Ndërlidhjet

Me Beogradin vetëm për çështje praktike


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Bisedimet praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të cenojnë çështjet që kanë të bëjnë me shtetin dhe sovranitetin e Kosovës, kanë përsëritur përfaqësuesit kosovarë.


Bisedimet Prishtinë – Beograd dhe pozita e komunitetit serb nuk duhet lejuar që t’i shërbejnë Serbisë që të shtrijë autoritetin e vet në vise të caktuara të Kosovës, thonë përfaqësuesit kosovarë.

Ndërsa Qeveria shprehet e matur, por e gatshme të nisë bisedimet edhe me Serbinë, si dhe me vendet tjera të rajonit, për definimin e, siç thuhet, çështjeve praktike, opozita në anën tjetër vë në dyshim rolin dhe kompetencat e shefit të UNMIK-ut që të udhëheqë këto bisedime, marrë parasysh se UNMIK-u nuk ka ndonjë rol as me Kushtetutën e Kosovës dhe as me pakon e Ahtisaarit.

Sido që të jetë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se çështja e dialogut me Beogradin duhet të definohet si çështje e dy vendeve të pavarura, ku nuk do të preken në asnjë formë çështjet e sovranitetit.

“Çështja e bisedimeve, respektivisht e dialogut me Beogradin, duhet të jetë si dialog në mes të dy shteteve të pavarura e sovrane, por në asnjë rast nuk do të flitet për pozitën juridike dhe politike të Kosovës dhe nuk do të flitet për organizimin e brendshëm të Kosovës”.

“Ne mund të flasim në kuptimin që ata të bëjnë presion pozitiv te minoriteti serb që të integrohet në Kosovë, por jo për ndonjë kompetencë që mund ta ketë Serbia mbi Kosovën apo institucionet e saj”, tha Kuçi.

Ndërkohë, opozita kërkon që të rishikohet pozita dhe roli i shefit të UNMIK-ut në këto bisedime. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se UNMIK-u nuk parashihet me Kushtetutën e Kosovës dhe as me pakon e Ahtisaarit.

Andaj, sipas saj, shefi i kësaj administrate nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në bisedime. Deputetja Syla i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë primatin në bisedime dhe të përfaqësojë vendin, ashtu si e parasheh edhe Kushtetuta.

Sipas Paketës Ahtisaari, qëndron shumë qartë se Qeveria dhe shteti i Kosovës kujdesen për çështjet e veta dhe janë përgjegjës për çështjet e veta. Prandaj, ne natyrisht do të thirremi në atë që kemi si obligim me Paketën Ahtisaari, që është obligim edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por, në anën tjetër, në radhe të parë, ndaj popullit ë Kosovës, e që është ruajtja e interesit të popullit të Kosovës”, theksoi Syla.

Qeveria e Kosovës i ka cilësuar deri më tash si të papranueshme disa çështje që janë ngritur nga shefi i UNMIK-ut, Zannier, siç është krijimi i policisë serbe në kuadër të SHPK-së e çështje të tjera.

Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se bisedimet nuk mund të prodhojnë asnjë rezultat që do të jetë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetuta është valide. Sipas Kushtetutës do të funksionohet dhe mendohet në Kosovë dhe ne do t’i integrojmë minoritetet në Kosovë, por në asnjë rast nuk do të kenë sistem të ndarë në Kosovë”, shprehet zëvendëskryeministri Kuçi.

Duke mos kundërshtuar bisedimet, por duke sugjeruar që ato të zhvillohen nga Qeveria dhe jo nga UNMIK-u, opozita, përmes deputetes Gjylnaze Syla, kërkon nga udhëheqësit kosovarë që të kenë edhe agjendën e vet të bisedimeve, duke përfshirë ato çështje që janë shqetësim i qytetarëve të Kosovës dhe të mos kenë në agjendën e tyre të bisedimeve vetëm preokupimet e Beogradit.

“Qeveria dhe presidenti i Kosovës duhet ti iniciojnë çështjet e pazgjidhura, siç janë dëmet e luftës, pastaj atë të të zhdukurve, që është një plagë që vazhdon të mbetet që nga mbarimi i luftës; janë artefaktet e ndryshme, të cilat ende janë në Serbi dhe në veçanti dua t’i përmend edhe pensionet, të cilat gjithashtu janë marrë nga Qeveria e Serbisë”, thotë Gjylnaze Syla.

Bazuar në planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, parashihet që Prishtina dhe Beogradi të nisin bisedimet teknike për disa fusha, përfshirë edhe doganat, gjykatat dhe policinë, sidomos për viset e banuara me serbë.

Autoritetet kosovare deri më tash janë shprehur të gatshme për këtë dialog, por duke u zotuar se nuk do të pranojnë të kthehen në bisedimet për statusin dhe sovranitetin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG