Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit politikë të komunitetit serb i kundërshtojnë deklaratat e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, i cili ka thënë se qeveria e Kosovës duhet t’i zgjedhë përfaqësuesit e serbëve që do të merren decentralizimin.

Nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për pjesën qendrore të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se një proces i tillë i decentralizimit, do të ishte i pasuksesshëm.

Ajo thotë se serbët nuk kanë besim në lidershipin e Kosovës, andaj, sipas saj, qeveria e Kosovës nuk mund t’i zgjedh serbët që do të përfaqësojnë këtë komunitet në procesin e decentralizimit, siç kishte propozuar Pieter Feith.

“Nëse decentralizimin do ta udhëhiqnin njerëzit të cilët do të zgjidheshin nga institucionet e Kosovës, kam frikë se nuk do të kishte sukses, ngase serbët do të besonin se ata nuk janë përfaqësues që do të përkujdeseshin për interesat e komunitetit”, thotë Trajkoviq.

Së dyti, shton ajo, "njerëzit që nuk e kanë besueshmërinë dhe përkrahjen e bashkësisë serbe do ta kenë shumë vështirë që t'i zbatojnë marrëveshjet që do ti bënin me shqiptarët, sepse pjesa tjetër e serbëve do ti kundërshtonte".

Kështu që sipas Rada Trajkoviqit, serbët duhet të jenë ata që vetë i përcaktojnë përfaqësuesit e tyre.

Pieter Feith gjatë një vizite që i bëri këto ditë komunës së Vitisë, ka thënë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e Serbisë të mbajtura më 11 maj nuk mund të konsiderohen si legjitim, kështu që ata nuk mund të udhëheqin komunat dhe projektet që kanë të bëjnë me procesin e decentralizimit.

Deklaratat e tilla, i kundërshton edhe Nebojsha Joviq, përfaqësues serb nga veriu i Kosovës.

“Nuk e di se çka nënkupton ky mosbashkëpunim me përfaqësuesit e zgjedhur legalisht. Nëse vazhdimisht thirremi në argumentin e legalitetit dhe legjitimitetit unë duhet të them dhe këtë e ka të qartë edhe z.Feith se për herë të parë që nga viti 1999, komuniteti serb ishte në gjendje që të zgjedh përfaqësuesit e vet legjitim”, thotë Joviq.

Sipas përfaqësuesve serbë, në procesin e decentralizimit do të duhej të përfshiheshin ata serbë që kanë përkrahjen e bashkësisë serbe në Kosovë, por edhe përkrahjen e Beogradit, duke injoruar kështu qeverinë e Kosovës.

Joviq dhe Trajkoviq, besojnë se decentralizimi do të ishte në funksion të krijimit të kushteve më të mira për jetë për komunitetin serb dhe do të ndikonte në kthimin e të zhvendosurve.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare synojnë që nga vjeshta të nisin me procesin e decentralizimit sipas plani të Ahtisaarit dhe me krijimin e komunave të reja, por problemi qëndron në atë se po hasin në kundërshtimet e përfaqësuesve serb, të cilët nuk e përfillin qeverinë e Kosovës dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare, duke kërkuar që të bashkëpunojnë vetëm me Beogradin.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG