Ndërlidhjet

“Rusia e Perëndimi me dallime për 17 marsin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
UNMIK-u nuk e ka komentuar raportin e një grupi hetuesish të Kombeve të Bashkuara lidhur me ngjarjet e 17 marsit në veri të Mitrovicës, me arsyetimin se nuk e kanë parë përmbajtjen e raportit... Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, e ka vlerësuar raportin si joreal. Ai ka thënë se atë ditë ka qenë i nevojshëm përdorimi i forcës pasi trupat ndërkombëtare kanë qenë të sulmuara nga ana e serbëve dhe se raporti i grupit të hetuesve dekurajon forcat e rendit që ta zbatojnë ligjin. Edhe analistët politikë kanë vlerësuar se aprovimi i këtij raporti nga KS do të ishte goditje shumë e madhe për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, por edhe për vetë misionin e UNMIK-ut në të ardhmen. Ramush Tahiri është shprehur se miratimi i këtij raporti në Këshillin e Sigurimit, do t'u jepte krahë qarqeve radikale dhe atyre kundër pavarësisë së Kosovës në kuadër të serbëve lokalë. "Një raport i tillë zbeh edhe ndikimin e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë. Nëse miratohet si i tillë, është vetë kundër UNMIK-ut, sepse institucionet e Kosovës nuk janë të përfshira dhe e zbeh ndikimin e UNMIK-ut, por edhe i trimëron forcat e tubuara rreth Këshillit Nacional Serb që synojnë jo vetëm ndarjen funksionale, por edhe faktike", ka thënë Tahiri...

ZËRI
UNMIK-u nuk do të bëjë asnjë marrëveshje me Beogradin pa pëlqimin e Qeverisë së Kosovës, thanë dje zyrtarët e administratës ndërkombëtare. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, në konferencën e rregullt për media, i ka hedhur poshtë dje konstatimet se shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, po bën negociata me Beogradin pa dijeninë e Prishtinës. Ai tha se Zanier nuk ka mandat të bëjë negociata, por të vendosë dialogun, mundësisht të drejtpërdrejtë, në mes të Prishtinës e Beogradit për disa çështje që janë paraparë edhe në planin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Mun. "Përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) nuk ka mandat të negociojë. PSSP ka mandat të përpiqet për të vendosur dialog dhe preferohet dialog i drejtpërdrejtë në mes Prishtinës e Beogradit", tha Ivanko. Ai tha se kishte marrë edhe vetë pjesë në takimin e Zanierit me ministrin serb, Bogdanoviq. Ky i fundit, sipas Ivankos, ka bërë të qartë se Qeveria serbe refuzon të bisedojë me Prishtinën, dhe preferon që këtë ta bëjë përmes UNMIK-ut. "Prandaj, ne jemi këtu për të ndihmuar dialogun. Nuk ka negociata. Çdo gjë për të cilën do të mund të arrijmë marrëveshje, do ta bëjmë vetëm me pëlqimin e Prishtinës dhe kjo është esenca", u shpreh Ivanko...

KOHA DITORE
Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë njoftuar zyrtarisht të mërkurën për rezultatet e hetimeve që janë bërë lidhur me ngjarjet e 17 marsit në Mitrovicë. Dallimet konceptuale Rusi-Perëndim janë shfaqur edhe gjatë kësaj seance konsultative, kanë bërë të ditur burime të gazetës. Rusia si edhe më herët ka mbrojtur pozicionin e saj se ka pasur përdorim të tepruar të forcës nga forcat paqeruajtëse - pa u respektuar komanda e OKB-së, ndërsa Perëndimi ka mbrojtur qëndrimin se forcat paqeruajtëse kanë marrë veprimet në bazë të mandateve që kanë pasur. Në këtë seancë konsultative ka marrë pjesë edhe asistenti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për operacionet paqeruajtëse, Edmond Mulet, i cili i ka informuar anëtarët e KS-së për veprimet e marra nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara në ngjarjet e Mitrovicës më 17 mars. Alex Cerniglia, nga Zyra e zëdhënësit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i ka thënë "Kohës Ditore" se takimi ka pasur karakter informimi dhe nuk është marrë ndonjë vendim apo deklaratë e përbashkët e vendeve anëtare të KS-së. "Në seancën e mbyllur të KS të OKB-së anëtarët e përhershëm janë informuar me atë që ka ndodhur në ngjarjet e 17 marsit në Mitrovicë, por nuk pritet te ketë ndonjë vendim apo deklaratë të përbashkët rreth këtyre ngjarjeve", tha Cerniglia...

