Ndërlidhjet

logo-print

“Thaçi e Zannier injorojnë njëri-tjetrin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Duke reaguar në negociatat që përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Kosovë, Lamberto Zannier, është duke i zhvilluar me Beogradin, shefi i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë çdo mundësi që ky proces të zhvillohet nga Kombet e Bashkuara në emër të Prishtinës, meqë, sipas tij, kjo prek sovranitetin e vendit. Kreu i Qeverisë madje ka injoruar dhe ka refuzuar që ta njohë këtë proces si negociator, duke e quajtur atë thjesht si bisedime ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit, nga të cilat nuk mund të ketë vendimmarrje. "Dëshiroj të shpjegoj se ky nuk është dialog, nuk janë negociata, janë takime në kuadër të mandatit dhe përgjegjësive të z. Zannier. Takimet që po ndodhin edhe me vende të tjera të rajonit që ndërlidhen me çështje praktike...asgjë që lidhet me pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës nuk mund të negociohet as të dialogohet", ka thënë kryeministri Thaçi në prani të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier...

EPOKA E RE
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka takuar të mërkurën ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, për t'i vazhduar bisedimet për polici dhe gjyqësi. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi e ka ironizuar këtë vizitë, duke e ftuar Bogdanoviqin të marrë pasaportë të shtetit të Republikës së Kosovës. Pas takimit, Bogdanoviq ka thënë se me Zannierin është pajtuar që dialogu për gjyqësi e polici të vazhdojë javën e ardhshme. "U morëm vesh që të vazhdojë ky dialog javën e ardhshme dhe përfaqësuesit e drejtësisë dhe policisë së UNMIK-ut të bisedojnë me përfaqësuesit e gjykatave dhe policisë nga veriu i Kosovës", ka thënë Bogdanoviq, para gazetarëve të Kosovës, për të shtuar se dialogu në
këta dy sektorë është i nevojshëm për serbët lokalë, për shkak se ata, sipas tij, janë në ato struktura dhe më së miri e dinë se me çfarë përballen komunitetet. Bogdanoviq ka thënë se për të gjitha këto çështje ka gjetur mirëkuptim te shefi i UNMIK-ut...

BOTA SOT
Para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicë kanë vazhduar protesta të qytetarëve të Mitrovicës me kërkesën për largimin e menjëhershëm nga Kosova të maunave me helm. Pas ndëshkimit të dy prej përgjegjësve për hyrjen e maunave me helm dhe qëndrimit të tyre në Kosovë, Këshilli Organizativ i Protestave kërkon dorëheqjen dhe ndëshkimin edhe të përgjegjësve të tjerë lidhur me dëmet që po shkaktojnë maunat me helm dhe largimin e tyre të menjëhershëm nga Kosova. Halil Qela, anëtar i KOP-it, tha para qytetarëve të pranishëm në protestë se KOP-i kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar, shefit të protokollit të qeverisë, Bekim Çollakut, si person i involvuar drejtpërdrejt në këtë çështje, si dhe menaxherit të Trepçës, Nazmi Mikullovcit, i ciii është përgjegjës për vendosjen e maunave me helm në Parkun Industrial "Trepça", për të cilët ekzistojnë fakte që vërtetojnë bashkëpunimin e tyre në këtë krim. Po ashtu, kërkohet përgjegjësi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, për intervenimin e dhunshëm kundër protestuesve gjatë protestave kundër maunave me helm...

INFOPRESS
Shumë shpejt Republika e Kosovës do të njihet si shtet i pavarur edhe nga një bllok i ri shtetesh nga mbarë bota. Ky tashmë nuk është vetëm disponim dhe dëshirë e Qeverisë së Kosovës, por një konkludim që del i qartë nga deklaratat dhe premtimet direkte që i kanë dhënë drejtuesit dhe shefat e diplomacisë së këtyre vendeve. Takimi influencues i krerëve të Kosovës me presidentin e SHBA-ve, George Bush, ka mbushur mendjen për njohje edhe të atyre shteteve që ishin të luhatshme. Dhe, tashmë pritet që numri 43 i shteteve që kanë njohur Kosovën, të dyfishohet apo edhe të kalojë këtë parashikim. Gjithçka nis nga dy shtetet fqinje të Kosovës, Maqedonia dhe Mali i Zi. Maqedonia ka bërë të ditur se shumë shpejt do të njohë Republikën e Kosovës, dhe si kusht ka vënë caktimin e vijës kufitare dhe zgjidhjen e "Debëlldesë". Konfirmimin për njohjen e shpejtë që do t'ia bëjë Maqedonia shtetit më të ri në bote e ka dhënë edhe zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Sipas tij, formimi i Qeverisë së re të Maqedonisë do të ndikojë në përshpejtimin e njohjes së Kosovës...

LAJM
KFOR-i, të mërkurën, i ka tërhequr buldozerët dhe makinerinë tjetër nga Suhadolli, me të cilën duhej të kryheshin punimet në ujësjellësin për fshatrat shqiptare, duke u dorëzuar para presioneve të serbëve lokalë. KFOR-i ka thënë se është i interesuar të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, por jo kundër dëshirës së një grupi tjetër qytetarësh. "KFOR-i nuk dëshiron të hedhë benzinë në zjarr", ka thënë zëdhënësi i KFOR-it francez, Giam Kuro, duke saktësuar se trupat paqeruajtëse nuk do ta përdorin forcën për realizimin e pjesës së mbetur të projektit të ujësjellësit në Suhodoll. Aktualisht, KFOR-i dhe Kuvendi Komunal i Mitrovicës janë duke shqyrtuar disa opsione të tjera, që do të siguronin furnizim me ujë të pijshëm nga ujësjellësi kryesor për tri fshatrat shqiptare në anën veriore të Ibrit, por duke evituar kalimin e tubave nëpër Suhadoll...

KOSOVA SOT
Ligjvënësit kosovarë, në vazhdimin e seancës së fundit të 6-mujorit të parë të këtij viti, që korrespondon me përmbylljen e sezonit veror të punës së Kuvendit, pas një zvarritjeje tepër të gjatë dhe mosmarrëveshjeve, arritën të mërkurën ta kompletojnë dhe ta miratojnë përfundimisht listën me emrat e 5 kandidatëve për anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Në versionin e fundit të listës së propozuar janë gjetur emrat e Hysni Hoxhës, Demë Kekës, Tefik Sylejmanit, Baki Krasniqit dhe Ekrem Salihut. Edhe pse pengesa kryesore qe është paraqitur deri tash, mosdhënia e votës për listën e pakompletuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së është tejkaluar si shumicë, edhe në seancën e djeshme përplasjet për këtë listë që u votua, kanë qenë shumë të ashpra jo vetëm si reagim i opozitës, por edhe për zëra kundërshtues brenda pozitës. Reagime kundër pati brenda vetë Grupit të LDK-së dhe të grupeve parlamentare të komuniteteve pakicë në një anë, por edhe nga ana tjetër e subjekteve politike opozitare...

EXPRESS
Fehmi Mujota dhe Ramadan Avdiu duket se do të jenë dy emrat e rinj që do t'i bashkohen Qeverisë Thaçi. Të mërkurën shumëçka është sqaruar rreth emërimeve të reja, derisa një sërë emrash të tjerë kanë rënë nga kombinimi. Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, në kusht anonimiteti, ka thënë për Express se është çështje orësh kur kryeministri Hashim Thaçi do t'i publikojë dy emrat e rinj të Kabinetit të tij. "Fehmi Mujota, sipas të gjitha gjasave, do të jetë ministër i Forcës së Sigurisë, ndërkaq Ramadan Avdiu - zëvendësministër i Punëve të Jashtme", ka thënë burimi i gazetës, të mërkurën. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës, Ministria e Forcës së Sigurisë dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithëkëtë, në bazë të burimeve të gazetës, kjo çështje nuk është diskutuar ende në Kryesinë e PDK-së, por gjithçka duket se do të vendoset nga lideri i kësaj partie dhe kryeministri aktual, Hashim Thaçi...
XS
SM
MD
LG