Ndërlidhjet

logo-print

Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë grevë



Këshilli Kombëtar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në të gjitha nivelet shëndetësore.

Asllan Bajrami, kryetar i kësaj Federate, pohon se arsyet e zhvillimit të grevës janë mospërmbushja e premtimeve për rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë dhe ndalimit të procedimit të mëtutjeshëm të dy ligjeve bazë: Ligjit të punës dhe Ligjit për sigurimet shëndetësore.

Ai tha se greva do të mbahet më 14 gusht në tërë territorin e Kosovës.

“Greva është paralajmëruese, është njëditëshe dhe gjenerale. Ka një afat prej afër dy javësh për Qeverinë që të akseptojë mirë këtë situatë, e cila është shumë serioze dhe eventualisht të jetë në nivel të detyrës dhe të mos lejojë që të fillojë një cikël i grevave, të cilin nuk do ta kishim dëshiruar, e i cili do të provokonte edhe kërkesa dhe greva të tjera”, tha Bajrami.

Bajrami tha se nëse pagat e punëtorëve shëndetësorë nuk rriten për 50 për qind dhe nuk kthehet ligji për sigurime shëndetësore për miratim në Kuvendin e Kosovës, greva do të marrë formë tjetër. Paga e një specialisti në sistemin shëndetësor është 250 euro, që nuk përmbush nevojat elementare të tyre, thotë Bajrami, duke shtuar se këto paga madje kanë ndikuar, siç thotë ai, në zhvillimin e dukurive negative në sistemin shëndetësor.

“Nëse nuk ndërmerr, kjo grevë do të mbahet një ditë dhe pastaj prapë organet tona do të vendosin për formën dhe modalitetet e veprimet e mëtutjeshme, ku normalisht se do të jenë statusore dhe sipas konventave ndërkombëtare, sepse ligj për grevat nuk kemi për fat të keq“, shprehet Bajrami.

Shkas për mbajtjen e grevës është edhe vendimi i Qeverisë që ka ndarë 2 milionë euro për rritjen e pagave të mësimdhënësit, thotë Bajrami, duke shtuar se zyrtarë të Qeverisë kishin premtuar se me rishikimin e buxhetit do të shikohen mundësitë edhe për rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

Mund të jetë një shkas plus i iritimit, që punëtorët shëndetësorë të mendojnë se vërtet janë lënë pas dore, të anashkaluar në shumë raste, jo vetëm në këtë rast. Ju e dini se ka pasur ngritje të pagave edhe më herët, sado që kanë qenë simbolike, ndërkaq për shëndetësinë as që flitet. Në realitet ka pasur edhe premtime publike, edhe premtime zyrtare edhe me rastin e miratimit të buxhetit”, thotë Bajrami.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë pranojnë se pagat e punëtorëve shëndetësorë janë shumë të vogla, por, megjithatë, mundësitë buxhetore nuk lejojnë rritje të pagave për 50 për qind. Kështu thotë Zef Komoni, nga kjo ministri, duke shtuar se vitin e ardhshëm do të ketë ndryshime pozitive në favor të punëtorëve shëndetësorë.

“Ministria e Shëndetësisë ka bërë mjaft përpjekje në mënyrë që shëndetësinë ta vendosë në prioritetet e Qeverisë. Një ndër prioritetet ka qenë edhe ndarja e punëtorëve shëndetësorë nga lista e shërbyesve civilë, për arsye se e kanë një profesion më specifik. Mirëpo, duhet të jetë e vetëdijshme sindikata që Ministrinë e Shëndetësisë e ka partnere në realizimin e kërkesave dhe kërkesat e tyre janë deri diku reale, mirëpo duhet analizuar edhe mundësitë e Qeverisë së Kosovës”, thotë Komoni.

Punëtorët e sistemit e shëndetësor, thuajse për çdo vit, në forma të ndryshme, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për ngritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës.

Por, deri më tani, asnjë qeveri nuk ka arritur të plotësojë kërkesat e tyre, për shkak të, siç është thënë, mungesës së mjeteve financiare.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG