Ndërlidhjet

Shkrimtari i gulagëve ndahet nga jeta


Aleksandër Solzhenicin, 1994
Aleksandër Solzhenicin, 1994

Aleksandër Solzhenicini, fituesi i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1970, për rusët mbetet ndërgjegjja e kombit. Për lexuesit e tij në botë ai do mbetet shkrimtari që nxorri në dritë krimet e regjimit të Stalinit dhe bëri të njohur tmerrin e gulagëve.

Gjiganti i letrave ruse Aleksandër Solzhenicin, disidenti që në mënyrë të palodhur nxorri në pah krimet në kampet sovjetike të përqëndrimit, u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare.

"Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit", libri i shkruar mbi përvojën tetë vjeçare të Sollzhenicinit si i burgosur politik, ishte vepra e parë letrare që dënonte drejtpërsëdrejti gulagun sovjetik.

Libri i publikua në vitin 1962 dhe pa dritën e botimit falë udhëheqësit sovjetik të kohës Nikita Hrushov, i cili donte të nxirrte në shesh disa nga krimet e Stalinit. Të dyja botimet e librit u shitën sa hap e mbyll sytë. Por liberalizmi i Hrushovit duket se zgjati pak, pasi në vitin 1964 në krye të Bashkimit Sovjetik erdhi Leonid Brezhnjevi. Kur Solzhenicini morri çmimin Nobel në letërsi në vitin 1970 autoritetet e regjimit nuk e lejuan të udhëtonte në ceremoninë e Nobelit në Stokholm.

Më pas Solzhenicini punoi për trilogjinë "Arkipelagu Gulag". Në vitin 1974 shkrimtarit iu morr nënshtetësia ruse dhe u largua në mërgim.
Po në këtë vit Solzhenicini mundi të marrë nga duart e mbretit të Suedisë Karl Gustav çmimin Nobel për letërsi.

Pavarësisht mërgimit në ish Bashkimin Sovjetik njerëzit e lexonin fshehurazi Solzhenicinin.
"Ne të gjithë e lexonim fshehurazi. Ishte i ndaluar, por për ne ishte një grimë lirie. Solzhenicni nënkuptonte lirinë për gjeneratën tonë", thotë një qytetare ruse.

Solzhenicini pas largimit nga Rusia në vitin 1974 qëndroi për një kohë të shkurtër në Zvicër dhe më pas u vendos në Vermont të Shteteve të Bashkuara.
Jeta në Perëndim nuk ishte ajo e dëshiruara për shkrimtarin, pasi për të njerëzit ishin zhytur në kotësi dhe konsumerizëm.

Ndërkohë në vendin e tij të origjinës njerëzit e përdorinin Solzhenicinin si mjet jo vetëm lirie, por edhe për të mësuar të vërtetën rreth Bashkimit Sovjetik.

"Ai iu mundësoi njerëzve të brezit tim të kishin një pamje tjetër, plotësisht të ndryshme të historisë së Rusisë rreth asaj se çfarë ndodhte në regjimin sovjetik. Më kishin mësuar diçka tjetër, derisa kur lexova librat e tij u zgjova", thotë një nga qytetarët që vendosnin lule në derën e shtëpisë së Solzhenicinit në fshatin Troitsa Likovo.

Me ardhjen në pushtet të Mihail Gorbaçovit, Solzhenicinit iu rikthye nënshtetësia sovjetike dhe akuzat për tradhëti iu hoqën. Solzhenicini, i cili gjithmonë kishte thënë se donte të vdiste në Rusi filloi të projektonte kthimin.

Pas 20 vitesh mërgimi shkrimtari u rikthye në atdhe si hero në maj të vitit 1994. Ndër gjërat e para që bëri ishte nderimi për miliona të vdekurit në gulgët sovjetikë.

Me tu vendosur në Moskë, Solzhenicini vazhdoi të vepronte si ndërgjegja e Rusisë, duke bërë thirrje për rikthimin e vlerave ruse bazuar në besimin ortodoks.

Solzhenicini ishte plotësisht i pakënaqur me kapitalizmin që po zhvillohej në Rusi.
"Ajo çfarë ne kemi sot nuk mund të quhet demokraci. Sot kemi një oligarki dhe pushtetin e vendosur në një rreth të mbyllur", tha Solzhenicini para Dumës ruse në dhjetor të vitit 1994.

Ardhjen në pushtet të Putinit, ish pjesëtar i KGB-së, shkrimtari e pa me shqetësim, por më vonë mirëpriti hapat e Putinit kundër oligarkëve dhe rivendosjen e kontrollit të shtetit mbi burimet natyrore.

Megjithatë raportet e tij me Kremlinin asnjëherë nuk ishin të qarta. Ndryshe nga Kremlini për qytetarët rusë ai ishte ndërgjegjja e kombit.

XS
SM
MD
LG