Ndërlidhjet

Reduktimet e energjisë elektrike


Termocentrali Kosova A
Termocentrali Kosova A

Në Kosovë vështirësohet furnizimi me energji elektrike. Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës pohojnë se gjendja është përkeqësuar dhe se blloku A4 i Termocentralit Kosova A gjatë këtij muaji do të riparohet. Në anën tjetër, ekspertë të energjisë pohojnë se riparimet jokualitative janë problemi kryesor i mungesës së energjisë elektrike.

Përkundër temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë në Kosovë, mbi 30 gradë celsius, furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike është vështirësuar, si pasojë e rënies nga prodhimi të bllokut A4 të Termocentralit Kosova A. Kështu thotë Syrmije Kika, koordinatore për media në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ajo tha se blloku A4 ishte paraparë që të dalë nga prodhimi më 1 gusht, për shkak të remontit, por për shkak të pamundësisë së importit të energjisë elektrike është mbajtur në punë deri të hënën. Megjithatë, ajo pohon se krahasuar me ditën e djeshme, sot pritet stabilizimi i gjendjes energjetike.

“Sot në prodhim është blloku B1 i Termocentralit Kosova B, që prodhon 220 megavat për orë, dhe blloku A3 i Termocentralit Kosova A që prodhon 125 megavat për orë. Sot edhe hidrocentrali i Ujmanit është në prodhim, prej orës 11 deri në 23 dhe prodhon 32 megavat për orë. KEK-u sot ka siguruar edhe import prej KESH-it”, tha Kika.

Por, ekspertë për çështje të energjisë thonë se riparimet jokualitative janë problemi kryesor i mungesës së energjisë elektrike. Jusuf Krasniqi, profesor në Fakultetin Energjetik në Universitetin e Prishtinës, thotë se Korpoarata Energjetike e Kosovës, në radhë të parë është dashur të sigurojë rrymën, pastaj të fillojë me riparime të termocentraleve. Ai thotë se në rajon ka rrymë të mjaftushme që Kosova lehtë mund ta sigurojë.

“Ministria e Energjisë dhe Minierave, së bashku me KEK-un, është dashur të riorientohen në blerjen e energjisë elektrike, me qëllim të kalimit të gjendjes dhe të përgatiten para dimrit, sepse tashmë mund të tejkalohen disa gjëra, por dimri nuk guxon të jetë i tillë
”, pohon Krasniqi.

Por, Syrmije Kika thotë se KEK-u tashmë ka kontraktuar energji me vende të ndryshme të Evropës. Ajo thotë se deri në riparimin e bllokut A4, furnzimi stabil i energjisë do të varet nga importi.

“Prej nesër do të startohet me importin e kontraktuar për muajin gusht, prej 120 megavat për orë. Kështu që do të kemi një furizmim më cilësor të konsumatorëve. Përndryshe, KEK-u ka kontraktuar import për muajin gusht me këto kompani tregtare të energjisë, me EST-në e Zvicrës 100 megavat për orë, GENIN e Sllovenisë“,
thotë Kika.

Në anën tjetër, Jusuf Krasniqi vë në dyshim cilësinë e riparimit të termocentraleve.

Nëse remontet nuk janë bërë si duhet, në qoftë se nuk janë parapërë me kohë, pajisjet janë në gjendje të tillë që është e domosdoshme të bëhen remonte periodike. Në qoftë se ato remonte nuk bëhen në cilësi dhe në sasi, reduktime do të kemi të theksuara edhe më vonë”, shprehet Krasniqi.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, qytetarët e kategorisë A, që llogariten se janë konsumatorët e rregullt të pagesës së faturave të energjisë së shpenzuar, sipas zyrtarëve të KEK-ut, 5 orë do të kenë rrymë dhe 1 orë jo, ndërkaq kategoria B - 4 me 2, dhe kategoria e C, 3 orë me rrymë dhe 3 pa të.

Por, në realitet, ky orar nuk është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës, pasi në viset rurale, reduktimet e ashpra të energjisë janë të pranishme që një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG