Ndërlidhjet

Hyseni: Në afat optimal Kosova do të bëhet anëtare e OKB


Skënder Hyseni
Skënder Hyseni

“Njohja është proces dhe kur themi proces, duhet të kemi parasysh se proceset mund të zgjasin”, thotë Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hyseni, numri i shteteve që kanë njohur Kosovën shtet ka ngelur në 43. Por, ju më herët keni paralajmëruar njohje të tjera, gjë që nuk po ndodh. Ku është problemi?

SKËNDER HYSENI
Nuk mund të thuhet se kemi paralajmëruar njohje të reja, sepse njohjet do të vijnë. Sido që të jetë, ka paralajmërime dhe shenja bukur të sigurta, se ndonjë vend nga Amerika Latine mund të na njohë shumë, shumë shpejt.

Nuk mund të jem më specifik për arsye shumë të thjeshta - duhet lënë në diskrecionin e atij vendi që ta bëjë shpalljen e njohjes. Mbetet të shihet, të paktën kështu na është komunikuar nga Nju Jorku.

Ndërkohë që është më se e sigurt dhe kjo na është thënë në mënyrë eksplicite gjatë shumë takimeve që kam pasur në Nju Jork, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, përkatësisht në margjina të takimit, se shumë vende kanë pritur që të shohin se çfarë drejtimi po merr vendi ynë.

Kanë pritur çfarë drejtimi po merr një shtet i ri në botë, në kuptim të aranzhmaneve kushtetuese, në kuptim të provizioneve, të dispozitave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të komuniteteve të ndryshme, në kuptim të implementimit të standardeve të ndryshme ndërkombëtarisht të njohura për mbrojtjen e të gjitha atyre vlerave.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, cilat janë pritjet tuaja nga Maqedonia dhe Mali i Zi për njohjen e shtetësisë së Kosovës?

SKËNDER HYSENI
Presim që edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia ta njohin Kosovën shpejt. Në nivele të ndryshme, Kosova ka pasur kontakte edhe me njërin shtet, edhe me tjetrin, dhe në të gjitha nivelet nuk është lënë asnjë përshtypje për kurrfarë mundësie të mosnjohjes. Në të gjitha takimet është lënë përshtypja e mundësisë së njohjes shpejt.

Unë kam pasur një takim me ministrin e Jashtëm malazez në Kollashin të Malit të Zi dhe përshtypjet e mia të forta janë se Mali i Zi do të na njohë. Atëherë ishin përshtypjet se do të na njihte shpejt. Me gjasë kjo nuk ndodhi shumë shpejt, mirëpo, sido që të jetë, nuk shoh mundësi dhe rrugë tjetër përpos që Mali i Zi dhe Maqedonia do të na njohin shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohës ndërkombëtarë të çështjes së Kosovës konsiderojnë se njohjet e deritanishme të Kosovës si shtet janë të kënaqshme. Megjithatë, ata konsiderojnë se përfaqësuesit e Kosovës duhet të vazhdojnë të punojnë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për njohje të tjera. Çfarë është duke u bërë në këtë drejtim?

SKËNDER HYSENI
Është duke u bërë shumë. Duke pasur parasysh mundësitë dhe kapacitetet që ka Kosova sidomos në rrafshin e rrjetit diplomatik dhe përfaqësues të saj në botë, është duke u bërë shumë.

Edhe presidenti, edhe kryeministri, natyrisht pak më shumë ministri i Jashtëm dhe Ministria e Jashtme janë duke bërë kontakte të përditshme me përfaqësues të vendeve të ndryshme në nivele dhe forma të ndryshme, ose përmes takimeve të drejtpërdrejta me ambasadorë, me ministra të jashtëm, ose përmes kontakteve me telefon ose përmes miqve të ndryshëm të Kosovës, kanaleve të ndryshme, që të ofrohet informacioni i duhur për vendet që kanë nevojë ende për informacion shtesë, rreth të gjitha drejtimeve që Kosova si shtet i ri po merr në të gjitha planet, në planin politik, në planin e integrimeve të jashtme, në planin ekonomik.

Shumë vende duan të dinë se çfarë lloj ekonomie do të aplikojë shteti i Kosovës, a do të jetë ekonomi e kontrolluar apo ekonomi e hapur tregu. Domethënë, janë të gjitha çështje këto, të cilat një shtet që shqyrton vendimin për të njohur një shtet të ri, i ka parasysh, i ka në sfondin e faktorëve që i shqyrton dhe i analizon, për të marrë një vendim të duhur dhe një vendim mbi bazën e informacionit të bollshëm.

Aktualisht, jemi duke bërë përgatitje të mëdha të gjithanshme për të qenë të pranishëm në Nju Jork, gjatë Asamblesë së Përgjithshme, përkatësisht sesionit të 63-të. Do të jemi të pranishëm në nivel të presidentit dhe në nivel të ministrit të Jashtëm. Kosova do të jetë e pranishme bukur gjatë në këtë ngjarje.

Tashmë kemi filluar kontaktet për të aranzhuar takime të shumta në nivel kryetarësh të shteteve, ministrash të jashtëm. Po shpresojmë se do të takohemi me një numër shumë të madh të delegacioneve gjatë Asamblesë së Përgjithshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë drejtim, hapja e përfaqësive diplomatike dhe emërimi i ambasadorëve të rinj nuk kanë ndodhur ende. Ku është problemi?

SKËNDER HYSENI
Nuk besoj se ka problem në këtë drejtim. Ministria e Jashtme, përmes akteve të ndryshme nënligjore dhe natyrisht në forma të ndryshme, e ka bërë me dije presidentin dhe kryeministrin për vendimin që këto misione të themelohen shpejt.

Tashti çështja është te një vendim që duhet ta marrë presidenti i Kosovës në bashkëpunim me kryeministrin, por edhe me ministrin e Jashtëm, për emërimin e të ngarkuarve me punë. Pra, tash jemi te emrat.

Unë shpresoj që ky proces do të mbyllet shpejt. Shpresoj që presidenti dhe kryeministri shumë shpejt do të marrin vendime të duhura, natyrisht në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Jashtme, dhe porsa të dimë emrat, ato do të dërgohen në vendet përkatëse për ta marrë pëlqimin, sepse ka një procedurë që kërkohet pajtimi i vendit që dërgohet për emrin e caktuar, për individin e caktuar, i cili emërohet në postin e të ngarkuarit me punë.

Vetëm atëherë ne do të kemi mundësi t’i bëjmë publikë, sepse nuk është e udhës, nuk është absolutisht e preferuar në diplomaci të bësh publik emrin e të ngarkuarit me punë ose të ambasadorit, para se për të njëjtën të ketë marrë pëlqimin nga vendi ku dërgohet, nga vendi mikpritës ose nga organizata mikpritëse, në rastin e ndonjë organizate si Bashkimi Evropian ose Kombet e Bashkuara.

Por, gjithsesi, tashti puna është te emërimi, te identifikimi i bartësve të këtyre funksioneve shumë të rëndësishme për rrjetin diplomatik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mbledhjen e fundit të OKB-së keni thënë se Kosova do të vazhdojë të shtrijë dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit me Serbinë. Si e keni menduar bashkëpunimin me Beogradin dhe shtetet fqinje të Kosovës?

SKËNDER HYSENI
Bashkëpunimi me shtetet fqinje të Kosovës është në të gjitha fushat, është një nga shtyllat e politikës së jashtme të Kosovës. Në këtë kuadër, edhe bashkëpunimi me Serbinë - natyrisht gjithnjë si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Unë jam i bindur se në afat të gjatë Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë njësoj si duhet të bashkëpunojnë Kosova e Maqedonia, Kosova e Mali i Zi në fusha të ndryshme, sepse kanë dalë nga një treg i përbashkët.

Janë vende që kanë dalë nga një strukturë e përbashkët, nga një rrjet i përbashkët rrugor, hekurudhor, energjetik, dhe ka aq shumë çështje të interesit të ndërsjellë për të cilat dhe në të cilat këto vende edhe bilateralisht edhe multilateralisht mund të bashkëpunojnë dhe duhet të bashkëpunojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për t’u bërë anëtare e OKB-së, Kosova duhet të njihet të paktën nga dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate. Kur mendoni se do të ndodhë një gjë e tillë?

SKËNDER HYSENI
Nuk dua të jap parashikime, sepse është një çështje për të cilën unë asnjëherë nuk kam dhënë dhe nuk do të jap parashikime. Jam i sigurt se Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së, jam i bindur se kjo do të ndodhë optimalisht, mirëpo nuk mund të jap parashikime më të sakta. Nuk është as punë e mençur që të insistosh në parashikime të sakta, sepse është diçka që nuk varet nga një, dy apo tre faktorë, por varet nga shumë faktorë.

Por, gjithsesi, unë e thashë dhe në fillim, që njohja është proces dhe kur themi proces, duhet të kemi parasysh se proceset mund të zgjasin shkurt dhe mund të zgjasin mesatarisht gjatë ose mesatarisht shkurt. Por, unë jam i sigurt se në afat optimal Kosova do të bëhet edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG