Ndërlidhjet

Lypës apo biznes?


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Qindra fëmijë kërkojnë lëmoshë në qendrat kryesore të Kosovës. Shumë nga ta nxiten të lypin nga familja e tyre, ose kujdestarët. Fëmijëria e tyre në të shumtën e rasteve është e shkatërruar. Këto janë përfundime të nxjerra nga Fondacioni "Terres de Hommes”. Shefi i këtij misioni në Kosovë, Artur Marku, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pohon se këta fëmijë në të shumtën e rasteve shfrytëzohen dhe trafikohen.

Jo të gjithë fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugët e kryeqytetit dhe qendrat tjera janë me të vërtetë të varfër. Fondacioni ‘Terres de Hommes’ ka hulumtuar nga viti 2005 qindra fëmijë të tillë dhe familjet e tyre. Shefi i këtij misioni në Kosovë, Artur Marku, thotë se monedhat që u jepen fëmijëve nuk ushqejnë ata, por ndihmojnë në shfrytëzimin dhe trafikimin e tyre.

"Të dhënat janë nxjerrë nga intervistat e zhvilluara me këta fëmijë. Duke ditur se një mesatare e një fëmije që mbledh para duke lypur në rrugë shkon nga 20 deri 30 euro, imagjinoni se cili mund të jetë përfitimi kur një familje nxjerr katër apo pesë fëmijë në rrugë. Kështu që gjatë zhvillimit të aktiviteteve tona ndodhemi nganjëherë në situata që janë shumë komplekse, sepse në momentin e parë, pasi që ke kontaktuar një fëmijë që është lypës në rrugë, kur shkon në familjen e tij kushtet janë mund të them normale apo të mira në raport me jetën në Kosovë",
thotë Marku.

Artur Marku
Marku thotë se fenomeni i lypësisë nga fëmijët kosovarë ka shënuar rritje në dy vjetët e fundit. Përderisa para 3-4 vjetësh
ishin fëmijët romë nga Shqipëria ata që mbushnin rrugët e kryeqytetit, tash, sipas Markut, këtë primat e mbajnë fëmijët kosovarë. Ai thotë se në përpjekjet për të riintegruar fëmijët ne jetën shkollore e sociale, hasin në pengesat nga prindërit.

"Për prindërit kjo është një nga elementet më të papranueshme, sepse në ndërkohë sigurojnë një jetë të mirë duke prishur në të njëjtën kohë të gjithë ardhmërinë e fëmijëve të tyre", thotë Marku.

Fondacioni ‘Terres de Hommes’ ka identifikuar dhe po punon me 400 fëmijë lypës, numri më i madh i të cilëve është nga Prishtina. Artur Marku pohon se lypja nuk vjen si pasojë e varfërisë, por shpesh konsiderohet si zgjidhje e leverdishme për të rriturit. Megjithatë, ende në Kosovë nuk ka pasur raste kur janë penalizuar familjet, që i nxisin fëmijët e tyre të kërkojnë lëmoshë.

"Disa iniciativa, të cilat aktualisht po mendohen dhe diskutohen, janë që të krijohet dhe shikohet mundësia për një aktivizim më të madh nga qendrat për Punë Sociale, të cilët janë tutorët ligjorë të këtyre fëmijëve, për të parë se cilat janë mundësitë për të penalizuar deri diku familjet e këtyre fëmijëve, por në ndërkohë kjo krijon një tjetër problem, sepse problemi tjetër është nëse do t'u hiqet e drejta prindërore këtyre familjeve, atëherë kush do të merret me këta fëmijë", tha Marku.

Artur Marku pohon se mosha e fëmijëve lypës kryesisht sillet nga 8 në 13 vjeç. Shumë nga ta, sipas tij, përfundojnë si të shfrytëzuar, por edhe të trafikuar.
XS
SM
MD
LG