Ndërlidhjet

logo-print

Beqiri: Po cenohet aspekti politik i tërësisë territoriale


 Ismet Beqiri

Ismet Beqiri

“Veriu po keqpërdoret. Në këtë mënyrë po cenohet edhe aspekti politik i tërësisë territoriale të Kosovës”, thotë Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqiri, institucionet e Kosovës kanë premtuar se Kushtetuta do të zbatohet në të gjithë territorin, por një gjë e tillë nuk po ndodh, e veçanërisht në veri. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

ISMET BEQIRI
Sipas Kushtetutës, i gjithë autoriteti i institucioneve të Kosovës do të duhej të shtrihej në të gjithë territorin. Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk po ndodh dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Nuk po them që nuk është dëshirë e jona që kjo të ndodhë, por mes dëshirës dhe realitetit është diçka tjetër në terren.

Veriu po keqpërdorët, ose pse mos të thuhet që ajo pjesë e Kosovës po kontrabandohet në një mënyrë, ose po është një hapësirë e mirë e kontrabandimit në aspektet dhe në format më të rënda të kontrabandimit ekonomik.

Por, për ne është edhe më e rëndë se në këtë mënyrë po cenohet edhe aspekti politik i tërësisë territoriale të Kosovës, të asaj që garantohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me aktin më të lartë shtetëror.

Pse kjo po ndodh, unë mund të them se sikur për disa vite edhe UNMIK-u, edhe ne ndoshta, por UNMIK-u më shumë ka lejuar krijimin e një hapësire të tillë, të tentimit të krijimit të një imazhi, ose një ndjenje tek serbët e asaj pjese sikur kjo është normale që ne të mos i nënshtrohemi institucioneve të Kosovës, në kuptimin të mos i nënshtrohemi në aspektin e respektimit të këtyre institucioneve dhe tërësisë territoriale.

Mendoj që këtu është një pjesë e fajit, posaçërisht e atyre që i kanë menaxhuar kufijtë deri tani. E di që është çështje e ndjeshme, kërkon edhe pak kohë, kërkon edhe një qasje shumë të kujdesshme ndaj kësaj.

Por, megjithatë, mendoj se është koha e fundit që ato pika kufitare që janë djegur, të rikthehen. Nuk mjafton kjo që është aktualisht, me ato patrullime që bëhen, ose me qëndrimin, edhe statik të jetë, të trupave të KFOR-it. Mendoj që kjo nuk është zgjidhje.

Duhet të dihet kush hyn dhe kush del, duhet të jetë e qartë që secili që hyn në kufi të Kosovës, duhet t’i nënshtrohet kontrolleve të nevojshme. Mendoj se është koha e fundit që institucionet tona të tregojnë se e shtrijnë autoritetin dhe duhet ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës.

Këtu e kam fjalën para së gjithash për të gjithë ata që janë përgjegjës, në radhë të parë për Qeverinë e Kosovës. Unë mendoj se deklaratat më nuk mjaftojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë të ndryshëm konsiderojnë se kombinimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë, atij të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara, po vështirëson zhvillimet politike në vend. Ju, si mendoni?

ISMET BEQIRI
Edhe unë mendoj që ky kombinim nuk do të mund të jetë sa duhet funksional. Këtu sikur po bëhen 3-4 pushtete, thënë kushtimisht. Kjo është reale, për dike mund të duket që nuk është ashtu, por tregon fakti që EULEX-i ka një pjesë të autoritetit në segmente të caktuara të shtetit të Kosovës ose të pjesëve të institucioneve që veprojnë në kuadër të shtetit të Kosovës, sikur edhe UNMIK-u që tenton për aq sa do të jetë të ruajë një pjesë të autonomisë së veprimit të vet dhe në anën tjetër i kemi në bazë të Kushtetutës institucionet e Kosovës.

Është shumë e qartë figurativisht edhe tekstualisht, edhe formalisht e juridikisht në Kushtetutë, që UNMIK-u do të duhej të shpërbëhej. Unë e di që është rikonfigurimi, jam i vetëdijshëm që kërkon dhe një kohë.

Megjithatë, unë mendoj që tentimi i Beogradit dhe i disa qarqeve që janë pak, por që për momentin po na bëjnë probleme, është që UNMIK-u të ruajë një pjesë të kompetencave të veta, gjë që unë mendoj se është e papranueshme.

Është shumë e qartë që sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet të jenë institucionet e Kosovës, dhe UNMIK-u nuk do të duhej të luante rolin e një institucioni që kryen punë sa për të bërë qefin e disa qarqeve të caktuara, strukturave paralele, posaçërisht serbe.

Kjo fazë, kjo epokë duhet gradualisht të mos ketë 3-4 shkallë të pushtetit, jo në aspektin qendror lokal, por në aspektin qendror të bartjes së kompetencave nëpër disa institucione.

Nuk duhet harruar asnjëherë që pjesa veriore e Kosovës është në një gjendje më të keqe, posaçërisht Mitrovica dhe ata njerëz gradualisht duhet të ndjejnë dorën e pushtetit në kuptim pozitiv të Kosovës, duke ruajtur edhe aspektin e trajtimit, ashtu siç duhet edhe sipas Kushtetutës sonë, të komuniteteve të tjera, në këtë rast të komunitetit serb, edhe pse komuniteti serb nuk do të duhej të sillej, se nuk është super-komunitet, por është një komunitet të cilit i garantohen të gjitha të drejtat që janë në konventa, më shumë se në çdo vend tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Numri i shteteve që kanë njohur Kosovën shtet, ka ngelur në 43, mirëpo janë paralajmëruar njohje të tjera, gjë që nuk po ndodh. Sipas jush, ku qëndron problemi?

ISMET BEQIRI
Në këtë fazë, kaluan disa javë, mos të them muaj, që nga njohja e fundit dhe nuk është ndonjë ndjenjë e mirë, edhe pse ishte një njohje e vrullshme në një mënyrë dhe fillimisht premtonte shumë.

Nuk është numër për t’u nënçmuar, sepse janë shtete që kanë peshë në spektrin dhe gjeografinë politike botërore, padyshim nga vetë fakti që jemi njohur nga shteti më i fuqishëm, SHBA-të dhe shtetet kryesore të BE-së.

Unë mendoj që Ministria e Punëve të Jashtme, me gjithë punën e ministrit që po mundohet për aq sa ka mundësi, duhet të gjejë çdo alternativë të mundshme, jo alternativë të institucionit, por ajo që i shkon në dobi një lobimi edhe më të madh, nuk mendoj që bën keq, përkundrazi, unë kam vërejtje që në disa shtete nuk jemi aktivë.

Secili mund të japë kontribut në këtë drejtim, në kuptimin e të kanalizuarit të veprimeve dhe të harmonizimit të veprimeve me ministrinë dhe ministrin, por unë mendoj që duhet të jemi shumë më agresivë, kushtimisht thënë.

Kjo që po e shtyjnë disa shtete njohjen, është një “meritë” e një agresiviteti politik serb, dhe është e arsyeshme të pritet, sepse nuk presim diçka tjetër prej tyre. Megjithatë, në të njëjtën masë duhet ta kthejmë dhe ne, të jemi agresivë në kuptimin pozitiv, sepse kemi argumente dhe është një realitet i ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Partitë opozitare po kërkojnë të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë. Ju, si mendoni, a duhet të mbahen ato?

ISMET BEQIRI
Me pakon e Ahtisaarit, nuk mund ta mohojmë se parashihen edhe zgjedhjet lokale që të mbahen vitin e ardhshëm, por është edhe një pjesë atje ku parashihet që prej 6-9 muaj të mbahen zgjedhjet. Tash varet shumë qëndrimi politik.

Kur është fjala për zgjedhjet, nuk mund të gjendet konsensus i të gjithë subjekteve politike që të mbahen apo të mos mbahen, por ndoshta për këtë vit është e pamundur një gjë e tillë për shumë arsye. Por, duhet të dihet që edhe nëse mbahen zgjedhjet, do të duhej të koordinoheshin edhe me ata që i kemi aleatë.

Nuk është asgjë e pamundur, tash do të shohim se si do të veprohet. Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin në momentin kur konsiderohet se është e nevojshme.

Nuk është e thënë të bihet në kriza të ndryshme dhe të mbahen, por të shihet koha më e përshtatshme. Zgjedhjeve askush nuk ka arsye t’u frikësohet. Edhe me partnerin e koalicionit duhet të bisedohet, por do të duhej të koordinohej kjo punë edhe me faktorin ndërkombëtar, me ata që i kemi miq të vërtetë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG