Ndërlidhjet

Paralajmërohet emërimi i ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të AKI-së


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Emërimi i ministrit të Forcës së Sigurisë dhe shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI-a) do të bëhet brenda javës, kanë thënë sot sërish zyrtarë të lartë qeveritarë në Prishtinë.


Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka rikujtuar deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi të bëra këtë javë para Kuvendit, se brenda javës Qeveria do të kompletohet me emërimet e posteve të larta ministrore.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se siguria në Kosovë nuk është një përgjegjësi vetëm e kosovarëve, kështu që emërimi i ministrit të Forcës së Sigurisë, përkatësisht atij të Mbrojtjes, do të bëhen në koordinim edhe me ndërkombëtarët.

Unë mendoj se vendimet që kemi marrë dhe duhet t’i marrim janë gjithmonë në përputhje jo në kuptimin e pikëpamjes së plotësimit të vakumit kohor, por të qëndrueshmërisë kohore dhe se vendimet që kemi marrë dhe do t’i marrim janë gjithsesi në segmentin e sigurisë, të koordinuara me faktorin ndërkombëtar”.

“Kemi KFOR-in prezent, do të kemi procese shumë me rëndësi bashkë me NATO-n, dhe mendoj se jemi duke e bërë një zgjidhje që edhe qytetarët do të ndihen mirë, por njëkohësisht edhe ambienti qoftë politik vendor, apo ndërkombëtar”, u shpreh Kuçi.

Ndërkohë, duke iu referuar shumë shkrimeve nëpër mediat lokale në lidhje me emrat e mundshëm për ministër të Forcës së Sigurisë, përkatësisht atij të mbrojtjes, pastaj shefin e Agjencisë së Inteligjencës, si dhe postin e zëvendësministrit të jashtëm, Kuçi tha se nuk i mohonte, por as pohonte spekulimet mediave. Sidoqoftë, ai tha se të gjithë emrat e përfolur deri më tash janë emra të respektuar.

“Me siguri që spekulimet nuk janë diçka që pikin nga qielli, nëse më lejohet ta them kështu. Por, nuk dua ta them që paraprakisht se të gjithë emrat që janë përmendur, janë emra të respektuar për Qeverinë e Kosovës, në këtë rast edhe për kryeministrin, por mendoj që një nga ta do të jetë ministër ose emra që janë përmend ose dikush tjetër”.

“Mund të them që vendimi është duke u marrë pa ndikimin e atyre që u janë përmendur emrat”, theksoi Kuçi.

Ministria e Forcës së Sigurisë, ajo e Jashtme, si dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, bien mbi fushat e reja të përgjegjësive kushtetuese që ka marrë Qeveria e Kosovës pas fuqizimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ministria e Forcës së Sigurisë, në bashkëpunim me NATO-n, bën transformimin e TMK-së drejt zhbërjes dhe formimin e Forcës së Sigurisë, që do të jetë nën mbikëqyrjen e plotë të NATO-s.

Sidoqoftë, Kushtetuta ka hyrë në fuqi që nga 15 qershori i këtij viti, kurse përjashtuar Ministrinë e Jashtme, e cila është gjysmë funksionale, ajo e Mbrojtjes dhe organet tjera nuk kanë nisur ende me punën e tyre.
XS
SM
MD
LG