Ndërlidhjet

Anëtarësimi në FMN – pengesat


Logo e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Logo e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Ekspertët e ekonomisë pohojnë se anëtarësimi i Kosovës në këto mekanizma mund të zvarritet, për shkak se nevojitet mbledhja e informatave për ekonominë e Kosovës që nga viti 1984, informata këto që deri më tani Qeveria e Kosovës nuk i posedon.


Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se procedurat për aplikimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, nuk kanë qenë të vështira. Por, disa vështirësi, sipas tyre, do të paraqiten tashmë pas aplikimit.

Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se pas pranimit të aplikimit, FMN-ja e dërgon një mision special të anëtarësimit në Kosovë, për të mbledhur informata dhe për të përgatitur një dokument vlerësues të ekonomisë së Kosovës.

Sipas procedurave, Shpend Ahmeti thotë se misioni i anëtarësimit do të kërkojë nga autoritet e Kosovës mbledhjen e informatave për ekonominë e Kosovës që nga viti 1984.

“Kjo prej fillimit ka qenë një ndër problemet kryesore në procesin e anëtarësimit, që mund të zvarritë procesin e anëtarësimit, sepse ne nuk i kemi ato informata që nga viti 1984. Do të thotë, për vitet në fillim i kemi, pastaj për vitet e 90-ta janë të mangëta, e mos të flasim për informatat e pasluftës që kanë ndryshuar shumë. Prandaj, kjo do të paraqesë një problem, mirëpo nuk është problem që nuk mund të sanohet, apo nuk mund të zgjidhet”, tha Ahmeti.

Edhe eksperti tjetër, Xhemshit Duriqi, i cili gjatë viteve të 80-ta ka qenë ministër i Financave, pohon se Qeveria e Kosovës do ta ketë të vështirë mbledhjen e informatave për pozitën ekonomike. Ai pohon se autoritetet vendore tashmë është dashur të krijojnë ndonjë organ për mbledhjen e informatave të nevojshme.

“Unë mendoj se vetë FMN-ja do të ketë mjaft informata; fondi dëshiron vetëm t’i verifikojë prej organeve tona. Fatkeqësisht, organet tona nuk kanë institucionalizuar se cilët janë ata agregatët, të cilët duhet të përcjellin, agregatët statistikorë, dhe bukur vështirë do ta kenë për t’i përgatitur ato shënime që do t’i kërkojë FMN-ja. Por, besoj se gjithsesi do të gjenden nëpër librat e FMN-së dhe të Bankës Botërore“, tha Duriqi.

Qeveria e Kosovës nuk ka informata për pozitën ekonomike në vitet e 80-ta, tha Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, duke shtuar se në dispozicion kanë shënime vetëm pas përfundimit të luftës.

Megjithatë, zëvendësministri Hamza shpreson se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ketë mirëkuptim për ato informata, të cilat Qeveria nuk mund t’i sigurojë.

Sigurisht që ka edhe mungesë të të dhënave, sepse dihen ngjarjet që kanë ndodhur, edhe arkivat, edhe shumë gjëra tjera janë dëmtuar. FMN-së do t’ia japim në dispozicion të gjitha ato informata, të cilat për fondin janë të nevojshme, dhe ne i kemi ato informata. Ndërkaq, sigurisht edhe fondi do të ketë mirëkuptim për ato informata, të cilat ne objektivisht do të jemi në pamundësi t’u japim”, thotë Hamza.

Por, Shpend Ahmeti thotë se në mungesë të informatave për vitet kur Kosova ishte njësi e ish-Jugosllavisë, misioni i anëtarësimit shumë lehtë do të kërkojë supozime dhe për këtë, thotë ai, autoritet e Kosovës dhe FMN- ja duhet të jenë gati për të adresuar çështjen e informatave që nuk ekzistojnë.

“Kjo është rekomanduar edhe nga fondi dhe mendoj se edhe fondi gjatë viteve të fundit ka punuar shumë me supozime, prandaj duke parë atë çfarë ka ndodhur me ekonominë e Kosovës në vitet e pasluftës, ne mund të bëjmë edhe disa kalkulime që t’i kalkulojmë numrat e ekonomisë për vitet e 90-ta. Ka metoda të ndryshme që fondi, së bashku me autoritetet vendore, do t’i bënte, sepse ne ide kemi, por shifra të sakta nuk kemi”, tha Ahmeti.

Ndryshe, gjatë këtij muaji, pritet që në Kosovë të arrijë grupi i parë i misionit special të anëtarësimit, për të mbledhur informata prej vitit 1984 dhe për të përgatitur një dokument vlerësues të ekonomisë së Kosovës. Por, gjendja dhe zhvillimi ekonomik në Kosovë, gjer në vitin 1999, është kontrolluar kryesisht nga pushteti i atëhershëm serb.
XS
SM
MD
LG