Ndërlidhjet

Mashtrimet e Karaxhiqit

  • Nenad Pejiq / Radio Evropa e Lirë

Nenad Pejiq

Nenad Pejiq

Serbia duhet të dalë nga "teatri" dhe të ballafaqohet me realitetin, pa aktorë dhe pa skenë. Kjo është koha kur bashkëpjesmarrje në krim është edhe heshtja e krimit.


Diku nga viti 1991 Radovan Karaxhiqi ishte mysafir i TV të Sarajevës. I pyetur të thoshte se përse populli serb në Bosnjë ishte i rrezikuar, Karaxhiqi kishte dhënë adresën e një familjeje në Zenicë për të cilën kishte thënë se fqinjët boshnjakë e kishin dëbuar nga banesa. Të dhënat që Karaxhiq i kishte paraqitur ishin krejtësisht të sakta, pos njërës – askush nuk i kishte dëbuar nga banesa. Karaxhiqi atbotë kishte filluar me logjikën e mashtrimeve dhe nga ajo nuk u largua kurrë.

MASHTRIMI I DYTË: Mënyra se si mori "dilpomën" e "mjekut popullor" dhe fakti që brenda natës u bë ekspert për bioenergji, mjek që shëron me prekje dore, mjek që "shëron" përmes meditimeve, jetës së shëndoshë dhe shmangjes së stresit. Diplomën e kishte marë pas një kursi të shkurtër.

MASHTRIMI I TRETË: Psikiatri Karaxhiq kishte zgjedhur zanatin e Dragan Dabiqit. Si psikiatër që ishte dinte se si të depërtonte në karakterin e personit që kërkonte ndihmë dhe që në personalitetet si Dabiqi kërkon shpëtimin e fundit. Dabiqi e kishte lehtë t'i mashtronte pacientët. E dinte saktësisht se çfarë duhet thënë pacientëve të tillë.

MASHTRIMI I KATËRT: Në opinion është krijuar imazhi për Karaxhiqin si një person që 13 vjetë tërhoqi për hunde NATO-n, Bashkimin Evropian...dhe se si gjoja në këto veprime nuk paska pasur ndihmën e askujt. Flitet dhe shkruhet për gjoja dashnoren e tij që për të thotë se ishte "njeri i mrekullueshëm"; zbulohet se ka qëndruar në Vjenë...Por, mashtrimi qëndron në faktin se në këtë mënyrë fshihet ajo për çka është arrestuar. Në vend të rrëfimeve për krimet, flitet për gjëra krejt tjera.

MASHTRIMI I PESTË: Për të fshehur të vëretën po thuhet se Karaxhiqi ishte gjenial në shmangjen e arrestimit. Por, kështu fshihet fakti se pas tij qëndronte shteti. Se autoritetet në Serbi kanë ditur çdo gjë për të e dëshmon e dhëna se është arrestuar vetëm 7 ditë pasi në postin e njeriut të parë të shërbimit të sigurimit është ulur një personalitet tjetër dhe pas formimit të qeverisë së re. Shërbimi i fshehtë i kishte mundësuar identitetin e ri (të Dragan Dabiqit), i kishte siguruar letërnjoftimin e ri, i kishte trilluar biografinë e re, i kishte hapur xhirollogarinë bankare, i kishte paguar rojat e tij, i kishte siguruar mbështetje financiare, i kishte siguruar punë dhe profesonin e ri. Njerëzit e urtë e dijnë se druri fshehet në mal, libri në bibliotekë, ndërsa individi në qytetin e madh. Psikologia nga Beogardi Tijana Mandiq thotë: "Ky nuk është një akt individual. Për këtë duhet një teatër i tërë, regjisor, njerëz të skenës dhe kamerës".
Pra nuk ka bërë Karaxhiqi asgjë personalisht, të gjitha i kishte paramenduar shërbimi i fshehtë dhe kështu do të mbetej po të mos ishte marrë një vendim tjetër. Lehtë është të fshehesh në shtetin që nuk dëshiron të të zbulojë.

MASHTRIMI I GJASHTË: Karaxhiqi tash është duke përgatitur mashtrimin tjetër. Thotë se do të mbrohet vetë ashtu siç kanë bërë Millosheviqi dhe Shesheli. Nuk është sukses që ndaj fakteve të mbrohesh me parulla politike. Por, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme sa fakti se ata nuk janë mbrojtur vetë. Për ta kanë punuar ekipe të tëra avokatësh në Beograd, ndërsa ata në gjyq kanë folur atë që paraprakisht u kanë thënë avokatët.

MASHTRIMI I SHTATË, TETË, NËNTË...: Vështirë është të thuhet se cilat mashtrime janë në rradhë, por periudha e paraluftës (në Bosnjë) është dëshmi se do të ketë edhe shumë të tjera. Ata që mbajnë mend mirë do të kujtojnë Karaxhqin duke thënë se kozakët janë duke ardhur në kuaj për të ndihmuar serbët, se Sarajeva është para rënies, se po përgatitet Lufta e Tretë Botërore, se do të zhduken boshnjakët, se do të bombardohet Vjena dhe...gënjeshtra më e madhe ishte se ai dhe partia e tij luftonin për Jugosllavinë, ndërsa e vërteta ishte se ai donte ta shkatërronte që mbi të të ngrihej Serbia e Madhe.

Karaxhiqi ka bërë qindra deklarata nga të cilat rrjedh urrejtje ndaj çdo gjëje që nuk ishte serbe sipas masës së tij.
Shumica e kanë lexuar, por ende ka të tillë që e konsiderojnë hero, sepse u kishte premtuar se të gjithë serbët do të jetonin në një shtet, ndërsa sot jetojnë në pesë shtete. Është hero për ata që me topa kishin goditur Sarajevën dhe civilët atje ose për ata që vranë mijëra civilë në Srebrenicë.

Hero e kanë bërë ato media që kanë heshtur krimet e tij, hero e ka bërë edhe Kisha Ortodokse që e kishte përqafuar kur vriste e digjte...Nga këto qarqe cilësohet i "pafajshëm", sepse kishte vrarë boshnjakë dhe kroatë!

Serbisë i mbetet të hap dosieun politik të Karaxhiqit dhe të ideologjisë që ai e përfaqësonte. Për hirë të asaj që e pret Serbinë. Serbia duhet të dalë nga "teatri" dhe të ballafaqohet me realitetin, pa aktorë dhe pa skenë. Duket se është nisur. Kjo është kohë kur bashkëpjesmarrje në krim është edhe heshtja e krimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG