Ndërlidhjet

A po ndahen Medvedevi dhe Putini?


Dmitry Medvedev dhe Vladimir Putin
Dmitry Medvedev dhe Vladimir Putin

Medvedevi po përpiqet të dobësojë zëvendëskryeministrin, njeriun e afërt të Putinit, Igor Seçin. Putini po sulmon, por Medvedevi nuk po tërhiqet anash. Ai po reziston, por butësisht.




Presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha se dëshiron t'i dërgojë një mesazh të qartë burokracisë vendore. Agjencitë e korruptuara të shtetit duhet t'i japin fund përdorimit të metodave të paligjshme për të përfituar materialisht nga bizneset.

"Kemi pasur mjaft inspektime dhe kontrolle të të gjitha llojeve në bizneset private. Në përgjithësi, agjencitë tona të sigurisë dhe institucionet shtetërore duhet t'i japin fund terrorizimit të bizneseve", tha Medvedev, duke folur para përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm në rajonin rus të Smolenskut.

Komentet e Medvedevit patën jehonë në gjithë vendin, pasi dukej se kishin për qëllim t'i dërgonin mesazh kryeministrit Vladimir Putin.

Vetëm pak ditë para deklaratës së Medvedevit, Putini kishte sulmuar një nga biznesmenët kryesorë në Rusi, pronarë të tregtisë së çelikut dhe qymyrit.

Sipas analistëve, kjo është shenja e parë e hapur për ndarje mes bartësve kryesorë të pushtetit. Por, dallimet mes dy njerëzve më të pushtetshëm në Rusi pasqyrojnë dhe qasjet e ndryshme në mënyrën e qeverisjes.

Jevgeni Volk, nga Fondacioni Heritage, zyra në Moskë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndarja Putin-Medvedev është rezultat i dallimeve të vjetra mes teknokratëve që janë rrethi i presidentit dhe ish-punonjësve të shërbimit sekret, që janë rreth i kryeministrit rus.

"Mendoj se Medvedevi po përpiqet të dobësojë njerëzit që janë në rrethin e Putinit e që nuk i përshtaten shefit të Kremlinit", thotë Volk.

Para së gjithash, sipas analistëve, Medvedevi po përpiqet të dobësojë zëvendëskryeministrin, njeriun e afërt të Putinit, Igor Seçin.

Seçin njihet si delja e zezë e liberalëve rusë. Ai besohet se ka orkestruar burgosjen dhe gjykimin e kreut të Yukos, Khodorkovski. Ka informacione se Seçin dhe rrethi i ish-agjentëve të shërbimit sekret sovjetik po përpiqen të vënë nën kontroll ekonominë ruse.

Medvedev, nga ana tjetër, dëshiron ta kthejë Moskën në qendër financiare ndërkombëtare, për çfarë duhet të provojë se Rusia është vend i sigurt.

"Sa i përket fuqisë së pushtetit dhe konsolidimit të tij, Putini mbetet një figurë me shumë ndikim. Por, ekziston mosmarrëveshja rreth asaj se si duhet të zhvillohet biznesi dhe si të funksionojë politika e jashtme. Kjo ndarje ekziston dhe çështja shtrohet se a mund të menaxhohet dallimi apo do të thellohet", thotë Volk, për REL.

Opozita ruse ka mirëpritur deklaratat e Medvedevit.

"Kjo është hera e parë që një president qartë kundërshton linjën e Putinit. Por, nga ana tjetër, elita e biznesit nuk beson se ai është president i plotfuqishëm. Ky është hapi i parë që dëshmon se ai po bëhet president dhe është diçka pozitive", thotë politikani i opozitës ruse, Boris Nemtsov.

Analistët politikë tërheqin vërejtjen se nuk është kohë festimesh, pasi Putini është kontrolluesi real i administratës. Medvedevi ende duhet të jetë shumë i kujdesshëm në mbrojtjen e interesave të veta, thotë Dimitri Oreshkin.

"Putini po sulmon, por Medvedevi nuk po tërhiqet anash. Ai e ndjen për detyrë të rezistojë, por butësisht. Ai nuk po e bën këtë drejtpërdrejt, por, si në komeditë dhe tragjeditë e Molierit dhe Shekspirit, ai ngjan me shërbyesin që thotë fjalë, derisa pronari i tij flet", thotë analisti politik Dimitri Oreshkin.

Ai shton se kjo ndarje mund të përfundojë me fitoren e njërit ose me ndarjen e zonave të interesit mes Medvedevit dhe Putinit.

XS
SM
MD
LG