Ndërlidhjet

logo-print

Strukturat paralele drejt zhbërjes apo legalizimit?


Mitrovica

Mitrovica

Misionet ndërkombëtare nuk janë të qarta në qëndrimin e tyre karshi strukturave paralele serbe në Kosovë. Në njërën anë i quajnë ilegale, por nuk shihet ndonjë veprim për të shpërbërë këta mekanizma.

Qeveria në anën tjetër i konsideron ilegale, por nuk ndërmerr veprime për shpërbërjen me qëllim që të mos tensionojë situatën.

Të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë i trajtojnë si ilegale strukturat paralele serbe. Por, nuk ka veprime nga asnjëra palë që të shpërbehen ato. Për më tepër edhe institucionet vendore, edhe ato ndërkombëtare, pranojnë se si qytetarë të Kosovës do të flisnin edhe me ata serbë që janë pjesë e këtyre strukturave.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria është e gatshme të bisedojë me të gjithë qytetarët e Kosovës.

"Si përfaqësues nuk i njohim, por si qytetarë do të bisedojmë me çdo qytetar të Republikës se Kosovës. Nëse flet si qytetar dhe nuk përfaqësohet në emër të ndonjë institucioni, jemi të gatshëm ta presim", tha Kuçi.

Ngjashëm shprehen edhe zyrtarë të UNMIK-ut. Bisedimet nuk përjashtohen edhe me ata serbë që janë pjesë e strukturave paralele.

"Mendoj se përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm ka qenë shumë i qartë, ai do të flasë me liderët e komunitetit, me politikanë të cilët mendon se do të ofrojnë zgjidhje nga komuniteti pakicë në veçanti. Ai do flasë me ata, edhe nëse ndodhë që ata të jenë pjesë e këtyre strukturave, por nuk nënkupton se ai i njeh këto struktura. Ato vazhdojnë të jenë ilegale", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare duket se strukturat paralele i trajtojnë si ilegale vetëm në mënyrë deklarative. Këto struktura pothuajse gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë vetëm sa janë forcuar ne veriun e Kosovës dhe në mjediset tjera serbe, ndërkohë që ndihma financiare dhe politike e Beogradit zyrtar nuk është ndalur asnjëherë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pohon se veprime konkrete nuk janë ndërmarrë për hir të, siç thotë ai, ruajtjes së qetësisë.

"Angazhimi i institucioneve të Kosovës është në drejtim të forcimit të institucioneve legale të Kosovës. Strukturat paralele në asnjë pjesë të Kosovës nuk kanë vend dhe po punojmë me kujdes, që të mos tensionojmë situatën, por duke ruajtur të drejtën për ta mbrojtur rendin dhe ligjin", tha Kuçi.

Ndryshe, në opinionin kosovar, ditëve të fundit, ka pasur reagime të shumta kundër disa ideve për krijimin e policisë serbe brenda policisë së Kosovës, sikurse edhe krijimin e shërbimit të tillë doganor brenda Doganave të Kosovës. Hajredin Kuçi ka thënë se ka marrë siguri nga UNMIK-u se një gjë e tillë nuk do bisedohet.

"Unë sot kam pasur një takim me zëvendësshefin e UNMIK-ut z Nikolas dhe qëndrimet e qeverisë dhe të UNMIK-ut janë të përafërta. UNMIK nuk ka qëndrim për polici etnike; po ashtu ka qëndrim të prerë që Kosova të jetë një sistem unik qoftë për të gjitha fushat", tha Kuçi.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, serbët në masë të madhe i kanë braktisur institucionet e Kosovës për t'iu bashkuar atyre të Serbisë. Ndërsa, edhe ato pak institucione që janë kontrolluar nga institucionet në veri, tashmë kanë kaluar nën juridiksionin e Qeverisë serbe - si gjyqësia dhe sfera të tjera.

UNMIK-u pohon se është duke u munduar ta zgjidhë këtë situatë në kuadër të bisedimeve për gjashtë fushat e propozuara nga Ban Ki Moon. Analistët janë skeptikë se përmes këtyre bisedimeve do të arrihet të zgjidhet problemi nëntëvjeçar.
XS
SM
MD
LG