Ndërlidhjet

Shpërbërja e TMK-së dhe formimi i FSK-së


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e sapoemëruar të Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujotën. Ky i fundit ka deklaruar se do të përpiqet që sa më shpejt ta bëjë funksionale Ministrinë e Forcës së Sigurisë, duke i marrë përsipër detyrat kushtetuese që i takojnë, e që kanë të bëjnë me shpërbërjen e TMK-së dhe formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar edhe zyrtarisht Fehmi Mujotën, deputet dhe zyrtar i PDK-së, në postin e ministrit të Forcës së Sigurisë.

Kryeministri Thaçi, sipas një njoftimi me shkrim, ka vlerësuar se Fehmi Mujota, me angazhimin e tij të deritashëm, ka dëshmuar përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë në avancimin e proceseve politike në Kosovë.

Ky fakt, ka shtuar Thaçi, e bën atë që të besojë se emërimi i Mujotës në krye të Ministrisë për Forcën e Sigurisë, do të kontribuojë në suksesin e ndërtimit të strukturave të sigurisë në Kosovë.

Ndërkohë, ministri i sapoemëruar, Fehmi Mujota, thotë se do të përpiqet që sa më shpejt ta bëjë funksionale Ministrinë e Forcës së Sigurisë, duke besuar se kjo ministri do të jetë e gatshme t’i marrë përsipër detyrat kushtetuese që i takojnë.

“Jemi shumë të vetëdijshëm që ka shumë punë për të bërë dhe natyrisht që duhet të ekzistojë një vullnet politik, duhet të ekzistojë një gatishmëri e të gjithë njerëzve që janë përgjegjës për krijimin e Forcës së Sigurisë, duke respektuar dhe vlerësuar shumë lart kontributin e të gjithë oficerëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe gjithë ushtarëve të TMK-së”, tha Mujota.

Detyrat kryesore kushtetuese që parashihen për Ministrinë e Forcës së Sigurisë janë shpërbërja e TMK-së dhe formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, prej 2.500 trupave të rregullta dhe 800 trupave rezervë.

Sipas Planit të Ahtisaarit, i tërë ky proces do të jetë në koordinim të plotë me NATO-n dhe me Zyrën Civile Ndërkombëtare që udhëhiqet nga Pieter Feith.

Përveç Ministrisë së Forcës së Sigurisë, tani mbetet ende pa u formuar edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, si një fushë e re e përgjegjësive të shtetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu do të jenë ata që do të marrin vendimin edhe në lidhje me shërbimin e inteligjencës, edhe atë, sipas tij, në një afat sa më të shkurtër kohor.

“Po bëhen konsultime intensive brendapërbrenda subjekteve politike, por njëkohësisht edhe në mes të kryeministrit dhe presidentit, e natyrisht edhe me faktorin ndërkombëtar. Besoj që në afatin e parë të mundur do të vendoset edhe për emrat e tjerë, por kësaj radhe gjithmonë do të jemi të kujdesshëm në bashkëpunim të plotë edhe me faktorin ndërkombëtar”, tha Kuçi.

Krijimi i kapaciteteve të reja qeverisëse dhe marrja e përgjegjësive shtetërore kanë pasuar fuqizimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, edhe pas një muaji e gjysmë të fuqizimit të Kushtetutës, të gjitha organet e reja janë në formim e sipër, filluar nga Ministria e Jashtme, ajo e Mbrojtjes dhe Shërbimi i Inteligjencës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG