Ndërlidhjet

NYT & WSJ: "Vështirësitë e kandidaturave të Obamës dhe McCain"


New York Times / Wall Street Journal

Përse Barack Obama nuk ka tregues më të mirë ndaj rivalit të tij republikan John McCain në garën presidenciale amerikane? Përparësia e Obamës ndaj McCainit sipas anketave është vetëm 2-3 pikë.

Kjo lidhet me prejardhjen unike të Obamës, i cili i përket disa vendeve njëherësh dhe asnjërit plotësisht. Ai gjendet vetëm pjesërisht brenda institucioneve ku është rritur, por pa qenë asnjëherë plotësisht pjes; e tyre.

Në këtë kuptim votuesit e kanë të vështirë ta vendosin atë në një kontekst të caktuar, në mënyrë që të kuptojnë rrënjët dhe vlerat që ai përfaqëson.

Fëmijëria e Obamës është një rrugëtim mes Kansasit, Indonezisë e Hauajit, duke marrë shumçka nga këto vende, por pa i përkitur plotësisht ndonjërit prej tyre.

Ai ka filluar punë dhe atëherë kur mund të ishte më efikas është larguar prej tyre. Edhe së fundi në Senat ai asnjëherë nuk u bë pjesë e plotë e rretheve të Kongresit. Mbështetësit e tij demokratë, senatorë si ai, flasin me vlerësime të larta për Obamën, por në vija të përgjithshme, jo konkretisht. E kjo pasi nuk e njohin mirë. Kandidati presidencial demokrat është liberal, por jo plotësisht i tillë, ai shpesh ka kundërtshtuar politikën në Çikago, por mbetet pjesë e saj. Obama ka folur në mitingje kundër luftës në Irak, por e ka distancuar veten nga aktivistët që janë kundër luftës.

Kjo aftësi për të qenë në mes të gjërave, por asnjëherë plotësisht pjesë e tyre i jep Obamës aftësi të shkëlqyera vëzhgimi, analize, shkrimi. Kjo bën që njerëz nga shtresa e grupime të ndryshme të gjejnë diçka të tyre tek Obama, por pa mundur ta përcaktojnë se ku qëndron ai plotësisht.

Nëse Obama i takon plotësisht ndonjë grupimi ai është klubi i meritokratëve të mençur. Obama dhe brezat më të rinj se ai përfaqësojnë një grupim në rritje në Shtetet e Bashkuara; pasi ndoqën shkollat më të mira, lëvizën nga njëra punë tek tjetra duke mbetur të ndërgjegjshëm, idealistë dhe mençurisht të ftohtë. Problemi është se si i vlerëson këta njerëz Amerika. Votuesit duken të ngadaltë të përcaktojnë vendin në shoqëri të njerëzve të tillë si Obama, përfundon shkrimi në NYT.

Në një editorial të Wall Street Journal trajtohen problemet e kandidatit tjetër presidencial, republikanit John McCain. Problemi i McCain-it nuk është presidenti aktual Bush. Nga të gjithë republikanët McCain është i fundit që duhet të shqetësohet se mund ta quajnë kloun të Bushit. McCain-i ka qenë ndër të parët që ka këmbëngulur për një ofensivë të gjerë në Irak dhe ka kërkuar largimin e Donald Rumsfeldit, në kohën kur pozitat e shefit të Pentagonit ishin ende të forta.

McCain ka ndjekur rrugën e tij në të gjitha çështjet pavarësisht qëndrimeve të partisë. Këtu përfshihen tema të nxehta si imigracioni, kërkimi qelizor, ngrohja globale dhe zvogëlimi i taksave.

Nëse McCain ashtu siç ndodhi dhe në muajin maj takohet me Bushin privatisht dhe dëshiron të jetë larg kamerave kur takohet me presidentin e vendit atëherë ky qëndrim e vë atë në pozita mbrojtëse në nëntor. Problemi për McCain-in, nuk është distancimi nga presidenti Bush, por të përballet me një rival karizmatik si Barack Obama, që i ka dhënë energji partisë së tij si John Kennedy në kohën e vetë. Për këtë McCain duhet të ofrojë një agjendë për popullin amerikan që e dallon atë nga Obama dhe demokratët.
XS
SM
MD
LG