Ndërlidhjet

logo-print

Luftime në Gjeorgji

  • RFE /RL

Tanket gjeorgjiane duke u djegur, 8 gusht 2008.

Tanket gjeorgjiane duke u djegur, 8 gusht 2008.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se forcat ruse kanë nën kontroll pjesë të Tskhinvalit, kryeqytetit të rajonit separatist të Osetisë Jugore. Shota Utiashvili, zëdhënës i ministrisë, tha se forcat ruse po bombardojnë trupat gjeorgjiane "nga tanket dhe aeroplanët", duke shtuar se "ne kontrollojmë një pjesë të qytetit, ndërsa rusët tjetrën".

Forcat e Gjeorgjisë dhe separatistët e Osetisë Jugore kanë luftuar gjatë tërë ditës së sotme për kontrollin e kryeqytetit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndërkohë e akuzoi Gjeorgjinë për "spastrim etnik" të rajonit pro-moskovit.

"Ka raporte për spastrimin etnik të fshatrave në Osetinë Jugore. Ne po shohim panik në mesin e popullsisë dhe një numër në rritje të refugjatëve, të cilët po përpiqen t'i shpëtojnë jetët e tyre, të fëmijëve dhe familjeve të tyre”.

Ministrja e Jashtme, Ekaterine Tkeshelashvili, tha se Gjeorgjia u bën thirrje liderëve botërorë që t'i bëjnë presion Moskës të ndalë "agresionin e drejtpërdrejtë ushtarak" në territorin gjeorgjian.

Më herët, presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, tha se një autokolonë me 150 automjete, autoblinda dhe tanke ruse ka hyrë pasditen e sotme në territorin e Osetisë Jugore.

Po sot, Saakashvili shpalli "mobilizimin e plotë" të forcave ushtarake të Gjeorgjisë. Zyrtarët e sigurisë të Gjeorgjisë thanë se aeroplanë luftarakë rusë kanë bombarduar bazën ushtarake ajrore Vaziani, afër kryeqytetit Tbilisi. Zyrtari i sigurisë, Kakha Lamaia, tha se askush nuk është lënduar në sulmin, por disa ndërtesa janë shkatërruar.

Mediat gjeorgjiane theksuan se në bazën ushtarake, Vaziani, ndodhen trupa të Shteteve të Bashkuara, të cilat ndihmojnë në trajnimin e forcave gjeorgjiane.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti Dmitry Medvedev janë kërcënuar se do t'i kundërpërgjigjen ofensivës së forcave të Gjeorgjisë në rajon, duke thënë se atje po derdhet gjaku i qytetarëve rusë.

Putin i dënoi "aksionet agresive" të trupave gjeorgjiane dhe akuzoi Tbilisin për fillimin e armiqësive, duke përdorur tanke dhe artileri, ndërsa Medvedev tha se Rusia nuk do të lejojë që vdekjet e qytetarëve rusë të mbeten të pandëshkuara.

Lideri i rajonit separatist, Eduard Kokoity, tha se "qindra" civilë janë vrarë në luftimet në kryeqytet.

Ndërkohë, komandanti i paqeruajtësve rusë atje tha se më shumë se 10 trupa ruse janë vrarë nga zjarri artilerik i Gjeorgjisë. Ai tha se kryeqyteti i Osetisë Jugore, Tskhinvali, është "shkatërruar pothuajse plotësisht" nga artileria dhe sulmet ajrore gjeorgjiane.

Moska tha se ka dërguar trupa për t'i mbrojtur qytetarët rusë dhe banorët lokalë në këtë rajon pro-moskovit dhe për të mbështetur kontingjentin prej 2.500 paqeruajtësve rusë. Shumica e banorëve të Osetisë Jugore kanë shtetësi ruse.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të dhunës në Osetinë Jugore, nga frika e shpërthimit të një lufte të përgjithshme ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Johndroe, i cili e shoqëron presidentin George Bush në Pekin, tha se Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje "të gjitha palëve" që ta ndërpresin dhunën dhe të përfshihen në bisedime direkte "për të zgjidhur këtë çështje në mënyrë paqësore”.

Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, u bëri thirrje të gjitha palëve t'u japin fund përleshjeve të armatosura dhe të përfshihen në bisedime direkte.

Thirrjeve të ngjashme iu bashkëngjitën edhe kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, Franca, Gjermania, Turqia si dhe OSBE-ja.

Kjo e fundit paralajmëroi se Osetia Jugore ndodhet në prag të një lufte totale.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq bëri thirrje për hapjen e një "korridori humanitar" në Osetinë Jugore, që ambulancat të mund t'i evakuojnë të plagosurit.

XS
SM
MD
LG