Ndërlidhjet

Disa institucione publike në Kosovë, për shkak të sigurisë, mjetet e tyre financiare i kanë plasuar në bankat ndërkombëtare. Sipas ekspertëve të ekonomisë, janë 1.5 miliard euro në bankat jashtë Kosovës. Kjo, sipas tyre, përveç se ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik, ka krijuar një imazh të keq për sistemin bankar në Kosovë.

Afër 300 milionë euro të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës gjenden në bankat jashtë Kosovës. Kështu thotë zëvendësdrejtori i këtij trusti, Agron Krasniqi.

Ai thotë se në bazë të ligjit në fuqi, trusti është i obliguar që një pjesë të mjeteve t’i plasojë në bankat botërore. Ndryshe, sipas ekspertëve të ekonomisë, me rënien e tregjeve globale, vlera e aksioneve të trustit ka rënë për 45 milionë euro. Por, lidhur me këtë, Krasniqi thotë:

“Vlera e aksioneve në tregjet botërore ka rënë, çka do të thotë që transaksioni nuk ka ndodhur dhe kjo humbje nuk është realizuar. Po të kërkoheshin që këto mjete të ktheheshin në Kosovë, që do të thotë t’i shesim me aksionet që i kemi atje, është e vërtetë se kjo vlerë do të ishte për rreth 8 për qind të mjeteve, apo rreth 22 milionë euro”.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se nuk janë vetëm mjetet financiare të trustit që mbahen në bankat jashtë Kosovës. Ismail Kastrati pohon se edhe një pjesë e suficitit të buxhetit të konsoliduar të Kosovës gjendet jashtë sistemit bankar kosovar.

Ai ndërkaq thotë se mjetet e plasuara në bankat ndërkombëtare, përveç se kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik, kanë krijuar një imazh të keq për sistemin bankar në Kosovë.

“Do të thotë, rreth një miliard e gjysmë euro e mjeteve financiare janë jashtë qarkullimit të biznesit dhe e kanë lënë biznesin kosovar pa oksigjen financiar. Ndërkaq, angazhim kemi rreth sigurimit të donacioneve për ta ringjallur biznesin dhe ekonominë”, tha Ismaili.

Për një gjë të tillë, nuk kanë dashur të prononcohen zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Por, eksperti tjetër, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se mjetet e taksapaguesve kosovarë mbahen jashtë Kosovës, për shkak, siç thotë ai, mungesës së politikës së mirëfilltë për menaxhimin e tyre.

“Në qoftë se ato mjete futen në buxhetin e Kosovës, apo janë në dispozicion në Kosovë, atëherë përparësitë janë të shumta. Në rend të parë nuk duhet të analizohen vetëm të gjitha këto përparësi vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin e prezantimit të ambientit të sigurt të Kosovës, karshi investitorëve të huaj dhe shtëpive financiare të mëdha botërore. E jo e kundërta, që ne të kërkojmë ndihmë nga të tjerët dhe mjetet tona të mos jenë në Kosovë, apo të jenë në shërbim të tjetërkujt”, tha Gërxhaliu.

Ardhja e këtyre mjeteve në bankat që veprojnë në Kosovë, do të ndikonte edhe në uljen e normave të interesit për kredi, thotë Ismail Kastrati, çka, sipas tij, do të ndikojë edhe në ngritjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

“Normalisht, para së gjithash, bankat e Kosovës do të lëshonin qarkullim, kredi më shumë, duke filluar edhe me kushte më të mira, duke filluar edhe nga afati më i gjatë, por edhe me kamata më të ulëta. Në anën tjetër, këto do të ndikonin edhe në rregullimin e infrastrukturës me projektet konkrete”, pohon Kastrati.

Por, Agron Krasniqi, nga Trusti i Kursimeve Pensionale, pohon se shuma e mjeteve të trustit nuk mund të kthehen në Kosovë, nëse nuk ndryshohet ligji.

“Është kompetencë e Parlamentit të Kosovës që t’i bëjë këto ndryshime të caktuara. Bordi i Trustit të Kursimeve Pensionale ka përgjegjësi për menaxhimin e këtyre mjeteve dhe ata duhet të ndërmarrin çdo gjë që këto mjete të jenë sa më të diversifikuara dhe këto mjete të investohen sipas legjislacionit në fuqi”, tha Krasniqi.

Ndryshe, përveç mjeteve financiare që mbahen në bankat e jashtme dhe nuk shfrytëzohen në Kosovë, janë edhe mbi 350 milionë euro të Fondit të Mirëbesimit, i cili është krijuar si rezultat i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, e që mbahen të ngrira në Bankën Qendrore të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG