Ndërlidhjet

logo-print

Kur do të krijohet Gjykata Kushtetuese?


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Në shtator pritet që Kuvendi të shqyrtojë projektligjin për formimin e Gjykatës Kushtetuese - trup gjyqësor ky që Kosova nuk e ka që nga heqja e autonomisë në vitin 1989. Gjykata do të ketë 9 anëtarë, nga të cilët 6 vendës dhe 3 ndërkombëtarë. Ekspertë të drejtësisë shfaqin drojën se edhe vendimet e kësaj gjykate, sikurse vendimet e ekzekutivit do të kenë fatin e deritashëm të mosrespektimit në tërë territorin e Kosovës.

Ministria e Drejtësisë ka në përfundim e sipër përpilimin e projektligjit për Gjykatën Kushtetuese - trup gjyqësor i ri, i cili pritet të funksionalizohet kah fundi i vitit.

Ministrja Nekibe Kelmendi shpreson se nuk do të ketë zhargitje në formimin e këtij trupi të rëndësishëm, meqë, sipas saj, grupet punuese janë të përbëra nga institucionet vendëse dhe ndërkombëtare.

“Po punojmë, është ICO-ja, është EULEX-i; të gjithë janë të kyçur në këtë punë dhe mendoj se pas draftimit të ligjit, do të shkojë në atë formë që nuk do të ketë vërejtje nga këto institucione ndërkombëtare”, tha Kelmendi.

Kosova nuk ka pasur gjykatë kushtetuese, që kur iu hoq autonomia nga regjimi serb i Millosheviqit në vitin 1989. Krijimi i saj parashihet me pakon e Ahtisaarit, rrjedhimisht edhe me Kushtetutë.

Profesori në Fakultetin Juridik, Ismet Salihu, vlerëson lart krijimin e kësaj gjykate, e cila duhet të mbrojë Kushtetutën nga shkeljet eventuale.

“Gjykata Kushtetuese do të jetë një gjykatë, një tribunal, e cila do ta garantojë ligjshmërinë në aspektin e nxjerrjes së ligjeve dhe ligjshmërinë në aspektin e zbatimit të ligjeve. Do të kontribuojë në sundimin e shtetit ligjor”, thotë Salihu.

Por, as ligjet e as Kushtetuta aktuale nuk respektohen në tërë Kosovën. Mjediset serbe nuk përfillin ligjet e miratuara nga institucionet e Kosovës, përderisa këto institucione nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin e tyre atje.

Ismet Salihu e quan paradoks krijimin e gjykatës kushtetuese kur vetë Kushtetuta nuk ka zbatueshmëri.

“Në këtë gjendje çfarë jemi, Gjykata Kushtetuese do ta ketë fatin si të gjykatave të rëndomta të Kosovës. Paraprakisht duhet të instalohet sovraniteti i Kosovës. Pa sovranitet, pa pushtetin, pa shtrirjen e juridiksionit në tërë territorin e Kosovës, nuk mund ta ushtrojnë funksionin as policia, as inspeksioni, por as Gjykata Kushtetuese”, thotë Salihu.

Nekibe Kelmendi thotë se grupe te caktuara të përqendruara në mjediset serbe janë duke penguar në vazhdimësi ekzekutimin e Kushtetutës.

“Heqja e pikave doganore, mandej sulmi në gjykatë, mospërfundimi i projektit të Suhodollit, mandej konstituimi i komunave të reja në bazë të zgjedhjeve ilegale serbe, të gjitha këto janë vepra penale, sulm juridik kundër rendit juridik të Kosovës, cenim i përcaktimit të lirë të votuesve, nxitje e urrejtjes, mosdurimit racor, fetar e etnik, që po i kryejnë grupet që po e pengojnë ekzekutimin e Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës”, tha Kelmendi.

Ndryshe, plani i Ahtisaarit parasheh që Gjykata Kushtetuese të ketë 9 gjyqtarë, të cilët duhet të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë. Gjashtë nga ta do emërohen nga kryetari me propozim të Kuvendit, ndërsa tre gjyqtarët ndërkombëtarë do emërohen nga kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Nga gjashtë gjyqtarët vendës - dy do të shërbejnë për një mandat trevjeçar, dy në mandat gjashtëvjeçar dhe dy në mandat nëntëvjeçar. Asnjë nga ta nuk ka mundësi rizgjedhjeje. Ndërsa, kohëzgjatja e mandatit fillimisht u caktohet me short nga kryetari i Kosovës. Më pas, secili gjyqtar i emëruar do të ketë mandat nëntëvjeçar.

XS
SM
MD
LG