Ndërlidhjet

A do dështojnë negociatat për kontestin greko-maqedonas?


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Në prag të negociatave të reja për kontestin e emrit me Greqinë, ekspertët në Shkup nuk presin ndryshime të qëndrimeve dhe me këtë arritje të ndonjë marrëveshjeje konkrete. Madje, ekspertët presin përkeqësim të pozicionit të Maqedonisë në planin ndërkombëtar, për shkak edhe të konflikteve të brendshme në relacionin President-Qeveri.

Raundi i ri i negociatave mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit pritet të zhvillohet brenda 10 ditëve në Nju-Jork, me iniciativë të ndërmjetësit ndërkombëtar, Metju Nimic. Lajmi i publikuar në mediat greke, megjithatë, nuk është konfirmuar nga zyrtarët maqedonas.

Ndërmjetësi Nimic së fundi ka pranuar se mospajtimet mes të dyja palëve nuk janë kapërcyer, por shfaqi bindjen se tek to ekziston vullnet për zgjidhjen e shpejtë të kontestit shumëvjeçar për emrin e Maqedonisë.

Por, të njëjtin mendim nuk ndajnë ekspertët, sipas të cilëve, dallimet janë të mëdha, andaj edhe nuk pritet ndonjë marrëveshje konkrete në një periudhë të afërt kohore.

“Kemi qëndrime diametralisht të kundërta nga të dyja palët, andaj edhe nuk pres afrim të qëndrimeve drejt zgjidhjes së kontestit as tani, e as në një kohë të afërt”, tha Jana Llozanovska, eksperte për çështje ndërkombëtare.

Ajo i vlerëson të drejta qëndrimet e zyrtarëve maqedonas, të cilët nuk heqin dorë nga emri kushtetues dhe këtë, sipas saj, duhet ta kuptojë Athina zyrtare, pasi bëhet fjalë për identitetin e një populli.

Llozanovska konsideron se raundi i ri i negociatave është vetëm se përpjekje që të mbahet në kontinuitet procesi negociues.

“Nuk besoj se Kombet e Bashkuara do të ndërmarrin ndonjë hap me vetiniciativë për zgjidhjen e problemit, edhe pse kanë mandat për një gjë të tillë, duke marrë në konsideratë pozicionet e të dyja palëve”,
tha Llozanovska, duke shtuar se do të duhet edhe shumë kohë për arritjen e zgjidhjes së pranueshme.

Por, nga ana tjetër, analisti Albert Musliu, thotë se zvarritja e këtij problemi, si dhe problemet e brendshme në raportet mes pozitës dhe opozitës, do ta vënë në pozitë edhe më të palakmueshme pozicionin e Maqedonisë në skenën ndërkombëtare.

“Përderisa çështja e emrit të Maqedonisë dhe çështja e marrëdhënieve dypalëshe tensionohen, sigurisht që pozita e Maqedonisë rëndohet në rrafshin ndërkombëtar. Edhe tani gjithë partitë politike kryesore synojnë integrimin euroatlantik, por gjithë tensionet e brendshme e largojnë jo vetëm vëmendjen, por edhe vrullin e punës që ka të bëjë me këto integrime. Pra, sigurisht që tensionet e brendshme e ngadalësojnë procesin e integrimeve të Maqedonisë”, deklaroi Albert Musliu.

Veç kësaj, sipas ekspertëve, tensionimit të raporteve me fqinjin jugor i ka kontribuar edhe një letër e kryeministrit Gruevski, dërguar homologut të tij grek, Kostas Karamanlis, nga i cili kërkonte pranimin e ekzistimit të pakicës maqedonase në Greqi.

Reagimi i kryeministrit grek ka qenë i menjëhershëm, duke thënë se në Greqi nuk ka pakicë maqedonase dhe se çështjet e ngritura nga Gruevski nuk mund assesi të jenë pjesë e negociatave.

XS
SM
MD
LG