Ndërlidhjet

Dervishi: OKB s'ka më rëndësi në politikën planetare


Teki Dervishi

Teki Dervishi

“Kosova s'duhet të pretendojë që të anëtarësohet në disa organizata të dështuara politikisht", thotë analisti Teki Dervishi.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dervishi, janë paralajmëruar bisedimet e mundshme në mes të Prishtinës dhe Beogradit për, siç thuhet, çështje teknike. Çka, sipas jush, mund të sjellin bisedimet e tilla dhe a prisni ndonjë qetësim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë?

TEKI DERVISHI
Bisedimet për të ashtuquajturat çështje teknike nuk janë asgjë tjetër pos një tendencë tashmë e hapur e disa faktorëve influentë në Këshillin e Sigurimit, të cilët dëshirojnë që pavarësinë kushtetuese të Kosovës ta mbajnë në një status quo problematike politike jo vetëm për Kosovën, por edhe për krejt Ballkanin, që të mos them edhe më gjerë.

Këto nuk janë bisedime teknike dhe këto bisedime teknike nuk i ka kërkuar faktori politik i Kosovës, por i ka kërkuar një faktor i jashtëm. Kështu që për ne ato nuk janë interesante edhe nëse lidershipi kosovar pranon të hyjë në këto biseda teknike.

Por, edhe pas këtyre bisedave, çështja që pyetni ju se a do të përmirësohen marrëdhëniet Serbi-Kosovë, unë mendoj, duke u nisur nga përvoja historike e Serbisë, që këto marrëdhënie me Kosovën, do të duhej edhe shumë e shumë dekada të kalojnë, që të përmirësohen, që të mos themi se nuk do të përmirësohen kurrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pala kosovare ka theksuar se nuk do të bisedojë për çështje të brendshme, ndërkaq shefi aktual i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka thënë se do të bisedohet edhe për çështjen e doganave, policisë dhe gjykatave. Sipas jush, a mund të konsiderohen edhe këto si çështje teknike?

TEKI DERVISHI
Çështjet e doganave, policisë dhe gjyqeve nuk janë çështje teknike, por, përkundrazi, janë çështje shtet-formuese. Këtyre tri çështjeve u mungon vetëm edhe çështja e sigurisë dhe e forcave të armatosura.

Këto domethënë janë elemente shtet-formuese. Si mund të jetë çështje teknike problemi i doganave ose i gjyqësisë apo i policisë? Unë këtë nuk e kuptoj. Këto janë disa spekulime politike që përpiqet t’i kontrabandojë UNMIK-u për ta mbajtur situatën jostabile në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se duhet të bëjë në këtë situatë pala kosovare?

TEKI DERVISHI
Pala kosovare ka për obligim që ta respektojë Kushtetutën e shtetit të saj të pavarur dhe nëse nuk respektohet Kushtetuta, do të thotë pavarësia e Kosovës, ata në çfarëdo solucioni tjetër do të dalin të gabuar, që të mos them se do të dalin diçka edhe më tepër.

Ne jemi definitivisht shtet i pavarur, pavarësisht se kush na pranon e kush s’na pranon, dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë të pavarur.

Pavarësia nuk do të thotë se është zgjidhur çdo gjë. Mirëpo, pavarësinë, pala kosovare nuk guxon ta cenojë nën trysninë e elementeve të ndryshme ‘ndërkombëtare’, për shkak se ndërkombëtare s’do të thotë kurrgjë, për shkak se brenda ndërkombëtaritetit ekzistojnë polaritete shumë të ashpërsuara rreth qëndrimit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjendja në anën veriore të Mitrovicës vazhdon të jetë problematike. Si e shihni ju shtegdaljen e mundshme nga kjo gjendje?

TEKI DERVISHI
Kjo është shumë vështirë të prejudikohet. Shtegdalja e saj është vetëm zbatimi i Kushtetutës së Kosovës.

Mirëpo, sa ka fuqi shteti aktual dhe pushteti, Qeveria e Kosovës, që sot ta zbatojë atë Kushtetutë, kjo është shumë diskutabile, për shkak se edhe qëndrimi i këtyre forcave ndërkombëtare që kanë mbetur, duke filluar këtu edhe me KFOR-in, ato hezitojnë dhe nuk dihet qëndrimi i tyre konkret rreth problemeve që janë shumë aktuale dhe ‘de facto’ shkaktojnë ndarjen e Kosovës.

Por, një gjë mund të dihet – kjo situatë nuk do të mund të shkojë shumë lart.

Mendoj se nëse kjo situatë nuk zgjidhet edhe për një kohë të gjatë, kurse kuptohet se këtë situatë nuk mund ta zgjidhin as Serbia, as Kosova, por një ndërhyrje ndërkombëtare, atëherë varet se a do të funksionalizohen këta ndërkombëtarë që ekzistojnë sot në Kosovë, apo do të bëhet ndonjë konferencë tjetër, apo dikush i ka llogaritur disa trazira të tjera, që të zgjidhen pastaj çështjet që dalin nga e ashtuquajtura Kuti e Pandorës, që çështja e Kosovës të marrë dimensione të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare edhe të disa popujve.

Unë mendoj se shqiptarët, të cilët nuk e kanë zgjidhur çështjen shtet-formuese në Ballkan, aq më pak edhe serbët – edhe ata kanë problemet e tyre të konteksteve territoriale historike, ato duhet të diskutohen në një konferencë mbi Ballkanin.

Përndryshe, do t’i lejohet një spontaniteti, i cili do të jetë shumë i rrezikshëm dhe do të rrezikojë jo ndonjë luftë lokale, por luftën e tretë ballkanike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se krimi i organizuar në veriun e Kosovës është, siç ka thënë ai, tipik multietnik?

TEKI DERVISHI
Ka shumë të drejtë. Kjo është një deklaratë shumë e pjekur politikisht. E vërteta është se disa shqiptarë ende nuk e kuptojnë se kolonizimi ekonomik i Kosovës nga ana e Serbisë, është një okupim edhe më i keq se okupimi policor ose ushtarak.

Ne jemi shndërruar në një treg të Serbisë dhe të Maqedonisë dhe kjo nuk do të ishte e mundur të bëhej pa implikimin e disa shvercerëve, spekulantëve dhe profiterëve të luftës të kombësisë shqiptare. Bile, unë do të shtoja në deklaratën e kryeministrit Thaçi se më fajtorë janë shqiptarët sesa serbët për këtë kontrabandë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se mbetja e UNMIK-ut në Kosovë, qoftë edhe në formën simbolike, si dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mund ta mbajnë peng pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

TEKI DERVISHI
Unë personalisht mendoj, mund të jem fare i gabuar, se OKB-ja tashmë nuk ka kurrfarë rëndësie në politikën planetare. Kosova nuk duhet të ketë pretendime që të anëtarësohet në disa organizata të dështuara politikisht.

Për ne është e rëndësishme që të anëtarësohemi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Për ne është e rëndësishme që kemi një pranim kualitativ të shteteve më përparimtare perëndimore. Dhe, siç po shihet këto ditë, ne nuk po mundemi t’i vëmë ambasadat në dhjetë shtete, e lëre më në krejt shtetet e botës.

Neve, tash në këtë fazë, na intereson vetëm pranimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është mjaft për ne dhe nuk është kurrfarë interesi i Kosovës që të jetë në një organizatë, ku rusët, kinezët dhe indianët kanë influencë aq të madhe.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG