Ndërlidhjet

Olimpiada dhe politika


John Hoberman
John Hoberman

Nga koha e Olimpiadës së parë moderne, të mbajtur në vitin 1896, Lojërat Olimpike janë bërë sa sport, aq edhe politikë. Përjashtim nuk janë as Lojërat Olimpike "Pekini 2008", thotë John Hoberman, nga Universiteti i Texasit.


RADIO EVROPA E LIRË

Cilat janë rastet më të njohura kur politika dhe garat sportive janë ndërlidhur me Lojërat Olimpike?

JOHN HOBERMAN
Gjatë 75 vjetëve kemi pasur 5 raste që Lojërat Olimpike u janë dhënë regjimeve autoritare. Lojërat Olimpike të Berlinit në vitin 1936 janë shembulli më i njohur. Në vitin 1968, Lojërat iu besuan Meksiko Sitit, ndonëse paraprakisht armata meksikane kishte bërë masakër mbi demonstruesit paqësorë.

Në vitin 1980, Lojërat Olimpike në Moskë gjithashtu ishin kontradiktore, sepse organizoheshin nga një diktaturë. Në rastin e tashëm të Pekinit, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik sërish vendosi të hyjë në marrëdhënie me një qeveri autoritare dhe ky vendim gjithashtu është shumë kontradiktor.

RADIO EVROPA E LIRË
Në vitet 1980 dhe 1984, Lojërat Olimpike, për shkaqe politike, u bojkotuan nga vende të caktuara. Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bojkotuar Olimpiadën e vitit 1980 nxiti debate të shumta në kuptimin nëse liderët qeveritarë duhet të shfrytëzojnë sportistët për qëllime politike. Cilat janë efektet e bojkotimeve?

JOHN HOBERMAN
Në vitin 1980, presidenti amerikan, Xhimi Karter, bëri të ditur bojkotimin e Olimpiadës së Moskës. Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në ato Lojëra Olimpike. Nuk morën pjesë edhe shumë vende të tjera.

Kjo pati efekt në këtë Olimpiadë, por ndikoi edhe në vendimin e Bashkimit Sovjetik dhe të disa vendeve tjera komuniste për të bojkotuar Lojërat Olimpike të Los Angjelesit.
Vendimi i presidentit Karter për të bojkotuar Olimpiadën në Moskë ishte provokuar nga invadimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se në kohët moderne Lojërat Olimpike janë bërë fushë e vendeve të caktuara për të bërë artikulime politike para botës. A është ky politizim i Lojërave Olipmike dhe a mund të ketë fare Olimpiadë apolitike?

JOHN HOBERMAN
Jo, asnjëherë nuk ka qenë e mundur të zhvillohen Lojëra Olimpike të liruara nga politika. Në rastin e Pekinit 2008, kemi një qeveri që ka dërguar 400 mijë fëmijë dhe adoleshentë në shkolla speciale sportive dhe vetëm me një qëllim: fitimin e sa më shumë medaljeve për Republikën Popullore të Kinës.

Sa herë që Komiteti Ndërkombëtar Olimpik u ofron organizimin e Olimpiadës regjimeve autoritare, ai në fakt atyre u ofron mundësinë që të demonstrojnë "fuqinë" e tyre, aftësinë për të kontrolluar ambientin e brendshëm, aftësinë për të prodhuar sportistë – mekanikë të përgatitur për fitimin e medaljeve dhe aftësinë që të projektojnë imazh të fuqishëm në nivel botëror.

RADIO EVROPA E LIRË
Komiteti Ndërkombëtar Olimpik ka vendosur që Lojërat Olimpike dimërore të vitit 2014 t'i organizojë Rusia. A mendoni se ky vendim mund të ndikojë që Moska të përmirësojë çështjet nga plani i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut?

JOHN HOBERMAN
Shpresoj se po. Por, sërish më duhet të them se jam i befasuar që Komitetit Olimpik shpërbleu Rusinë me organizimin e Olimpiadës dimërore. Kjo për faktin se viteve të fundit, Vladimir Putin ka sfiduar demokracinë dhe ka imituar instalimin e ekonomisë kapitaliste, por duke bërë kufizime të lirive civile dhe politike.

RADIO EVROPA E LIRË
A pritni paraqitje politike në Lojërat Olimpike të Pekinit?

JOHN HOBERMAN
Dikush brenda dy javëve do të bëjë një paraqitje politike. Nuk mund ta parashikoj kush do ta bëjë, por supozoj të jetë kinez. Është e mundur që disidentët kinezë të bëjnë diç spektakulare pikërisht në çastin kur regjimi në Pekin dëshiron të pamundësojë një zhvillim të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se do të reagojë Kina në një rast të tillë?

JOHN HOBERMAN

Vlerësuar nga përvoja e këtij regjimi, parashoh që për shkak të opinionit, kundërpërgjigjja fillestare e Pekinit të jetë e butë. Por, kur Lojërat Olimpike të kenë përfunduar dhe Kina të jetë larg reflektorëve të botës, kundërpërgjigja do të jetë më e ashpër.
XS
SM
MD
LG