Ndërlidhjet

“Në KS, debatohet 17 marsi”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të mërkurën konsultimet zyrtare rreth raportit të Sekretariatit të OKB-së lidhur me ngjarjet e 17 marsit në pjesën veriore të Mitrovicës. Konsultime jozyrtare për këtë raport janë mbajtur parapa dyerve të mbyllura, javën e kaluar, ku ambasadori rus, Vitaly Churkin, ka kritikuar ashpër ish-krerët e UNMIK'ut, Larry Rossin dhe Joachim Ruecker, të cilët kishin autorizuar aksionin e policisë. Raporti është hartuar nga tre të dërguar të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, të cilët kanë qëndruar dy javë në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, për të intervistuar zyrtarë të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë. Hetuesi kryesor, avokati afrikan Francis Ssekandi, është vlerësuar të jetë një person i politizuar dhe kundër pavarësisë së Kosovës. "Secilin zyrtar të UNMIK-ut e ka pyetur 'cili është qëndrimi yt personal për pavarësinë e Kosovës'", kanë thënë ditë më parë, burime ndërkombëtare të Expressit. Gjatë përleshjes me serbë, një pjesë e tyre të armatosur dhe pjesëtarë të forcave serbe të sigurisë, një polic ukrainas ka humbur jetën, ndërkaq janë plagosur 58 policë ndërkombëtarë, si dhe 48 ushtarë të KFOR-it. Hetimet për 17 marsin janë autorizuar nga Ban Ki-Moon pas kërkesës së Serbisë dhe Rusisë, të cilat kanë pretenduar se UNMIK-u dhe KFOR-i kanë përdorur forcë ekstensive ndaj serbëve në gjykata...

BOTA SOT
Një pjesë e territorit të Republikës së Kosovës edhe pas gjysmë vitit të shpalljes së mëvetësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga shtetet më të zhvilluara ka mbetur jashtë menaxhimit të institucioneve të shtetit. Veriu i Kosovës, përkatësisht pjesa veriore e Mitrovicës, menaxhohet nga serbët edhe përkundër shpalljes së Kosovës shtet. Në atë territor kanë mbetur në duar të serbëve të gjitha institucionet e vendit. Ndërkaq, institucionet tona nuk dinë se çfarë bëhet në atë territor dhe deri tash Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për marrjen nën kontroll dhe ruajtjen e hapësirës së shtetit të saj. Por, pas një kohe të gjatë pritjeje, Nekibe Kelmendi, ministre e Ministrisë së Drejtësisë, ka marrë guximin që të ngre kallëzim penal ndaj personave ose zyrtarëve serbë që kanë shkaktuar një varg problemesh në pjesë të ndryshme të Republikës së Kosovës. Ky kallëzim penal pritet që në ditët në vazhdim nga ministrja e Drejtësisë të dorëzohet tek organi përkatës, Prokuroria. Në një bisedë ekskluzive për gazetën "Bota sot" ministrja Nekibe Kelmendi rrëfen kronologjinë
e ngjarjeve që janë zhvilluar nga serbët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përkatësisht pas miratimit të Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008...

KOHA DITORE
Prishtina nuk do të bisedojë "në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht" me Beogradin për gjashtë pikat e propozuara nga Ban Ki-moon, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi, të martën, në një intervistë për "Kohën Ditore". Për këto çështje, sipas tij, askush tjetër "nuk mund të bisedojë dhe nuk do të bisedojë". Duke komentuar bisedimet që shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, tanimë i ka nisur me Qeverinë serbe për Policinë, Drejtësinë dhe Doganat në Kosovë dhe ofertat që ai i ka bërë, kryeministri Thaçi ka këmbëngulur se do të respektohet vetëm Kushtetuta dhe jo "deklaratat ad hoc të kujtdo qofshin". Zotimin e Zannierit se fjalën përfundimtare në Kosovë e jep ai, derisa është në fuqi Rezoluta 1244, kryeministri Thaçi e ka kundërshtuar me faktin se kjo pozitë i takon "popullit dhe njerëzve që i ka populli". Kryeministri Thaçi nuk ka pranuar as se ka ngecje në lobimin për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, duke thënë se njohjet "nuk duhet kuptuar dhe shikuar në kuptimin numerik". Akuzat e opozitës për "spastrim civil në institucione" Thaçi i ka hedhur si të pavërteta, duke thënë se "njerëzit punojnë me ata që mendojnë se mund te kenë sukses”...

KOSOVA SOT
Misioni i Bashkimit Evropian për instalimin e sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, duket se do t’i japë goditjen më të rëndë të mundshme planit të Ahtisaarit. Në mungesë të një rezolute të OKB-së, plani i Ahtisaarit ka rezultuar i pamjaftueshëm që të mund t’i japë jetë misionit më të madh që Bashkimi Evropian ka pasur ndonjëherë. Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, në kushte anonimiteti, ka sqaruar për "Kosova Sot", se EULEX-i, gjatë konsultimeve mes Nju-Jorkut dhe Brukselit ka gjetur strehë nën ombrellën 1244, gjë që nënkupton se plani i Ahtisaarit më nuk është bazë juridike për të, dhe nuk paraqet ndonjë obligim për këtë mision. Sipas këtij zyrtari të lartë, EULEX-i tashmë nuk ka asnjë lidhje direkte me pakon e Ahtisaarit, andaj mund të bashkëpunojë edhe në rrethana joahtisariane. "EULEX-i punon në baza të partnershipit të ngushtë me autoritetet e Kosovës, sidomos me institucionet që kanë të bëjnë me drejtësi. Mirëpo, EULEX-i nuk është këtu që ta zbatojë pakon e Ahtisaarit. Nuk ka më ndonjë lidhje direkte me këtë pako. Tash mandati i EULEX-it është shume i qartë dhe derivon nga një vendim i përkrahur unanimisht nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së", shpjegon për "Kosova Sot", zyrtari i lartë i BE-së, duke thënë se nuk mund të pritet që EULEX-i të përkrahë pakon, përderisa një gjë të tillë nuk e bëjnë të gjitha shtetet anëtare të BE-së...

EPOKA E RE
Serbia ka nisur një ofensivë të ashpër diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës dhe insiston të jetë e pranishme në çdo takim, samit e konferencë të rëndësishme, në mënyrë që çështjen e Kosovës ta imponojë si temë diskutimi, ka thënë ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, në një intervistë për mediat serbe. Serbia po përpiqet ta fitojë mbështetjen e sa më shumë vendeve në botë, në mënyrë që, në shtator, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ta gjejë mbështetjen për iniciativën e saj që nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës ta kërkojë mendimin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. "Krahas pranisë sonë në OKB, OSBE dhe në organizatat e tjera evropiane, kemi marrë pjesë edhe në takimet ku nuk bën pjesë Serbia, si në Amerikën Jugore, Samitin e Unionit Afrikan, Konferencën Islamike, Vendet e Painkuadruara, Ligën Arabe. Mendoj se në këtë mënyrë kemi penguar idenë e atyre që e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe kemi arritur ta pengojmë zgjerimin e njohjes së Kosovës", ka thënë Jeremiq...

ZËRI
Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramë Manaj, i tha dje "Zërit" se pas vendimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që ta emërojë ministrin e Mbrojtjes, Fehmi Mujotën, edhe LDK-ja do ta caktojë shpejt zëvendësin e tij. Mirëpo, duke qenë se gushti duket të jetë muaj i pushimeve të plota jo vetëm të liderëve e zyrtarëve të lartë partiakë, sipas asaj që thotë Manaj, që njëherësh është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, duket që gjasat që zëvendësministri i Mbrojtjes të emërohet para se paku edhe dhjetë ditësh janë të vogla. "Nuk besoj se do të vonohemi në caktimin e kandidatit të LDK-së për postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes, por mendoj se duhen edhe disa konsultime shtesë, të cilat marrin disa ditë, e përveç kësaj, këto janë ditë të pushimeve, kështu që me mbarimin e tyre do ta kemi edhe emrin e zëvendësit të ministrit të Mbrojtjes, për të cilin do të vendoset në strukturat partiake", i tha Manaj dje "Zërit". Ai nuk ka folur për ndonjë emër të përveçëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i cili do t'i bashkohej Fehmi Mujotës së PDK-së në hierarkinë e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ky i fundit dje u emërua zyrtarisht nga kryeministri Thaçi që ta drejtojë këtë resor. Por, jo zyrtarisht, janë përmendur emra të ndryshëm për këtë post, si ai i Agim Krasniqit, Fuad Ramiqit, që tash së fundi ka aderuar në LDK, etj...

LAJM
Sekretari i shtetit në të ashtuquajturën Ministria serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, tha të martën se UNMIK-u duhet të jetë ndërmjetësues ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve për të tejkaluar, sipas tij, mosmarrëveshjet. Ivanoviq tha se serbët nuk do të njohin institucionet e Kosovës, sepse nuk njohin as pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, autonomia e kërkuar për serbet brenda Shërbimit Policor të Kosovës është zgjidhja e vetme reale. Po ashtu, lideri i Listës Serbe për Kosovën, Ivanoviq, tha se serbët në gjykata të Kosovës do të duhej të punojnë sipas urdhëresave të UNMIK-ut. Derisa Kosova ishte pa status të zgjidhur, misioni i OKB-së, që nga vendosja e tij më 1999, ishte injoruar nga serbët e Kosovës, ndërkaq pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, përfaqësuesit serbë të dirigjuar nga Beogradi dhe gjoja në emër të së drejtës ndërkombëtare, kërkojnë të respektohet Rezoluta 1244...

INFOPRESS
Është emëruar shef i UNMIK-ut para një muaji, por ende nuk e ka gjetur veten. Vazhdon edhe më tej të ngatërrojë kompetencat e tij dhe nuk ndalet me blofe e gafe. Është ky shefi i ri i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, që UNMIK-u thotë se po keqinterpretohet, ndërkaq Qeveria, parlamentarët, analistët politikë dhe ekspertët e sigurisë i quajnë disa nga deklaratat e tij të pakuptimta dhe të habitshme. Për më tepër, disa nga idetë e tij që Zanier i proklamon haptas, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe planin e presidentit Ahtisari. "Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, në kuadër të kompetencave mund të komunikojë me të gjitha vendet e rajonit dhe mund të bisedojë edhe shumë çështje praktike, por asgjë që lidhet me pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës nuk mund të negociohet", kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke ia bërë të ditur Zanierit kufirin e kompetencave të tij. Sidoqoftë, Zanier ka shfrytëzuar mundësinë e parë për të treguar se kompetencat e tij po zhduken në Kosovë. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, u ka thëne anëtarëve të KS-së se hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor, ka pamundësuar ushtrimin e misionit të administratës së OKB-së. Porse, Zanier gjen kompetenca të reja...


XS
SM
MD
LG