Ndërlidhjet

logo-print

Riakreditimi i universiteteve private


Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit

Tridhjetenjë universitete private që veprojnë në Kosovë nuk kanë arritur të akreditohen nga Këshilli Britanik i Akreditimit. Por, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, këto institucione mund të aplikojnë për fazën e dytë të akreditimit, proces ky që do të fillojw në muajin tetor, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Riakreditimi i institucioneve private të arsimit të lartë do të bëhet nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.

Aplikimi për riakreditimin e universiteteve private do të fillojë në muajin tetor, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Riakreditimi pason vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila në bazë të rekomandimeve të Këshillit Britanik, ka marrë vendim që asnjë bartës i arsimit të lartë në Kosovë nuk i plotëson kushtet për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2008-2009.

Abdullah Aliu, nga Ministria e Arsimit, thotë se riakreditimin e universiteteve private do ta bëjë Agjencia Kosovare për Akreditim

“Bartës i procesit të akreditimit do të jetë Agjencia Kosovare për Akreditim. Vizitat e ekspertëve do të jenë nga ana e ekspertëve të huaj, sepse kjo është rregull në të gjitha shtetet evropiane. Procesin si proces e bart agjencia vendore, ndërkaq vendimet, gjegjësisht rekomandimet, i sjell agjencia vendore, por vizitën nëpër institucione e kryejnë ekspertët e jashtëm”, tha Aliu.

Riakreditimi i bartëseve të arsimit të lartë parashihet edhe në Ligjin për Arsimin e Lartë, ligj ky që është miratuar në vitin 2003, në Kuvendin e Kosovës, thotë Abdullah Aliu.

“Akreditim të dytë do të ketë, sepse ashtu e parasheh Ligji për Arsimin e Lartë në Kosovë, që thotë shumë qartë se institucionet që dështojnë të marrin akreditimin e parë, duhet menjëherë të aplikojnë për akreditimin e dytë. Dhe, nëse nuk e kanë as herën e dytë akreditimin, atëherë mund t’u tërhiqet licenca”, theksoi Aliu.

Ndryshe, ekspertë për çështje të arsimit pohojnë se Agjencia Kosovare e Akreditimit duhet të jetë shumë serioze gjatë këtij procesi. Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se Kosova ka nevojë për universitete private, por ai thotë se duhen të akreditohen ato institucione, të cilat i plotësojnë kushtet.

Ajo varet se si i qaset AKA problemit. Unë nuk kam ndonjë bazë të dyshoj se agjencia do ta nisë procesin e akreditimit me qëllim që t’i mbyllë universitetet, edhe pse në botë ndodhin gjëra të tilla. Por, nëse i qaset në mënyrë korrekte, nëse angazhon ekspertë të pavarur, atëherë besoj se procesi do të ketë një lloj kredibiliteti, sepse besoj se një ditë AKA do të vlerësohet nga agjencitë simotra në Evropë”, u shpreh Pupovci.

Abdullah Aliu, nga Ministria e Arsimit, shpreson se institucionet e arsimit të lartë në Kosovë do t’i përmbushin rekomandimet e dala nga procesi i akreditimit që ka bërë Këshilli Britanik.

“Këshilli britanik për akreditim e ka konstatuar gjendjen që është aktuale, ka sjellë rekomandime shumë të qarta se si të dilet nga kjo gjendje. Ne shpresojmë se gjatë këtij viti këto rekomandime do të zbatohen dhe gjendja do të jetë më e mirë gjatë vitit të ardhshëm. Këshilli Britanik është mbështetur në kritere, të cilat janë të parapara me Ligjin për Arsimin e Lartë të Kosovës”, tha Aliu.

Në Kosovë ekzistojnë 31 universitete private, në të cilat tashmë kanë diplomuar mijëra studentë. Mosakreditimi i këtyre institucioneve ka hapur dilemën se çfarë do të bëhet me ata studentë që janë duke vijuar mësimet në këto institucione, apo me ata që tashmë kanë diplomuar. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq kanë deklaruar se kjo mund të sqarohet vetëm nëse universitetet mund të akreditohen në fazën e dytë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG