Ndërlidhjet

1.2 miliard eurot ende s’kanë arritur në Kosovë


Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, që u mbajt në Bruksel, më 11 korrik 2008.
Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, që u mbajt në Bruksel, më 11 korrik 2008.

Mjetet e fituara nga Konferenca e Donatorëve ende nuk kanë arritur në Kosovë. Kështu thonë zyrtarë të Qeverisë, sipas të cilëve, këto mjete mund të fillojnë të zbatohen vetëm pasi që Qeveria të formojë strukturat për koordinimin e këtyre mjeteve. Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë pohojnë se në këto grupe duhet të përfshihen njerëz që nuk kanë elementet për dyshim për keqpërdorim të mjeteve.


Ende nuk kanë arritur në Kosovë donacionet e fituara nga Konferenca e Donatorëve, që është mbajtur më 11 korrik në Bruksel, nga e cila Kosova ka fituar 1.2 miliard euro. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Ekonomisë dhe Financave,
Ahmet Shala.

Por, megjithatë, ai thotë se gjatë konferencës, me donatorët janë marrë vesh që deri në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës të formojë struktura për koordinimin e donacioneve.

Vetëm pas formimit të këtyre strukturave, thotë Shala, donatorët do t’i konsolidojnë të gjitha procedurat e tyre vendimmarrëse.

“Disa prej tyre tashmë i ka bërë, p.sh. Banka Botërore tashmë ka premtuar se 40 milionë euro i kanë në dispozicion; disa të tjera i kanë procedurat e vendimmarrjes në proceset e tyre. Por, diku kah vjeshta fillon të mbushet fondi i mirëbesimit, i cili është hapur në Bankën Botërore. Aty janë dy fonde, njëri është për shlyerjen e borxheve dhe tjetri për zhvillime humane, i ashtuquajtur”,
tha Shala.

Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me donatorët, duhet sa më shpejt t’i formojnë këto struktura, në mënyrë që mjetet e fituara nga Konferenca e Donatorëve, të fillojnë të zbatohen në projektet konkrete.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, ndërkaq thotë se në këto grupe duhet të përfshihen njerëz që kanë më pak elemente për dyshim të keqpërdorimit të donacioneve..

“Në këto grupe duhet të jenë të fokusuar njerëz profesionalë, njerëz që kanë më pak elemente për dyshim të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, njerëz që e kanë besimin tek opinioni publik. Kjo do të çojë deri tek forcimi i besimit tek donatorët dhe opinionit, që këto para do të shpenzohen në mënyrë racionale, në mënyrë që këto para të lënë përshtypje tek donatorët për mbështetje të mëtutjeshme”, tha Shahini

Kosova është e gatshme me strukturat e veta deri në fund të shtatorit, thotë ministri Shala, për të koordinuar me mjetet e donatorëve dhe me procedurat e nevojshme për alokimin e donacioneve.

“Harmonizimi i kritereve për alokim konform prioriteteve të Qeverisë së Kosovës. Ne kemi qenë mjaft të zëshëm dhe konsideroj se me shumë ngulm kemi kërkuar që çdo derdhje e parave të jetë konform prioriteteve të Qeverisë së Kosovës. Ne jemi të gatshëm të koordinojmë çdo veprim, bashkë me donatorët tonë dhe partnerët strategjikë”, pohon Shala.

Ministri Shala thotë se menjëherë pas arritjes së donacioneve, Qeveria e Kosovës do të fillojë me shpërndarjen e mjeteve në fushat prioritare të Qeverisë.

Në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, Qeveria e Kosovës ka caktuar gjashtë prioritete, që janë transporti, infrastruktura, energjia, arsimi dhe shëndetësia.

“210 milionë euro janë ndihmë buxhetore, ndërkaq 613 milionë euro janë të dedikuara për projekte, të cilat në dialog me donatorët do t’i fokusojmë në prioritetet e Qeverisë. Janë edhe pjesa tjetër për ndihmë teknike. Do të kërkojmë me ngulm që asistenca teknike të koordinohet më mirë, sesa ka qenë deri më tani”,
pohon Shala.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë qenë tre donatorët më të mëdhenj në Konferencën e Donatorëve për Kosovën.
XS
SM
MD
LG