimet me Beogradin, e jo të ndërmjetësojë apo negociojë në emër të Kosovës.


Prishtina do të bisedojë për çështje praktike me Beogradin, si dhe me vendet tjera të rajonit, por nuk do të bisedojë apo negociojë për çështjet e saj të brendshme që prekin sovranitetin shtetëror të Kosovës, tha sot kryeministri Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Ky i fundit tha se e ka njoftuar kryeministrin kosovar për vizionin e Kombeve të Bashkuara në lidhje me rolin e ri të UNMIK-ut në Kosovë, si dhe për përgatitjen e takimeve teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ku Zannier do të ketë rolin e lehtësuesit të këtyre takimeve.

Kryeministri Thaçi, ndërsa ka prezantuar pozicionin e Prishtinës për bisedime me Serbinë, tha se duhet bërë një dallim mes bisedimeve të tashme praktike dhe negociatave, të cilat kanë përfunduar që nga 17 shkurti, kur Kosova shpalli pavarësinë.

“Dëshiroj të shpjegoj se ky nuk është dialog, nuk janë negociata, janë takime në kuadër të mandatit dhe përgjegjësive të zotit Zannier. Takime që do të ndodhin edhe me vendet tjera të rajonit, që ndërlidhen me çështje praktike dhe diçka do të ndodhë në të ardhmen, edhe me institucionet e shtetit të Kosovës, me autoritetet e të gjitha vendeve të rajonit”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi është njoftuar nga Zannier edhe në lidhje me takimin e shefit të UNMIK-ut me ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq. Thaçi tha se Bogdanoviqi, i cili po zhvillon një seri takimesh nëpër Kosovë, si qytetar i Kosovës që është, do të ishte mirë që të merrte edhe pasaportën e Republikës së Kosovës, e cila filloi të lëshohet nga dita e sotme.

Ndërkohë që aktivitetet e tilla të Qeverisë së Serbisë, ai i quajti si spektakle dhe asgjë më tepër.

“Kosova i ka autoritetet e veta shtetërore. Unë nuk mund të ndaloj Beogradin që të formojë dikastere çfarë dëshiron. Por, Beogradi e di se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Qytetarët serbë janë të përfaqësuar në institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Unë nuk mund t'i ndaloj dhe as që pretendoj t'i ndaloj këto spektakle, të cilat Beogradi pretendon t'i bëjë në emër të Kosovës, apo të luhet me ndjenjat e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, tha se i ka sqaruar kryeministrit Thaçi se pozicioni i tij është që t’i lehtësojë këto bisedime dhe jo të ndërmjetësojë apo të negociojë në emër të Kosovës.

Ndërsa Thaçi tha se Kosova nuk do të negociojë me Beogradin për çështjet e saj të brendshme, Zannier përmendi rastin e Suhodollit dhe të doganave të Kosovës, si dy pika që do të mund të dialogoheshin qysh tani me Beogradin.

“Dua të ulem dhe t’i zgjidh problemet. T’u jap një shembull rreth Suhodollit. Kjo është diçka rreth së cilës më duhet të bisedoj me autoritetet e Kosovës, por më duhet të bisedoj edhe me palën serbe”, tha Zannier.

Duke u ndërlidhur me gjendjen në pjesën veriore të Kosovës, mosfunksionimin e rendit kushtetues dhe pamundësinë e autoriteteve kosovare dhe atyre ndërkombëtare që të kontrollojnë kufirin me Serbinë, Thaçi tha se atje po zhvillohet një kontrabandë, kurse protagonistët, sipas Thaçit, u përkasin të gjitha etnive, përfshirë edhe shqiptarët, edhe serbët.

“Ajo çka është interesante në atë pjesë, është se kemi të bëjmë me një kontrabandë, me një krim të organizuar tipik multi-etnik dhe natyrisht se kam kërkuar edhe nga Zannier dhe autoritetet ndërkombëtare që të veprojnë. Është koha e fundit”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa nuk kanë përmendur ndërmarrjen e ndonjë mase konkrete, Thaçi dhe Zannier edhe sot thanë se kthimi i rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës do të jetë një prej angazhimeve të tyre, duke e parë problemin e veriut më shumë si problem krimi, sesa një problem të natyrës politike.
XS
SM
MD
LG