Ndërlidhjet

“Kolumbia dhe Belize çojnë në 45 numrin e njohjeve”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në një drekë që shtroi për fëmijët e fshatit "SOS-Kinderhof', nuk ka mundur t'i anashkalojë çështjet e "nxehta" politike që këto ditë po qarkullojnë jo vetëm në Kosovë. Megjithëse, kjo drekë me femijët jetimë të Kosovës, nuk ka pasur karakter "politik", kanë qenë pyetjet e gazetarëve që e kanë shtyrë presidentin Sejdiu të merret edhe me çështjet politike. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e tij se çështja e statusit të Kosovës është e përfunduar, ndërkohë që institucionet e Kosovës do të jenë të gatshme të bashkëpunojnë me të gjitha shtetet për çështje tjera me interes të përbashkët. "Absolutisht është çështje e përfunduar, është e mbyllur mirë dhe e shihni se edhe këto ditë ka filluar një cikël i ri i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe kjo do të vazhdojë", tha presidenti Sejdiu, duke iu referuar propozimeve të Zanierit për bisedime. Presidenti Sejdiu ka theksuar se Kosova u ka thënë "Po" temave që janë në interes të shteteve sovrane, në interes të qytetarëve të njërit apo vendit tjetër. Presi¬denti Sejdiu ka potencuar se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë izoluar të drejtën që Serbia të kujdeset sikur çdo vend tjetër për pjesën e komunitetit ë saj që është në Kosovë, por në bazë të standardeve dhe rregullativës ndërkombëtare...

INFOPRESS
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka "ndezur" motorët edhe më, me qëllim që numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën të rritet. Kështu, kjo ministri është duke u përgatitur që të marrë pjesë në takimin e 63-të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork. "Një delegacion i Ministrisë do të marrë pjesë në takimin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së", ka thënë për gazetën, Albana Beqiri, këshilltare për media e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni. Ky takim, sipas saj, pritet të mbahet më 23 shtator. Kosovën deri më tani e kanë njohur 45 vende. Njohjet e fundit kanë qenë të enjten (dje), nga Kolumbia dhe Belize... "Sigurisht që ky është një rast i mirë për të takuar diplomatë nga vende, veçmas atyre që nuk e kanë njohur Kosovën. Min¬istri dhe ekipi i tij do ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ashtu si edhe herëve të tjera, për sa më shumë takime, në të cilat sig¬urisht se temë kryesore do të jetë kërkesa e paprerë e jona dhe Qeverisë së Kosovës për njohjen e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur", ka thënë Beqiri...

EXPRESS
Në vend të zgjidhjeve të çështjeve të vështira në Kosovë, duket se shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, së bashku me rrobat në valixhen e tij, ka sjellë edhe më shumë probleme në Prishtinë. Ne këtë rast, jo vetëm institucionet e Kosovës nuk pajtohen me veprimet dhe deklaratat e tij konradiktore, por italianit, i cili shumë shpesh e ka vizituar Beogradin në kuadër te punës së tij në OSBE, probleme i kanë dale edhe brenda administratës së tij kaotike. Burime shumë të besueshme të Expressit nga administrata e UNMIK-ut tregojnë se një luftë e ndrydhur brenda mureve të trasha të UNMIK-ut ka javë që ka nisur ndërmjet Lamberto Zannierit dhe atij të doganave të EULEX-it, Paul Acda. Shkas për këtë betejë duket të jetë këmbëngulja e Paul Acdas, i cili ka vite të tëra që shërben në UNMIK, duke ndërruar pozitat nga më të ndryshmet, ku secila ka qenë më e rëndësishme se tjetra. Arsyeja e kokëfortësisë së Paul Acdas përballë Lamberto Zannie¬rit janë Doganat e Kosovës dhe shndërrimi i tyre në një sistem të ngjashëm me atë të Hong-Kongut, që juridikisht është vetëm një sistem në kuadër të doganës kineze, por praktikisht ato veprojnë të pavarura. Madje mosmarrëveshjet ndërmjet këtyre dy zyrtarëve të lartë, kanë shkuar deri në atë pikë, sa Acda ka kërcënuar se nëse vjen puna për të zgjedhur ndërmjet detyrës si shef i doganave në kuadër të EULEX-it apo largimit të tij, ai preferon mundësinë e dytë...

EPOKA E RE
Qeveria e Malit të Zi ndodhet përballë presioneve të ndryshme politike për sa i përket vendimit për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Partitë politike të shqiptarëve kërkojnë që vendimi për njohjen e Kosovës të merret sa më shpejt, partitë opozitare pro-serbe kërkojnë debat parlamentar, kurse koalicioni qeverisës është shprehur se vendimi do të mer¬ret me kohë dhe nëpërmjet institucioneve shtetërore të Malit të Zi. Kryetari i Partisë Popullore Socialiste opozitare pro serbe, Srgjan Miliq, i cili është edhe kryetar i Këshillit malazias të integrimeve evropiane, ka kërkuar të enjten nga kryeministri malazias, Milo Gjukanoviq, që ta përmbushë premtimin e paraardhësit të tij, Zhelko Shturanoviq, që sa më parë qeveria ta sjellë vendimin mbi njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës. "Por, mbi këtë çështje të hapet debat në parlament. Gjukanoviq duhet ta mbajë fjalën e ish-kryeministrit Shturanoviq", ka thënë ai. Ndërkaq, kryeministri malazias, Milo Gjukanoviq, lidhur me njo¬hjen e Kosovës, në prononcimin e tij të fundit për media, ka thënë se "do të vendosin organet kompetente shtetërore të Malit të Zi”. "Çfarë do të jetë qëndrimi ynë final, organet shtetërore do ta marrin vendimin për këtë kur të vijë koha", ka thënë ai...

KOSOVA SOT
Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, për gjashtë pikat praktike, ndonëse mund të sjellin marrëveshje që nuk janë të parashikuara në pakon e Ahtisaarit, nuk janë problem për ICO-në. Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), që është autoriteti kryesor mbikëqyrës i implementimit të pakos së Ahtisaarit, mbështet përpjekjet për marrëveshje dhe është e gatshme që të bëjë lëshime edhe në raport me instruksionet e pakos së Ahtisaarit, në rast se këto marrëveshje sjellin pajtueshmëri. Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mek Gafi, shpjegon për "Kosova Sot", se ICO-ja do të këmbëngulë që gjithçka në këtë proces të jetë transparente. "PSSP, Zanier, është udhëzuar nga Sekretari Gjeneral i OKB-së që të konsultohet me Prishtinën dhe Beogradin që të provojë të gjejë zgjidhje për gjashtë çështje praktike shqetësuese", thotë Mek Gafi, duke mos nxituar që takimet e Zanierit t’i kualifikojë si bisedime. "Ne mbështesim të gjitha përpjekjet që për qëllim kanë arritjen e progresit në mënyrë transparente. Ne mbështesim përpjekjet që do të sillnin pajtim", potencon zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare...

LAJM
Deklaratat e "keqinterpretuara" të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, se do të bisedojë me Beogradin për gjashtë pikat e parapara në planin e Ban Ki-Moonit kanë nxitur reag¬ime të mëdha, ndonëse Qeveria dhe Presidenti i Kosovës në parim e kanë pranuar planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së... Autoritetet kosovare kanë përsëritur se Prishtina nuk do të bisedojë në asnjë rrethanë, në asnjë kohë dhe me asnjë kusht me Beogradin për gjashtë pikat e propozuara nga Ban Ki-Moon, duke kujtuar se do të respektohet vetëm Kushtetuta e Kosovës dhe jo deklaratat "ad hoc" të kujtdo qoftë ai edhe Zannier. Se përse kryeministri Hashim Thaçi deklaron se nuk do të bisedohet me Beogradin, përderisa Qeveria e ka pranuar planin e Sekretarit të Përgjithshëm për rikonfigurimin e UNMIK-ut, që nënkupton edhe dialogun për 'gjashtë pikat', zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, për "Lajm" jep një përgjigje shumë të qartë. "Ne do t'i respektojmë obligimet ndërkombëtare, por gjithnjë duke e respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe duke mos harruar se jemi shtet i pavarur dhe sovran". Sidoqoftë, në përgjigjen që presidenti Fatmir Sejdiu i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, ia kishte bërë me dije se asnjë rekomandim i tij nuk do të zbatohej pa vendimin dhe miratimin e Qeverisë së Republikës...

ZËRI
Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të enjten e kanë kritikuar mjaft ashpër Qeverinë e Kosovës për krizën mjaft të rëndë energjetike, e cila është duke mbizotëruar gjatë ditëve të fundit në vend. Ata i sugjeruan Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë projektin e filluar nga qeveria e kaluar për ndërtimin e Termocentralit "Kosova C", në mënyrë që të dilet nga ky kolaps energjetik. "Premtimi i kryeministrit Thaçi për furnizim me energji elektrike 24 orë pandërprerë, nuk është realizuar ende, megjithëse kanë kaluar tetë muaj nga qeverisja e tij", ka thënë deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Ibrahim Selmanaj, ndërsa ka shtuar se, pasojat e kolapsit energjetik po i vuajnë qytetarët, bizneset, por kjo dëshmon se jemi të papërgjegjshëm ndaj investitorëve të huaj. "Duke marrë parasysh edhe zhvillimet që ndodhin në Kosovë, jemi të papërgjegjshëm edhe ndaj investitorëve të huaj. Dhe, në këtë radhë, heshtja para këtyre zhvillimeve dhe sqarimeve të sovranit të Kosovës, popullit të Kosovës, që ka zgjedhur organet e veta udhëheqëse, është e papërgjegjshme, ku me këtë AAK-ja kërkon nga Qeveria të jepen sqarime pse ndodh kjo në Kosovë", tha ai. Ndonëse me rishikimin buxhetor janë ndarë edhe 50 milionë euro për furnizim me energji elektrike dhe përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese, Selmanaj tha se ka rënë prodhimi, por edhe arkëtimi, krahasuar me vitin paraprak...

KOHA DITORE
Shteti i dytë më i madh për nga popullata në Amerikën Jugore, Kolumbia, dhe shteti me shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në Amerikën Qendrore, Belize, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është bërë e ditur të enjten. Këto dy njohje vijnë pas një periudhe shterpe njohjesh prej gati dy muajsh dhe janë shtetet e para që pranojnë Kosovën pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj, një ngjarje kjo për të cilën presidenti dhe kryeministri i vendit patën thënë se do të përshpejtojë procesin e pranimit ndërkombëtar të pavarësisë. Kolumbia dhe Belize e çojnë në 5 numrin e njohjeve nga Amerika Qendrore dhe ajo Jugore dhe në 45 numrin e përgjithshëm të vendeve që kanë pranuar sovranitetin e shtetit më të ri në botë. Njohje të tjera nga ky rajon janë paralajmëruar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkohë që Panamaja, Guatemala dhe Kili mund të jenë tri vendet e tjera që i shtohen radhës së atyre që pranojnë Kosovën shtet, kanë raportuar mediat në internet. Zyra e presidentit të Kosovës dhe Ministria e Jashtme e Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur për njoftimet që kanë pranuar nga këto dy vende. Njoftimi për njohje nga Belize është bërë nëpërmjet një letre që presidenti Fatmir Sejdiu ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e këtij shteti...
XS
SM
MD
LG