Ndërlidhjet

Shpërbërja e TMK-së, proces i vështirë


Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës
Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, dhe komandanti i TMK-së, gjenerali Sylejman Selimi, diskutuan format e fillimit të procesit të shpërbërjes së TMK-së, që do t’i paraprijë formimit të Forcës së Sigurisë.

Gjenerali Selimi ka kërkuar nga Qeveria dhe Parlamenti që të miratojnë sa më shpejt ligjin për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të TMK-së, të cilët nuk do t’i plotësojnë kriteret për përfshirje në FSK.

Procesi i shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe formimi i Forcës së Sigurisë ka qenë temë qendrore e diskutimit ndërmjet ministrit të sapoemëruar të Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, dhe komandantit të TMK-së, gjeneralit Sylejman Selimi.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se shpërbërja e TMK-së do të jetë një proces i vështirë, por që duhet të respektojë dinjitetin e të gjithë pjesëtarëve që nuk do të mund të përfshihen në Forcën e Sigurisë.

Ministri Mujota e ka siguruar gjeneralin Selimi se Qeveria do t’i trajtojë në mënyrë ligjore ata pjesëtarë të TMK-s, të cilëve ligji u pamundëson të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë.

“Kriteret dhe standardet janë të përcaktuara. Koncepti ushtarak dihet, por unë mendoj se çdokush do të jetë i kënaqur dhe krenar për punën që ka bërë, sikur që do të jetë i kënaqur dhe i dinjitetshëm edhe me pozitën tjetër, cilado qoftë ajo”, tha Mujota.

Ligji për Forcën e Sigurisë parasheh kritere, sipas të cilave, shumë nga pjesëtarët e TMK-së nuk do të mund të aplikojnë për përfshirje në Forcën e Sigurisë. Gjenerali Selimi tha se ka kërkuar nga Qeveria, që si zgjidhje për këta pjesëtarë të jetë nxjerrja dhe miratimi i një ligji për pensionim të parakohshëm të tyre.

“Shumë pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës nuk do të mund të jenë në Forcën e Sigurisë dhe është me rëndësi që bashkërisht me ministrin dhe me Qeverinë, këta pjesëtarë të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, të përgatitet ligji për pensionim të parakohshëm, për çka e mora edhe mbështetjen e ministrit, ndërkohë që kam pasur mbështetjen edhe të kryeministrit”, u shpreh Selimi.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve ushtarake, Agim Musliu, thotë se procesi i formimit të Forcës së Sigurisë do të jetë paksa më i gjatë se që mendohet tash. Ai e sheh këtë fazë si fillim të formimit të ushtrisë së ardhshme të Kosovës, por beson se procesi i formimit do të jetë më i gjatë se që mendohet tani.

“FSK-ja nuk mund të formohet ashtu si mendojmë në ‘ad hok’. Kosova ka kuadro të tillë për një fillim të mirëfilltë, për një fillim të mbarë që garanton një sukses brenda një dekade. Nëse është fillim i mbarë, atëherë ne do ta kemi ushtrinë”, vlerëson Musliu.

Forca e Sigurisë do të ngritët nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Ajo fillimisht do të ketë 2.500 trupa të rregullta, që do të kenë një armatim të lehtë, dhe 800 pjesëtarë rezervë.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, pati deklaruar se FSK-ja nuk do të jetë ushtri, ngase përgjegjësitë mbrojtëse në Kosovë do të vazhdojë t’i ketë edhe më tutje KFOR-i.
XS
SM
MD
LG