KOSOVA SOT
Shembullin e Grupit Parlamentar të AAK-së, kur ditë më parë shefi i këtij grupi, Ardian Gjini, i mblodhi gazetarët për të vlerësuar punën 7 mujore të Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë, e ka ndjekur dje edhe grupi tjetër i opozitës parlamentare, AKR-së, në krye me kryetarin Ibrahim Makolli. Fillimisht, z. Makolli dhe përfaqësues të tjerë të këtij grupi shprehën shqetësimet e tyre për deklaratat e kreut të UNMIK-ut, Lamberto Zanierit, rreth funksionimit të policisë dhe doganave, duke i vlerësuar ato deklarime si përpjekje për legalizimin e strukturave paralele në vend. "Ne jemi deklaruar se Kosova ka nevojë të negociojë me të gjithë fqinjët e saj, e në veçanti me Serbinë, për çështje të ndryshme me interes të qytetarëve të Kosovës. Por, po ashtu kemi deklaruar se negociatat për statusin politik dhe juridik të Kosovës kanë përfunduar", është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli. Edhe Esat Brajshori, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AKR-së, tha se politika e kreut të UNMIK-ut është e baraspeshuar me politikën e Beogradit karshi Kosovës. "Me këtë rast, i bëjmë thirrje z. Zannier që të ulet dhe ta lexojë Kushtetutën e Kosovës dhe mos të provojë të ulet sipër saj, se ky vend është sovran, ka Kushtetutën e vet, ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga shumë shtete", është shprehur Brajshori...

LAJM
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet se disa çështje të rëndësishme të shtetit mund të përcaktohen edhe nëpërmjet referendumit. Mirëpo, në mungesë të ligjit, edhe nëse shtrohet nevoja e referendumit, qytetarët e shtetit më të ri në botë nuk kanë mundësi ta ushtrojnë këtë të drejtë. Referendum për asnjë çështje nuk mund të organizohet të paktën edhe këtë vit, pasi Qeveria nuk e ka në agjendën legjislative, hartimin e një projektligji për referendumin brenda vitit 2008. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë për "Lajm" se Qeveria do ta marrë parasysh çështjen e referendumit dhe do të përpiqet që sa më shpejt ta hartojë projektligjin. "Parimisht, këtë projektligj do të duhej ta hartojë Ministria e Drejtësisë, por këtë mund ta bëjë edhe ndonjë institucion tjetër". Referendumi, sipas zëvendëskryeministrit, është vendim direkt i qytetarit dhe po ashtu është forma më demokratike në botë për zgjidhjen e ndonjë çështjeje. "Pasi ta nxjerrim ligjin, atëherë për çdo çështje madhore do të kemi mundësi të kemi konsensus nacional nëpërmjet referendumit". Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se forma më demokratike e një shoqërie për të shprehur një kërkesë të veten, një dëshirë, është referendumi. Por, sipas saj, projektligji për referendum nuk është në agjende. "Megjithëkëtë, pasi referendumi e ka bazën kushtetuese - nëse vendos kabineti qeveritar, ne si ministri e përgatitim menjëherë edhe atë projektligj"...

BOTA SOT

Komiteti për Siguri i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, kryesuar nga kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, ka vlerësuar situatën e krijuar në komunë, pas incidenteve ndëretnike që ndodhën një ditë më parë në lagjet veriore të qytetit. Me këtë rast është konstatuar se situata në veri të Mitrovicës është e tensionuar pas incidenteve që kanë ndodhur të martën në mëngjes në Lagjen e Boshnjakëve dhe në zonën e "Tre rrokaqiejve". Duke i njoftuar anëtarët e Komitetit se pas sulmit të një grupi serbësh ndaj një të riu shqiptar, në hyrje të lagjes "Lumbardhi", gjendja ka eskaluar dhe më vonë janë dëmtuar disa vetura dhe lokale të shqiptarëve, në afërsi të 'Tre rrokaqiejve", kryetari Rexhepi ka shtruar nevojën për masa shtesë nga strukturat e sigurisë në këto lagje të qytetit. "Këto dy lagje, ku kanë ndodhur incidentet e fundit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy pjesët më të ndjeshme sa i përket aspektit të sigurisë, prandaj strukturat e sigurisë duhet të rrisin praninë e tyre aty", tha ai...

EXPRESS
Tre zyrtarë të OKB-së, të cilët kanë hetuar ndërhyrjen e Policisë së UNMIK-ut për lirimin e Gjykatës në veri të Mitrovicës, më 17 mars, kanë nxjerrë përfundime, të cilat mund të mirëpriten vetëm nga porositësit e hetimeve - Serbia dhe Rusia. Raporti, të cilin e ka siguruar Express, e vlerëson të papërgatitur në çdo aspekt planin operativ të policisë së UNMIK-ut, por nuk përmend dhunën e protestuesve serbë, të cilët atë ditë kanë përdorur armë zjarri, granata, etj, duke plagosur mbi 100 policë ndërkombëtarë dhe ushtarë të KFOR-it. Një police ukrainas ka humbur jetën nga plagët me granatë. Për ekipin e hetuesve të OKB-së, të udhëhequr nga Francis Ssekandi, avokat nga Uganda, operacioni më 17 mars "duket se ka qenë i paarsyeshëm, jo i përgatitur me kujdes dhe i menaxhuar dobët në aspektin e qëllimit, personalit komandues, planifikimit, procesit të konsultimit dhe ekzekutimit të operacionit". Ssekandi ka qëndruar për dy javë në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd dhe ka intervistuar zyrtarë të lartë të UNMIK-ut, Ruecker, Rossin, etj, pastaj zyrtarë të Policisë së UNMIK-ut, liderë serbë në veri dhe ish-ministrin serb, Slobodan Samarxhiq...


XS
SM
MD
LG